Tetor 15, 2024 | Tuesday
Organizatat e Shoqërisë Civile luajnë rol thelbësor në nxitjen e reformave demokratike dhe ndryshimeve shoqërore në Ballkanin Perëndimor. Ndër vite, ky sektor ka iniciuar disa nga nismat më me ndikim, të cilat kanë kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së komuniteteve në mbarë rajonin. Megjithatë, kapacitetet e limituara të organizatave të shoqërisë civile dhe autoriteteve lokale shpesh e kanë penguar bashkëpunimin ndërmjet këtyre dy komponentëve të rëndësishëm të jetës shoqërore dhe publike në rajon.
Teksa rajoni vazhdon rrugën e vet drejt integrimit në Bashkimin Evropian, përfshirja e shoqërisë civile në formësimin e politikave, promovimin e transparencës dhe llogaridhënies publike është bërë edhe më urgjente dhe kritike.
I mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, projekti ReLOaD2 synon të forcojë demokracinë pjesëmarrëse në mbarë Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Kosovën, Bosnjë dhe Hercegovinën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë. Duke u mbështetur në trashëgiminë e suksesshme të projektit ReLOaD1, projekti ReLOaD2 fokusohet në përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe OSHC-ve duke inkurajuar angazhimin e rinisë.
Synimi i përgjithshëm i projektit ReLOaD2 është fuqizimi i shoqërisë civile dhe rinisë për të marrë pjesë aktive në proceset vendimmarrëse, duke kontribuar në procesin e integrimit në BE. Në Kosovë, projekti synon të forcojë partneritetet ndërmjet komunave dhe shoqërisë civile duke zgjeruar një model transparent dhe të bazuar në projekte për financimin e OSHC-ve nga buxhetet komunale. Kjo qasje është dizajnuar për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve lokale, zhvillimin e komunitetit dhe angazhimin qytetar. Veç kësaj, projekti fokusohet në krijimin e një mekanizmi financimi të qëndrueshëm, transparent dhe të orientuar drejt zhvillimit për OSHC-të për të siguruar që prioritetet e komuniteteve lokale të adresohen në mënyrë efektive.
Duke promovuar përfshirjen e rinisë në zhvillimin e komunitetit dhe vendimmarrje, ReLOaD2 mbështet një sërë iniciativash rinore që synojnë përmirësimin e mundësive ekonomike dhe angazhimit qytetar. Si pjesë e aktiviteteve ReLOaD2, të rinjtë mund të udhëheqin zbatimin e projekteve dhe të punojnë drejt ndryshimeve pozitive, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrëse në rajon.
Në vitin 2023, projekti arriti momente historike të rëndësishme në Kosovë duke mbështetur zbatimin e 46 projekteve nga 126 aplikime, përmes dy thirrjeve publike për OSHC. Shumë nga këto projekte theksojnë marrëveshjet e bashkëfinancimit me komunat partnere, duke siguruar pronësinë lokale të iniciativave. Për më tepër, pothuajse gjysma e projekteve të mbështetura janë të udhëhequra nga gratë, duke adresuar nevojat kritike në komunitetet lokale. Veç kësaj, projekti ka punuar nga afër me udhëheqës lokalë rinorë, të cilët organizuan pesë diskutime në forum dhe lansuan iniciativa të fokusuara në vullnetarizëm dhe angazhim qytetar. Këto përpjekje rezultuan në përcaktimin e 24 iniciativave të udhëhequra nga të rinjtë.
Për të siguruar zbatimin efektiv të projekteve të financuara, 46 OSHC-të e mbështetura morën trajnime shtesë për rregullat e programit ReLOaD, menaxhimin e projektit, raportimin për progresin dhe promovimin e vizibilitetit. Ky trajnim ndihmon për të siguruar që projektet të kenë ndikim të qëndrueshëm dhe të zbatohen sipas praktikave më të mira.
Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ReLOaD2 po jep një kontribut të rëndësishëm në forcimin e demokracisë pjesëmarrëse në Ballkanin Perëndimor. Duke krijuar një platformë për bashkëpunim ndërmjet qeverisjeve lokale, shoqërisë civile dhe rinisë, projekti po ndihmon në ngritjen e komuniteteve më transparente, llogaridhënëse dhe gjithëpërfshirëse. Vetëm në Kosovë, ReLOaD2 pret të shohë zbatimin e rreth 56 projekteve, nga të cilat përfitojnë mbi 4200 qytetarë. Në të gjashtë shtetet pjesëmarrëse do të zbatohen rreth 300 projekte, duke prekur më shumë se 40,000 qytetarë.
Projekti ReLOaD2 demonstron fuqinë e bashkëpunimit në formësimin e së ardhmes së Ballkanit Perëndimor. Duke vendosur shoqërinë civile dhe rininë në ballë të reformës demokratike dhe transformimit social, projekti po hap rrugën për një të ardhme më pjesëmarrëse dhe gjithëpërfshirëse në mbarë rajonin.