Nëntor 29, 2023 | Wednesday
Një profil i Viola Maksutit
“Pasioni im është thyerja e barrierave gjinore dhe tejkalimi i pengesave që nuk ua lejojnë njerëzve të arrijnë potencialin e tyre të plotë dhe të përfitojnë sa më shumë nga rrethanat e tyre.” – Viola Maksuti
Viola Maksuti është ambasadore e re evropiane dhe ambasadore e STEM për vajzat në Kosovë. Ajo është kurreshtare dhe ka pasion rritjen personale dhe përparimin bashkëpunues. Si studente e Shkencave Kompjuterike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe aktiviste, ajo është e angazhuar në fusha të ndryshme me synimin për të kontribuar në përparimin e shoqërisë dhe avancimin e shkencës, si dhe për të shërbyer si frymëzim për të tjerët. Ajo beson në potencialin e të rinjve kosovarë dhe është e vendosur që ta tregojë atë para botës.
Për të përforcuar aktivizmin e saj, ajo angazhohet në platforma të shumta që ia lejojnë ta kanalizojë dëshirën dhe energjinë e saj. Gjatë viteve, ajo ka qenë vullnetare në fushat e arsimit, të drejtave të njeriut, barazisë gjinore, STEM, integrimit në BE dhe aktivizmit të të rinjve. Ajo është themeluese e Platformës Rinore të Edukimit dhe mban poste drejtuese në grupe si Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane.
Duke njohur rëndësinë e arsimit, Viola është e përkushtuar të sigurojë qasshmërinë e tij, pavarësisht nga statusi ekonomik apo prejardhja demografike e dikujt. “Arsimi, si një pikënisje thelbësore, hap rrugën për mundësi të standardizuara dhe të barabarta, duke krijuar një shoqëri ku të gjithë mund të lulëzojnë dhe të optimizojnë potencialin e tyre”, thotë Maksuti. Në ndjekje të këtij vizioni, ajo ka themeluar Platformën Rinore të Edukimit. Kjo platformë online ofron informacion të vlefshëm për të rinjtë e Kosovës rreth mundësive të ndryshme arsimore, duke filluar nga konferencat, sesionet informative dhe mundësitë e vullnetarizmit, e duke vazhduar me rrjetëzim, punësim, bursa dhe praktika.
Në punën e saj për një shoqëri të drejtë, përmes aktivizmit të saj, ajo është angazhuar të punojë në promovimin e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe STEM. “Pasioni im është thyerja e barrierave gjinore dhe tejkalimi i pengesave që nuk ua lejojnë njerëzve ta arrijnë potencialin e tyre të plotë dhe të përfitojnë sa më shumë nga rrethanat e tyre,” thotë Viola, “Edukimi im më ka rrënjosur një besim të palëkundur se asnjë sfidë nuk është e pamposhtshme, duke më nxitur të ndjek interesat e mia për të studiuar STEM dhe për t’u angazhuar në shah konkurrues”. Përmes Këshillit Rinor të Ambasadës së SHBA-ve, ajo mori pjesë në inicimin e programit Tech Intern Prep. Ky program me ndikim përgatiti me sukses 30 studentë të TIK-ut për aplikime për punë, duke ua hapur rrugën pesë prej tyre për të siguruar pozita si praktikantë në dy kompani të njohura të teknologjisë.
Si aktiviste, Viola është gjithashtu e përkushtuar ndaj procesit të integrimit të Kosovës në BE dhe diplomacisë, duke promovuar komunitetin dhe vendin e saj përmes kanaleve të ndryshme — online përmes platformave të saj në rrjete sociale dhe personalisht përmes fushatave dhe projekteve rinore. Aktivitetet e rëndësishme përfshijnë promovimin e vendlindjes së saj, Gjilanit, përmes fushatës hibride “Udhëzuesi turistik i Gjilanit”, dhe promovimin e Kosovës në Bruksel gjatë Ditës së Evropës përmes fushatës “Bërë prej nesh”. Si udhëheqëse e re kosovare, mesazhi i saj për lexuesit është: “Këmbëngulni në gjetjen e frymëzimit nga të tjerët dhe frymëzimin e të tjerëve. Ju nuk jeni vetëm në përballjen me sfidat; të bashkuar, kemi fuqinë të krijojmë një të ardhme më të mirë”.