Nëntor 30, 2023 | Thursday

Çka e frymëzoi fushatën #PaViza të Qeverisë së Kosovës

Intervistë me Klisman Kadiun, këshilltar politik i Zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë së Kosovës

Çka e frymëzoi zhvillimin e fushatës së Qeverisë për Liberalizimin e Vizave për Kosovën?

Vendimi i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën duke vlerësuar progresin tonë në fushat relevante, na nxiti të fillojmë një fushatë informuese dhe t’i drejtohemi popullit të Kosovës, marrë parasysh hendekun mes kohës kur u mor vendimi përfundimtar më prill 2023 dhe fillimit të zbatimit të marrëveshjes për udhëtim pa viza më 1 janar 2024. Mendojmë se kjo periudhë kohore na ofroi një mundësi të mirë për t’i kontaktuar qytetarët në mbarë Kosovën. 

Si e gjetët sloganin e fushatës dhe sa kureshtje kishin qytetarët për të mësuar më shumë rreth udhëtimit në Evropë pas liberalizimit të vizave? 

Slogani ynë kryesor ishte PaViza. Slogani u frymëzua nga vitet e kaluara kur qytetarët prisnin para ambasadave për të aplikuar për viza afatshkurtra, përpjekje të cilat shpesh kanë rezultuar në mosdhënien e vizës. Vetëm dekadën e fundit janë shpenzuar miliona euro nga qytetarët për kërkesat për viza të tilla, në një proces që ka prodhuar edhe zhgënjim tek ata. Pra, ishte një mënyrë për të thënë se tani ju mund ta vizitoni dhe eksploroni Evropën për qëndrime të shkurtra, pa vizë, si dhe pa pasur nevojë të kaloni kohë në radhë para ambasadave. 

Nga cilat elemente përbëhej fushata dhe cili element i fushatës u tregua më tërheqës për qytetarët?

Ne kemi piketuar televizionet dhe rrjetet sociale, dhe veçanërisht vizitat në terren – një lloj marketingu në rrugë – ku takimi me qytetarët ishte një pikë fokusi e fushatës sonë. Një kamion i brenduar me logon “Liberalizim i Vizave” udhëtoi në mbarë Kosovën, nga 5 tetori deri më 17 nëntor. Vizituam shumë qytete dhe lokalitete. Ky kamion mobil shoqërohej nga një ekip i përbërë nga përfaqësues të Qeverisë, kryesisht nëpunës civilë, me ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve tanë që na u bashkuan në këtë fushatë. Ekipi në terren ka shpërndarë fletëpalosje dhe broshura me informacion për qytetarët dhe i ftonte të merrnin pjesë në Kuizin për BE-në. U bënë pyetje të thjeshta dhe ata që u përgjigjën saktë patën mundësinë të bëhen pjesë e garës për të fituar një biletë për në Vjenë për udhëtimin e tyre të parë pa vizë. Kjo u sponsorizua dhe financua nga Qeveria dhe partnerët e saj. Gjithashtu, të gjithë pjesëmarrësve në kuiz iu dha një dhuratë, e cila ishte ose një bluzë, një çantë ose një kapele me logot e liberalizimit të vizave.

A mund të jepni një pasqyrë të qëllimeve dhe objektivave kryesore të fushatës?

Objektivi ynë kryesor ishte që të shfrytëzojmë pozitivisht muajt e fundit para fillimit të lëvizjes pa viza, të informojmë të gjithë qytetarët për përfitimet e liberalizimit të vizave, si dhe të shpjegojmë në tërësi se çka do të thotë liberalizimi i vizave dhe çka jo. Ne jemi ende duke punuar përmes platformave të ndryshme, për t’u siguruar që mesazhi të arrijë tek sa më shumë qytetarë, nga të gjitha komunitetet. 

Cilat strategji apo metoda specifike keni përdorur për të kontaktuar me qytetarët nëpër qytete të ndryshme në Kosovë?

Për të kontaktuar qytetarët në terren, kishim një ekip që vizitoi qytete dhe lokalitete dhe shpërndau fletëpalosje dhe broshura me informacion. Në rrjetet sociale, ishim gjithmonë aktivë në kanalet tona të faqes “Integrimi Evropian i Kosovës” në Facebook, Instagram, si dhe e kemi përditësuar ueb faqen tonë me informacione. Kemi qenë edhe nëpër televizione, jo vetëm duke iu përgjigjur me kohë pyetjeve të gazetarëve për liberalizimin e vizave, por edhe përmes intervistave. Materialet tona informative gjithashtu gjenden lehtësisht në lokacione strategjike, si në aeroport dhe së shpejti në çdo pikë kufitare, në Zyrat e Gjendjes Civile, ku mund të informohen personat që marrin pasaportën e Kosovës, si dhe në agjencitë e udhëtimit dhe lokacione të tjera.

