Prill 8, 2019 | Monday

Të japësh leksione të llojit ‘na tregoni se kush jeni ju’ edhe pas shumë shekujsh bashkëjetese

Një nga sfidat kryesore kur shkruhet për romët është se njerëzit zakonisht mendojnë se tashmë e dinë se kush janë romët dhe si sillen. Të shkruash se kush janë romët do të thotë gjithashtu të shkruash se kush nuk janë romët. Pikëpamjet e njerëzve për ciganët[1] janë formuar në shumë breza nga imazhet letrare, të cilat janë kaq të fuqishme sa që njerëzit shpesh i hedhin poshtë takimet apo njohjet në jetën reale me romët.

Shumëllojshmëria e brendshme e romëve nganjëherë konsiderohet në një nivel me shumëllojshmërinë e popujve që përbëjnë pakica etnike të dallueshme, por që nuk kanë një territor apo rajon të tyre dhe që tentojnë të specializohen në ekonomitë e ndryshme të shërbimit.

Gjatë gjithë historisë, shumica e shoqërive ka krijuar mbi romët një imazh që tenton të bazohet në mohimin e mënyrës se si ata e kuptojnë vetveten. Për shkak se romët nuk kanë shtet të tyre, ata konsiderohen si të pa rrënjë. Për shkak se vështirë punësohen nga të tjerët, konsiderohen si përtacë. Për shkak se në shumicën e rasteve ligjet janë mizorë ndaj tyre dhe se shpesh nuk pranojnë të i binden, ata shihen jo vetëm si një “popull i lire”, por edhe si të paligjshëm. Kur shumica e shoqërive ndihen të prangosur nga moralet e tyre seksuale dhe kufizimet që imponon, sidomos tek të rinjtë dhe gratë, të njejtit fillojnë të fantazojnë për sjelljen e supozuar dhe joshëse të vajzave cigane. Të vetëpërmbajtur në shprehjen e emocioneve, klasa e mesme urbane e ka zili pasionin që romët e shfaqin përmes muzikës së tyre dhe pamjes së tyre të gjallë dhe të zbukuruar. Të bllokuar në përgjegjësitë e rutinave dhe rregulloreve, shoqëria e gjerë i shikon ngultas ciganët si fëmijë të natyrës. Megjithatë, meqë ky imazh imagjinar përfaqëson të kundërtën e vlerave që ky popull i ka, ciganët konsiderohen njëlloj si një kërcënim dhe trajtohen me dyshim.

Flag_of_the_Romani_people.svg

Me apo pa dashje, ne marrim detyrën e krijimit dhe propagandimit të imazheve të të tjerëve. Kur bëhet fjalë për komunitetet e margjinalizuara dhe të rrezikuara si romët, atëherë përballemi me sfida të veçanta. Shumica e imazheve që njerëzit kanë krijuar ndaj romëve nuk bazohen në takimet sy-më-sy, por në tregimet fiktive dhe fantazi, që kanë dominuar për përshkallëzimin e romëve në art dhe letërsi për shumë shekuj. Si rom, ne jemi shpesh në një pozitë për të dhënë informata më të sakta, por duhet të merren parasysh paragjykimet e para të pashmangshme. Kur u tregojmë njerëzve se kush janë romët, shpesh duhet të fillojmë duke u treguar atyre se kush nuk janë romët. Linjat e demarkacionit shoqëror që ende ekzistojnë mes popullatës shumicë dhe pakicës rome kudo në botë nënkupton se në shumë shoqëri njerëzit kanë pak mundësi për të bërë kontakte të drejtpërdrejta me romët. Përkundrazi, ata mbështeten në informata nga librat dhe mediat dhe shpesh edhe në thashetheme dhe mite.

