Gusht 30, 2016 | Tuesday
Burimi: Getty Images
Nga Majlinda Kelmendi
Medaliste e Artë Olimpike e vitit 2016 në Xhudo si përfaqësuese e Kosovës, e nderuar me çmimin Evropiania e Vitit 2015
Ajri në Rio de Zhaneiro, Brazil, ishte i ngrohtë e i lagësht, kur po hynim në Stadiumin Maracanã, nikoqir i ceremonisë së hapjes së Olimpiadës 2016, duke mbajtur lart flamurin e Kosovës. Bashkë me 7 kolegë të ekipit, përbënim delegacionin e parë që u dërgua në Olimpiadë nga Kosova, si dhe ndjeheshim vërtet si qytetarë të botës, pjesë e një gjëje shumë më të madhe sesa vetë ne. Para nesh ishte shteti i Kiribatit me 3 sportistë, pasi kishte marrë pjesë për herë të parë në Olimpiadën e vitit 2004 në Athinë. Prapa nesh, Republika Demokratike Popullore e Laosit ecte me 6 sportistë, vend që kishte garuar për së pari në Olimpiadën e Moskës më 1980. Në tribuna, gati 78,000 spektatorë nga e gjithë bota po na përkrahnin. Ne ecnim duke bartur lart ëndrrat e vendit tonë të vogël, të gatshëm për të dhënë tregimin tonë si dhe për të shfaqur talentet tona para botës. 16 ditët në vijim qenë aventura e një jete të tërë, por njëkohësisht fillimi i shumë të tjerave për gjeneratat e ardhme të sportistëve të rinj të Kosovës.
Ecja drejt tapetit olimpik të xhudos, me flamurin e Kosovës të ngritur me emrin tim, ishte si ëndërr. Kjo ëndërr e realizuar megjithatë erdhi pas një historie të gjatë. Pas 17 vitesh trajnimi, pjesëmarrjeje në gara e përfaqësim të vendeve të tjera, e edhe nën siglën e paemër të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos gjatë kampionatit botëror në Rusi, mundësia e përfaqësimit të Kosovës në Olimpiadën e saj të parë ishte përvojë që ekipi asnjëherë nuk do ta harrojë. Të gjithë ne arritëm në Rio të gatshëm për t’u përballur me sfidën që do të ishte Olimpiada e parë e Kosovës. Citius – Altius – Fortius (shqip: më shpejt – më lart – më fort), motoja latine e Olimpiadës, na shtyu të trajnohemi më fort dhe të lidhemi si ekip, për të mbështetur njëri-tjetrin. Nuk ishim atje vetëm si sportistë, por si ambasadorë të rinj, duke i treguar botës kush jemi.
Si me shumicën e arritjeve të mëdha jetësore, nuk ishim vetëm në ëndrrën tonë olimpike. Për mua, personi që më ka drejtuar gjatë gjithë kohës ishte trajneri im i xhudos, Driton Kuka. Nën udhëheqjen e tij, kam mësuar jo vetëm për xhudon, por për jetën në përgjithësi. Derisa të rinjtë tjerë në moshën time po gëzonin adoleshencën, unë ushtroja në sallë me të, çdo ditë, duke perfeksionuar zanatin tim. Ai më mësoi se si të nxjerr mësimin nga dështimet, e të bëhem më e fortë. Përderisa nganjëherë udhëzimet e tij dukeshin strikte, e dija qartë se kështu do të bëhesha kampione. Bashkë kemi arritur të shtyejmë kufijtë, e të orientohemi brenda situatave sfiduese politike, duke u fokusuar tek objektivi ynë i madh – të jemi më të mirët dhe të përfaqësojmë Kosovën më së miri që mundemi në skenën globale.
Burimi: Getty Images
Historia jonë olimpike nuk është historia tradicionale e kampionëve. Është tregim i këmbënguljes dhe ndjekjes së zemrës. Histori e punës së madhe dhe fokusimit. Nuk kemi pasur sporte në salla të edukatës fizike në shkollë fillore dhe të mesme; shumica prej nesh shkonin në shkolla në shtëpitë e fqinjëve tanë, shpesh pa banka e pa libra. Nuk ushtronim në salla sporti me pajisje të cilësisë botërore, e as nuk patëm nutricionistë e mjekë që na përgatisnin për rreptësinë e garave olimpike. Megjithatë, mungesën e gjërave materiale e zëvendësonim me më shumë zemër. Kemi historinë e nënave e baballarëve tanë, të motrave e vëllezërve tanë, përpjekjet e tyre për të krijuar të ardhme më të mirë për gjeneratat që vinë. Ky pasion është ai që çoi 8 kosovarë të rinj në Olimpiadë – dëshira për t’u ngritur lart e për t’i dëshmuar botës që e ardhmja do të jetë më e mirë se e kaluara.
Kjo e ardhme më e mirë është në duart e gjeneratës së re, me mundësi të pakufishme përpara. Shpresa ime për të gjithë të rinjtë në Kosovë është që të mos dorëzohen kurrë, të ndjekin ëndrrat e tyre e të përqafojnë sfidat si mundësi për t’u forcuar edhe më shumë. Nëse luan brenda rregullave dhe nuk i largon nga shikimi qëllimet, gjithçka është e arritshme. Kush e di, ndoshta ti do të jesh medalisti kosovar i radhës në Olimpiadë?