Dhjetor 27, 2024 | Friday
Vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian për të hequr regjimin e vizave për Kosovën, duke ua mundësuar qytetarëve të Kosovës të hyjnë lirshëm në zonën Schengen për qëndrime të shkurtra, ishte një moment që të gjithë e kishim pritur dhe meritonte një festë. Fushata #ExploreEurope u nis në tetor 2023 si një fushatë e heshtur, duke hapur rrugën për një fushatë publike që arriti kulmin e saj në nëntor dhe dhjetor 2023 me shumë aktivitete, nga reklamat televizive deri te ngjarjet e informimit në terren në të gjithë Kosovën dhe vazhdoi edhe përgjatë vitit 2024 me disa aktivitete që çuan deri te Dita e Evropës 2024.
Krijuam përmbajtje kreative në frymën e festimit të këtij momenti dhe informimit të qytetarëve të Kosovës jo vetëm për bukurinë e udhëtimit, por edhe për mundësitë që ky moment paraqet për ta. Shtetet Anëtare të BE-së dhe Qeveria e Kosovës ishin pjesë thelbësore e kësaj fushate, në mënyrë që njerëzit e Kosovës të kenë informacion specifik për vende të caktuara dhe informacion të përgjithshëm rreth të drejtave dhe kufizimeve të udhëtimit për qëndrime të shkurtra brenda zonës Schengen. Ne bashkuam forcat me fushatën e udhëhequr nga qeveria #PaViza në mënyrë që ky moment të jetë sa më i dobishëm për njerëzit e Kosovës.
Përmbajtja në rrjetet sociale hapi rrugën për informim dhe biseda, kuize dhe aktivitete edukative me njerëzit në Prishtinë, Prizren, Gjilan, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Pejë, Ferizaj, Graçanicë, Shtërpcë. Në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet Anëtare të BE-së, ne organizuam kurse intensive për gjuhët greke, gjermane, italiane dhe franceze në Europe House në Prishtinë dhe Mitrovicë e Veriut, të destinuara për këdo që dëshiron të mësojë fjalët bazë në gjuhët e këtyre vendeve evropiane.
Selfie-video-t që krijuam në bashkëpunim me Shtetet Anëtare të BE-së nga njerëz me ndikim dhe figura publike të profileve të ndryshme nga Republika Çeke, Austria, Italia, Suedia, Finlanda dhe Holanda i treguan njerëzve të Kosovës në një mënyrë të ngrohtë se sa të mirëpritur janë për ta vizituar zonën Schengen për qëndrime të shkurtra.
Një koncert në zemër të Prishtinës me artistë të njohur vendas; një ekspozitë që tregon ditarët fotografikë të udhëtimeve në Europe House në Mitrovicën e Veriut, si dhe një ngjarje e madhe që u prezantoi studentëve të Universitetit të Prishtinës mundësitë që paraqet liberalizimi i vizave për ta, ishin gjithashtu pjesë e kësaj fushate. Pati gjithashtu lojëra argëtuese dhe fitues me fat të biletave të udhëtimit për në Vjenë.
Fushata #ExploreEurope ishte një përvojë shpërblyese, një moment gëzimi dhe reflektimi mbi rëndësinë e lirisë së lëvizjes dhe shkëmbimit kulturor ndërmjet njerëzve, si dhe një rikonfirmim i marrëdhënieve pozitive BE-Kosovë.