Janar 28, 2022 | Friday

Skulptorja Nedeljkoviq sjell “Lidhjet” në Shtëpinë e Evropës

Në praninë e artdashësve të shumtë, Shtëpia e Evropës në Mitrovicë të Veriut ka hapur ekspozitën “Lidhjet” të artistes Katarina Nedeljkoviq. Ekspozita e cila njëherësh është e para personale e artistes Nedeljkoviq, shfaq punimet artistike abstrakte të artistes në skulpturë, vizatim, grafikë dhe të tjera.

Sipas artistes Nedeljkoviq, tema “Lidhjet” e cila është edhe tema kryesore e ekspozitës, lindi në mënyrë krejtësisht spontane gjatë punës së saj. “Është tejet e rëndësishme të dimë se çfarë lidhjesh dëshirojmë të kemi me natyrën, zotin, vetveten, familjen, miqtë dhe të tjerët. Nisur nga kjo kam krijuar punimet e mia abstrakte, duke u munduar t’i shfaq lidhjet më të rëndësishme për mua” – thotë Nedeljkoviq.

Sipas autores Nedeljkoviq, duke qenë materiali i parë përmes së cilit natyra formësoi mendjet dhe duart e njeriut, guri mbetet materiali i saj më i preferuar për të punuar në skulpturë dhe për të krijuar “lidhjet” me mesazhe të ndryshme për publikun.

Ekspozita “Lidhjet” po qëndron e hapur në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicë të Veriut dhe mund të vizitohet çdo ditë pune nga ora 9:00 deri në ora 18:00.