Si u siguruat që informacioni për liberalizimin e vizave të arrijë tek grupe të ndryshme brenda popullësisë së Kosovës (gjinia, përkatësia etnike, mosha)?

Në terren jemi kujdesur që t’u afrohemi sa më shumë qytetarëve, pavarësisht gjinisë, moshës apo përkatësisë etnike. Liberalizimi i vizave është për të gjithë, dhe është për secilin person nga Kosova, kështu që ishte e rëndësishme për ne që t’u afroheshim të gjithëve. Fletëpalosjet dhe broshurat tona targetuan edhe komunitetet në gjuhët e tyre, si serbisht, rome, turqisht e kështu me radhë. Një gjë e rëndësishme për t’u theksuar është se ne bëmë maksimumin për ta mbajtur informacionin sa më të thjeshtë, për t’u ndihmuar njerëzve të marrin një mesazh të qartë në lidhje me rregullat e liberalizimit të vizave.

Cilat ishin sfidat me të cilat u përballët gjatë realizimit të kësaj fushate informuese? A keni arritur ta çoni në zona më të largëta/rurale?

Përveç qyteteve, vizituam edhe shumë lokalitete dhe zona rurale. Gjatë kohës në terren një nga vështirësitë me të cilat u përballëm ishin sigurisht ditët me shi, pasi jo shumë njerëz lëviznin nëpër qytete/lokacione. Një aspekt pozitiv u regjistrua kur morëm reagime pozitive në katër komunat në veri, ku u dëshmua interesim i madh për marrjen e informacionit për liberalizimin e vizave.

A mund të ndani ndonjë moment të paharrueshëm apo storje nga ndërveprimet që keni pasur me qytetarët gjatë fushatës?

Secili person që kam takuar gjatë kësaj periudhe e ka pasur një tregim personal për të rrëfyer për zhgënjimin në nivele të ndryshme përgjatë viteve dhe procesin e mosmarrjes së vizës. Mund ta vëreni qartë lehtësimin e tyre që më në fund mund të udhëtojnë lirshëm në Evropë për qëndrime të shkurtra. Mendoj se kjo është arritja më e jashtëzakonshme që kemi arritur dhe gjithashtu gjëja më e paharrueshme e kësaj fushate: të jemi në gjendje të ndikojmë pozitivisht në jetën e njerëzve.

Si i keni përdorur platformat e rrjeteve sociale ose teknologjinë në fushatë?

Platformat tona kryesore në rrjete sociale ishin Facebook dhe Instagram. Nëpërmjet postimeve të rregullta dhe të vazhdueshme, ne ndikuam pozitivisht në algoritmin e faqes sonë dhe gjithashtu sponsorizuam postime specifike për t’u siguruar që të arrihej një shtrirje e madhe.

Si e matët efektshmërinë dhe suksesin e kësaj fushate informuese në drejtim të informimit të qytetarëve për liberalizimin e vizave?

Të dhënat e siguruara përmes platformave tona të mediave sociale dhe gjithashtu të dhënat nga terreni për materialet e shpërndara dhe qytetarët që vizituan ekipin tonë në qytete dhe lokalitete, na dhanë një hartë të gjerë për të analizuar shtrirjen dhe më pas për të punuar për të targetuar grupe specifike.

A kishte ndonjë partneritet apo bashkëpunim që kontribuoi ndjeshëm në suksesin e fushatës?

Kishim shumë partnerë që dhanë kontribut të madh në fushatë, ndër të cilët vlen të përmenden Zyra e BE-së në Kosovë, GIZ-i dhe ambasadat e ndryshme, dhe mediat që luajtën një rol jetik në përhapjen e informacionit kyç për liberalizimin e vizave.

Cilat figura kyçe apo personalitete shtetërore morën pjesë në fushatë dhe si e ndihmoi kjo ndikimin e saj? 

Kur nisi zyrtarisht fushata, pjesë e aktivitetit ishte edhe kryeministri Kurti. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë gjithë fushatës ishte në lokacione të ndryshme për ta vizituar fushatën. Gjithashtu, përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorët e Gjermanisë, Francës, Italisë, Suedisë, Finlandës, ndër trupat e tjerë diplomatikë, na janë bashkuar në disa raste dhe i falënderojmë për kohën dhe kontributin e tyre në fushatë.