Gusht 5, 2024 | Monday

Përpjekje për liri

Ekspozitë nga Stefan Boshkoqeviq

Çlirimi i emocioneve personale, siç janë frika, trishtimi, zemërimi dhe vetmia, është burimi i frymëzimit për veprat artistike të Stefan Boshkoqeviqit. Ai i trajton këto emocione duke transformuar forma abstrakte në skulpturë dhe duke vizatuar përmes kombinimit të formave të ndryshme. 

Stefan Boshkoqeviq, nga Zveçani, është praktikues i artit pamor. Ekspozita e tij me titull “Shtangie” u hap në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicë të Veriut më 12 qershor dhe qëndroi e hapur për një muaj, gjatë të cilit ai u angazhua edhe në një bashkëbisedim me publikun. Ekspozita sjell emocione frike, vuajtjesh dhe harresash të ngurtësuara në formën e skulpturës. Artisti u përqendrua në frikën nga e panjohura dhe ekspozita e tij ishte një ftesë e hapur për publikun që të përballej me të panjohurën. 

Edhe pse në ekspozitë u paraqitën disa vizatime, vepra e Boshkoqeviqit është e fokusuar kryesisht në skulpturë, për të cilën ai thotë: “Gjithmonë e kam ditur se arti është rruga ime, por nuk prisja që të realizoja skulptura. Më pëlqen të them se ishte skulptura që më zgjodhi mua, dhe jo anasjelltas”. Skulptura i ka ndihmuar ta thyejë një fazë të bllokimit artistik në hapat e para të karrierës së tij. “U ballafaqova me një bllokim, që ishte ndeshja ime e parë me një ndjenjë të ngjashme me ngulfatjen, e cila përfaqësonte dhimbje, vuajtje dhe frikë. Dalëngadalë, duke e ekzaminuar veten dhe duke eksploruar materiale dhe teknika, fillova ta kuptoja veten më mirë, fillova të dal përtej zonës sime të rehatisë dhe hyra në botën e skulpturës. Nuk pranova t’i vija vetes kufij, çka më shtyu ta dashuroja skulpturën dhe, në njëfarë kuptimi, të lija pas ngulfatjen. Preferoja t’i shprehja emocionet e mia nëpërmjet skulpturave, sepse, pavarësisht pamjes së tyre të lëmuar, ato mishërojnë disa nga ndjenjat e mia më të thella”, shprehet Stefani. 

Titulli i ekspozitës, “Shtangie”, është thirrje për çlirim nga trysnia e krijimtarisë artistike. Midis punimeve të tjera, ekspozita përmban skulptura të frymëzuara nga natyra dhe të realizuara me materiale natyrore si guri dhe druri, por edhe me materiale të ricikluara. 

Edhe pse artisti flet për frikën, çlirimi është më shumë në qendër të ekspozitës së tij. “Dëshira ime ishte t’i inkurajo shikuesit që të mos turpërohen nga emocionet e tyre dhe të çlirohen, sepse çlirimi është shumë i rëndësishëm për mirëqenien e kujtdo”, shprehet ai në një intervistë për Shtëpinë e Evropës në Kosovë. 

Sa i përket bashkëbisedimit që pati me publikun, Stefan Boshkoqeviqi thotë se reagimet e publikut janë tepër të rëndësishme për çdo artist, pasi që i ndihmon t’i përmirësojë teknikat e veta dhe t’i pasurojë veprat e veta të artit.