Gusht 2, 2017 | Wednesday

Toka nga maja më e lartë – Maja Everest 8848m

Më 22 maj, 05:05, arrita ta shoh Tokën krejtësisht ndryshe. Ndryshe prej asaj që e shohim dhe e imagjinojmë çdo ditë. Sa më shumë që i afrohesha majës, aq më i qetë, i bukur e madhështor bëhej përjetimi. Shihja ngjyra njerëzish e flamujsh. Kjo më bëri të kuptoj se arrita në majë. Kurrë nuk do t’i harroj rrezet e para të diellit që na përqafuan me lindjen e këtij mëngjesi të hershëm. Edhe pse temperatura ishte -40 gradë celsius, ne e kishim përshtypjen që ishte shumë nxehtë. Horizonti i Tokës e kishte formën e një lakoreje. Retë i kishim lanë poshtë, shumë poshtë. Këtë moment do ta mbaj gjithmonë në vete si gjënë më të bukur të jetës sime.
 
Ngjitja në Majën Everest, pikën më të lartë të Tokës, ishte jo vetëm ngjitja ime personale; ishte ngjitja e gruas së parë shqiptare e kosovare. Kjo arritje kishte kërkuar shumë mund e sakrifica, jo vetëm pse ekspeditat e tilla janë të vështira dhe të shtrenjta, por sepse në vendin tonë alpinizmi është në fazë të hershme, e sidomos për gratë.
 
Karriera ime si alpiniste filloi më 22 maj 2011, kur iu bashkova një grupi që udhëhiqej nga Bashkim Mula dhe gruaja e tij Dita. U befasova dhe u gëzova shumë kur pashë që ka edhe gra nëpër male. Në atë kohë, shumica e bjeshkatarëve ishin burra, ndërsa prania e një gruaje më bëri të kuptoj që mali është edhe për gra. Kjo më bëri të vazhdoj tutje. Për tre vitet e para bëra ecje të lehta çdo fundjavë, ndërsa në tre vitet në vazhdim nisa ta rris dinamikën dhe intenzitetin e ecjeve. Fillova të ngjitem nëpër male në Kosovë dhe Shqipëri, e në Evropë e Azi. Më pas fillova ta sfidoj veten me maja teknikisht më të vështira dhe më lartësi më të madhe mbidetare.
 
Viti 2016 ishte viti i kthesave. Persona të ndryshëm më kishin refuzuar për ngjitje në maja të larta pikërisht pse isha grua, pra “e dobët” për ta përballuar këtë ngjitje. Ishte Xhimi Begeja, nga shoqata Dajti, ai që më përzgjodhi ta përfaqësoj “Gruan shqiptare në Himalaje. Në shtator 2016 fillova trajnimet intensive. Çdo ditë vrapoja dhe bëja ushtrime të tjera të forcës; ngjitesha në maja çdo fundjavë, kisha regjim ushqimi dhe gjumi. Shkova në ekspeditën e parë ne Himalaje, ku arrita të ngjitem në tre maja të larta: Ramdung 5700, Nurbu 5800 dhe Ramdung 6000. Pas kthimit nga kjo ekspeditë 40 ditore, bashkë me udhëheqësin e ekspeditës, Xhimi Begeja, vendosem që të vazhdojmë me ngjitjen në majën Everest.
 
Kisha dyshime, kisha pak përkrahje nga familja e shoqëria. Ata frikësoheshin se a do të mund të kthehesha nga maja. Komentet më të shpeshta ishin “Qysh, ti femër e po shkon vet? A s’po të dalin majet tona, edhe ato të botës po të duhen a? Pse s’po martohesh edhe me ba një fëmijë?” Komentet vazhduan edhe për një kohë, mirëpo sa më shumë që afrohej data e nisjes për në Everest, njerëzit filluan ta kuptojnë seriozitetin dhe këmbënguljen time për këtë ekspeditë. Njerëzit e mi më të afërt filluan ta përkrahin ëndrren time. Ndërsa të tjerët vazhduan me thashethëme. Këto sfida u bënë katalizator i rrugëtimin tim drejt këtij suksesi.
 
