Tetor 10, 2022 | Monday

Ngrohtorja me biomasë në Gjakovë – histori suksesi

Më 22 shtator 2021, Gjakova u bë komuna e parë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor me një ngrohtore me biomasë. Ngrohtorja e re moderne, e cila zëvendësoi ngrohtoren 40-vjeçare të qytetit e cila operonte me naftë, u ndërtua me objektivin e sigurimit të ngrohjes efikase për qytetarët e Gjakovës, të krijuar nga burime të pastra të energjisë siç është biomasa.

Një vit pasi filloi të funksionojë, shikojmë mbrapa duke pare ndikimin e jashtëzakonshëm që ka pasur ngrohtorja e re me biomasë në mjedis, ekonomi, punësim dhe në mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve të Gjakovës.

Përparim Luzha, punëdhënësi i ngrohjes së vjetër dhe asaj të re, tregon avantazhet e punës në ngrohjen me biomasë si punonjës dhe përshkruan përmirësimet në sistemin e ngrohjes së qytetit.

Përveç humbjeve ekonomike, operimi me lëndë djegëse të rënda ishte një barrë e madhe për mjedisin. Agron Kryeziu, qytetar dhe klient i ngrohtores me biomasë, dhe Fatos Deda – Zyrtar për Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Gjakovës, në video intervistën e mëposhtme tregojnë se prodhimi i ngrohjes nga biomasa ka pasur një ndikim të rëndësishëm në mjedis, duke ulur ndotjen me 90%.

Mjedisi nuk ishte i vetmi sektor në të cilin impakti i ngrohjes me biomasë pati një ndikim të madh. Fabrika e re moderne po ofron mundësi për profesionistët që më parë nuk ishin në gjendje të zbatonin aftësitë dhe njohuritë e tyre. I tillë është rasti i Florentina Lamës, e cila falë impiantit të ri u kthye në qytetin e saj dhe tani është përgjegjëse për prodhimin e energjisë në termocentralin e biomasës.

Ofrimi i ngrohjes efikase 24-orëshe për qytetarët e Gjakovës nuk është shërbimi i vetëm që bën ngrohtorja me biomasë. Falë teknologjisë moderne të bashkëgjenerimit, ngrohtorja prodhon energji elektrike nga biomasa. Në videon e mëposhtme, kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini dhe Drejtoresha Menaxhuese e ngrohtores me biomasë Albana Skivjani, zbulojnë më shumë për ndikimin e madh pozitiv që ka pasur impianti gjatë vitit të parë dhe rezultatet e pritura për vitet në vijim.

Ngrohtorja me biomasë është ndërtuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë, me një investim prej 15 milionë euro.