Shkurt 1, 2022 | Tuesday
Përkundër përfundimit të arsimit universitar, studentët e diplomuar të Kosovës shpesh kanë mungesë të shkathtësive të nevojshme për punësim. Disa nga shqetësimet kryesore të industrisë së sektorit privat mbeten mungesa e burimeve financiare si dhe e personelit të kualifikuar dhe me shkathtësitë e nevojshme për punën e tyre.
Projekti “VentureUP – Inkubatori për Ndërmarrësi i Universitetit të Prishtinës”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian në Kosovë, u ofron studentëve dhe startup-eve mundësinë që të zhvillojnë biznese që krijojnë vende pune dhe që të rrisin shanset e tyre për punësim kuptimplotë në Kosovë.
Eroll Gorçi, themelues i platformës online ‘Udhë’, platformë kjo digjitale për ndarjen e makinës dhe shpenzimeve gjatë udhëtimit, është njëri nga përfituesit e projektit të mbështetur nga BE. Gorçi thotë se mungesa e burimeve të mjaftueshme është pengesë e madhe për ndërmarrësit e rinj që t’i zbatojnë idetë e tyre inovative. “Në fillim nuk dinim nga t’ia fillonim me idenë tonë dhe çfarë të bënim. Për fat të mirë, jemi bërë pjesë e inkubatorit të VentureUP, çka ishte vendimtare që ekipi ynë të vazhdonte me zhvillimin e produktit dhe të arrinte në fazën aktuale të produktit tonë”, thotë Gorçi.
Falë mbështetjes së marrë nga projekti VentureUP, sot ‘Udhe’ numëron më shumë se 20,000 anëtarë dhe ka fituar çmimin e dytë në edicionin e dytë të programit Akselerator UPLIFT të organizuar në Tiranë. Veç kësaj, platforma online po kontribuon shumë drejt parimeve të ekonomisë qarkore, duke reduktuar numrin e makinave në trafik dhe për rrjedhojë duke ndihmuar për uljen e emetimeve dhe mbrojtjen e mjedisit.
Mbështetja e Ndërmarrësisë si shtyllë e projektit, fokusohet në ofrimin e një game të gjerë burimesh dhe shërbimesh që u lejojnë studentëve të Universitetit të Prishtinës të zhvillojnë dhe testojnë ide biznesi, teknologji dhe inovacione në të gjithë sektorët ekonomikë. Komponenta Edukimi dhe Trajnimi, ju ofron studentëve të Universitetit të Prishtinës mundësinë që të fitojnë shkathtësitë e nevojshme të kërkuara nga tregu dhe që do të përmirësojnë shanset e tyre të punësueshmërisë pas diplomimit.
Mentor Rexhepi, Drejtor Ekzekutiv i VentureUP, thotë se në dy komponentët e tij, projekti po arrin me sukses të rrisë kapacitetet e studentëve dhe startup-ve të UP-së. “Gjatë programit të parë të inkubacionit në vitin 2019, programin e kanë përfunduar shtatë startup-e me 23 anëtarë ekipi (10 gra), nga të cilat katër startup-e janë regjistruar si biznese të ligjshme që gjenerojnë të ardhura dhe punësojnë 15 persona, nga të cilët pesë janë gra. Po kështu, në vitin 2020 ishin 12 startup-e me 31 anëtarë ekipi (19 gra) që e përfunduan programin e dytë të inkubacionit, dhe si rezultat pesë prej tyre janë regjistruar si biznese të ligjshme, duke gjeneruar të ardhura dhe duke punësuar 18 persona (10 femra)” – thotë Rexhepi.
Edhe pse pandemia e ka ndërprerë punën e shumë organizatave, Rexhepi thotë se kohorta e tyre e dytë u organizua plotësisht online, duke përfshirë më shumë se 30 seanca trajnimi, më shumë se 50 seanca mentorimi dhe stërvitje praktike. Rexhepi përmend se gjatë pandemisë Covid-19 një nga startup-et e tyre, AXYZ, e cila ofron shërbime të printimit 3D, filloi të printojë maska fytyre falas për stafin mjekësor në klinika dhe objekte të tjera shëndetësore në mbarë Kosovën. Ndërkohë, kohorta e tretë e projektit, e cila filloi në vitin 2021, ka 16 ekipe me 48 anëtarë (22 gra dhe 26 burra) dhe ofron pesë seanca trajnimi për tema të ndërmarrësisë, secila e drejtuar nga ekspertë ndërkombëtarë. Si rezultat përfundimtar të kohortës së tretë, falë mbështetjes së BE-së, prsim që së paku pesë biznese të reja të regjistrphen, me së paku 20 punëdhënës të rinj, thotë Rexhepi.
Rina Ademi, Ardit Mulliqi dhe Endrina Ramadani ishin disa nga pjesëmarrësit e programit të trajnimit për Marketing në Rrjete Sociale (MRRS) dhe secili prej tyre e cilëson si një përvojë shumë të vlefshme për nxjerrje të mësimeve.