U nisa nga aeroporti i Prishtinës në fillim të muajit mars. Më përcollën shumë bjeshkatarë e qytetarë. U përlota. Besoja në ëndrrën time. Kur u përshëndeta me Z. Skender Sina, kryetarin e Shoqatës Bjeshkatare “Pashtriku” nga Gjakova, anëtare e së cilës jam, ai më tha: ‘Uta, duam me na u kthy me fitore. Ke me ia dal’. Këto fjalë, e shumë të tjera, më kanë dhënë kurajo sa herë që jam ndier e dobët gjatë ekspeditës.
 
Ekspedita ime zgjati rreth dy muaj e gjysmë. Fillova në Hinku Valley me ekipin e grave jordaneze ku përgatiteshin për ngjitje në Everest, vazhdova me ekspeditën e zviceranëve në regjionin Makalu (veri të Nepalit), dhe me 8 maj vazhdova në Kampin Bazë të Everestit. Rruga deri këtu ishte shumë e vështire dhe me shumë përballje: prej lëndimit të gishtave e deri te shembja e malit që e rrezikoi jetën dhe ekspeditën time. Kisha momente ku ndihesha e dobët, e mërzitur, e thyer, por mundohesha t’i kaloja duke kënduar e duke vallëzuar, si dhe duke kaluar kohë me vendasit e Himalajeve.
 
Me 9, 10 dhe 11 maj e bëra ngjitjen e parë në Kampin Bazë, 5300m, pastaj Kampi 2 6500m, në Kampi 3, 7200m, dhe në fund u kthyem në Kampin Bazë. Pushuam tre ditë dhe me 14 maj e filluam ngjiten drejt Everestit. Plani ishte që me 19 maj të ngjiteshim në Everest. Kur ishim afër Kampit 4, diku në lartësi prej 7800m, mua dhe Tendi Sherpës, guidës së ekspeditës sime, na u dha lajmi se era në Kampin 4, 7950m, ishte afër 85 km/orë. Vendosëm të kthehemi urgjentisht në kampet më poshtë. Tentimin e dytë drejt Everestit e nisëm pas një ditë pushimi, me 20 maj. Tentimi i parë dhe fryma e madhe na kishin marrë shumë energji, dhe tentimi i dytë ishte shumë i vështirë.  Kur isha në Kampin Bazë, me lot bisedova me motrëm time. Kisha nevojë për energji dhe dashni nga bota jashtë maleve. Ishte vendim shumë i vështirë e që kisha shumë nevojë për përkrahje.
 
Pas Kampit 2 dhe 3, me 20 maj arritëm në Kampin 4. Sulmin drejt majës e filluam atë natë në ora 20.30. Ecja drejt majës ishte më e lehtë se që e kisha menduar. Shpesh e shikoja qiellin edhe ndjeja kënaqësi që po i afrohesha majës, qëllimit për të cilin kisha sakrifikuar shumë. Shihja trupa të njerëzve që kishin vdekur e njerëz të cilën ishin afër vdekjës. Sikur të isha përballur me këto ndjenja poshtë do të kishin më shumë ndikim. Mirëpo atje lart sikur isha bërë imune ndaj gjërave jo të mira. Krejt çka duhej bërë ishte të vazhdohej ecja drejt realizimit të ëndrrës.
 
Më 22 maj 2017, në 05:05 e arritëm Majën Everest. Po të njëjtën ditë u kthyem në Kampin 2, dhe më 23 maj u kthyem në Kampin Bazë.
 
Kjo ngjitje është bërë me shumë punë, sakrificë e shumë dashni. Himalajet na bëjnë shumë të vegjël para çdo gjëje. Të qenit modest na jep mundësi për të ndjekur ëndrrat.
 
Kjo ekspeditë nuk do të ishte e mundur pa përkrahjen e vazhdueshme të Xhimi Begejas dhe Shoqatës Dajti, Skender Sinës dhe Shoqatës Pashtriku, Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës me gjithë komunitetin bjeshkatarë, prinderit e mi dhe familjen Ibrahimi, dhe miqtë e mi.
 
Ju falemnderit që e keni dhënë kontributin tuaj që të besoj dhe ta realizoj ëndrrën time.