Informacioni nuk është një garanci për tolerancë, as nuk është parakusht për dashuri. Marrëdhënia e vështirë që ka ekzistuar për shekuj midis shoqërive të ndryshme dhe popullit rom, i bën linjat e demarkacionit të lartpërmendur edhe më të theksuara në jetën e përditshme. Shumë njerëz i tërheq imazhi romantik i fantazive të romëve, pa ditur shumë për romët, vlerat e tyre dhe jetën e përditshme. Në anën tjetër shumë shoqëri për një kohë i kanë studiuar zakonet e romëve dhe i kanë regjistruar ato në mënyrë që t`i shtrembërojnë dhe ta vënë nën kontrollë fatin e tyre (shembulli i nazistëve). Romët shpesh kanë reaguar duke e kultivuar imazhin e krijuar romantik, sado i pasakt dhe jorealist që është, për të ruajtur shprehjen e simpatisë, duke u përpjekur ta ruajnë padukshmërinë dhe për të shmangur ekspozimin e zakoneve të tyre të brendshme dhe pikëpamjen e botës në mënyrë që të përpiqen të ikin nga nënshtrimi. Asnjë strategji, aq e kuptueshme sa mund të jetë në rrethanat historike, nuk i ka ndihmuar të huajt të fitojnë një familjarizëm më të mirë me fqinjët e tyre rom.

181360

Kultura dhe gjuha e një populli e përcaktojnë identitetin e tij. Gjatë shekujve, në disa vende evropiane, janë bërë përpjekje për të shkatërruar gjuhën dhe kulturën e romëve. Duhet pranuar se rezultatet e përfshirjes sociale të romëve në shumë shtete evropiane nuk janë proporcionale me përpjekjet e bëra nga të gjitha organizatat ndërkombëtare në këtë drejtim. Pavarësisht disa ndryshimeve pozitive, përfshirja shoqërore e romëve ka qenë një dështim në të gjithë Evropën: së pari, sepse qeveritë keqinterpretuan rëndësinë e vërtetë të fenomenit të anticiganizmit dhe propozuan masa të cilat janë të zbatueshme për diskriminimin e zakonshëm; dhe së dyti, sepse metodologjia e ndjekur ishte bazuar në supozimin se vendet evropiane i kanë injoruar dhe negluzhuar komunitetin rom në territorin e tyre dhe u mungon vullneti politik për të sjellë reforma. Ky është një shpjegim i thjeshtë për një çështje komplekse: injorohen sfidat me të cilat ballafaqohen qeveritë dhe tentohet të përgjithësohet gjendja e romëve në secilin vend. Në shumicën e rasteve injorohet diversiteti i popullsisë rome dhe kushtet specifike ligjore dhe sociale në çdo shtet evropian dhe këtu përsëri injorohet fakti se secili shtet ka një problem të veçantë që kërkon një zgjidhje të veçantë.

Në fund, të i rikthehem çështjes së ngritur në fillim. Takimet më të shpeshta dhe të drejtpërdrejta me romët mund të na çojnë në njohuri dhe konkluzione të reja. Njerëzit që dëshirojnë të dinë më shumë rreth romëve duhet t`i afrohen vetë romëve dhe të kërkojnë që të japin një informacion të tillë. Kjo i vë potencialisht të dyja palet në një pozitë që të jen në gjendje t`i rishikojnë qëndrimet. Në të njejtën kohë kjo do jepte edhe fuqi të konsiderueshme për të formuar qëndrimet ndaj romëve në një mënyrë të re dhe shumë më reale.

M.A. Edis Galushi
Mësimdhënës dhe përkthyes

Ky artikull e trajton çështjen e romëve në mbarë Evropë dhe jo domosdoshmërisht është reflektim i problematikës rome në një shoqëri të caktuar. Qëndrimet e shprehura këtu janë përmbledhje, komentim dhe interpretim i shkrimeve të ndryshme të akademikëve rom në Evropë.

[1] Term përulës për popullin rom i cili ishte i aplikueshëm deri në vitin 1971. Sidoqoftë, ombrella e të njejtit term është shumë e gjërë dhe e shumëllojshme saqë nuk dihet saktë se sa nëngrupe i përfaqëson. Termi i përdorur në këtë shkrim nuk ka qëllime të homogjenizimit të kësaj shumëllojshmërie por vetëm përdoret si referencë shoqërore për ta bërë më të qartë se për kë po bëhet fjalë.