Mars 30, 2015 | Monday
Kur filloi të gatuante bakllava dhe t’ua ofronte konsumatorëve për blerje, Fatmire Maliqi nga Ferizaj nuk kishte besuar se emri i saj do të ngjitej lart në listën e ndërmarrësve më të suksesshme në Kosovë. Por falë suksesit të arritur me biznesin e saj, në vitin 2014 Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Dhomën Ekonomike të Grave të Kosovës G7, në kuadër të projektit “Ditët e Biznesit të Vogël” e shpallën atë si gruan më të suksesshme afariste.
Për Fatmiren gjithçka filloi në vitin 2010, kur ajo mori guximin për të nisur vet një biznes. “Sipas analizës që i bëra tregut, vërejtja se mungon bakllava, kjo ëmbëlsirë e mrrekullueshme dhe tradicionale për ne, prandaj vendosa që të filloj gatimin e saj dhe ta fus si produkt të ri në treg”, tregon ajo zanafillën e biznesit të saj.
“Në familjen time të trashëguar, brez pas brezi ishte e paimagjinueshme atmosfera festive pa bakllava në tryezat tona. Gjithnjë bakllava ishte një mbretëreshë e ëmbëlsirave, megjithëse gatimi i saj është mjaft delikat, të merr shumë kohë dhe të shkakton mjaft lodhje”, rrëfen ajo.
Thotë se ka pak gra që dijnë të përgatisin bakllava dhe ato janë kryesisht të brezit të mesëm apo të vjetër, ndërsa vlerëson se të pakta janë vajzat e reja që dijnë ta gatuajnë atë.
Për të nisur biznesin e saj, për Fatmiren vështirësia e vetme ishte ana financiare. Asaj iu desh që të merrte kredi në një bankë komerciale, që do t’i shërbente për të rregulluar objektin dhe të blinte pajisjet për punë. Fillimisht punësoi katër gra që bashkë me të gatuanin bakllava dhe një person që menaxhonte shitjen, por pas plasmanit të suksesshëm në treg, ajo ndër vite zgjeroi biznesin. Sot, biznesi i saj që e ka quajtur në emër të vajzës, Edona, punëson 18 gra dhe tre agjentë të shitjes.
“Të gjitha gratë që punojnë tek unë si dhe vetë familja ime jetojmë nga ky biznes”, shprehet Fatmirja. Biznesi i saj fillimisht kishte qarkullim vjetor prej rreth 20 mijë eurosh, ndërsa kjo shumë vitin e kaluar shkoi mbi 100 mijë. Ajo ka plane të zgjerojë edhe më shumë biznesin dhe të punësojë më shumë gra, por për këtë i nevojitet mbështetje financiare.
“Plani im është të zgjeroj kapacitetet e prodhimit dhe të punësoj 500 gra që do të gatuanin bakllava jo vetëm për konsum në Kosovë, por edhe për eksport në vendet e rajonit si dhe në një rrjet marketesh në Gjermani. Mirëpo për të arritur këtë nevojitet një investim prej gjashtë milionë eurosh dhe për momentin, unë nuk kam mundësi ta bëjë këtë e vetme”, shprehet Fatmire Maliqi.
Ajo inkurajon të gjitha gratë në Kosovë që të mos kërkojnë punë vetëm në sektorin publik, por të orientohen tek sektori privat dhe ketë guxim për të nisur një ndëmarrje të re. “Gratë nuk duhet ta humbin shpresën dhe duhet të kenë guxim për të filluar një punë. Me angazhim arrihet gjithçka”, porosit Fatmirja.