Tetor 15, 2024 | Tuesday
E themeluar në mars të vitit 2017, Qendra Burimore për Personat e Zhdukur (QBPZH) e kishte për mision t’u ndihmonte familjeve të personave të zhdukur në Kosovë duke koordinuar përpjekjet për të zbuluar fatin e të dashurve të tyre. Teksa 1,617 persona mbeten të pagjetur, QBPZH-ja është e përkushtuar t’u ndihmojë familjeve të tyre të kërkojnë përgjigje dhe të ndjekin drejtësinë.
Hapësira për dialog dhe bashkëpunim që ofron qendra, i bën bashkë përfaqësues nga shoqatat familjare të serbëve dhe shqiptarëve nga Kosova së bashku me grupet e tjera etnike. Kjo përpjekje kolektive synon të krijojë një platformë komunikimi dhe të inkurajojë pajtimin midis komuniteteve që ndajnë dhimbjen e humbjes së pazgjidhur.
Misioni themelor i QBPZH-së është të shërbejë në emër të familjeve të personave të zhdukur si përkujtesë e vazhdueshme për qeverinë për përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të tyre për ndriçimin e fatit të të gjithë personave të zhdukur në Kosovë dhe ndaj familjeve të të zhdukurve.
Bashkimi Evropian e ka mbështetur QBPZH-në në projekte dhe aktivitete të ndryshme që nga themelimi i saj, duke i ndihmuar në mënyrë të konsiderueshme që të shërbejnë si urë lidhëse midis familjeve të personave të zhdukur dhe si zëri i tyre në nivel politikbërës. Duke mbështetur iniciativa si QBPZH-ja, BE-ja dëshmon përkushtimin dhe mbështetjen e saj për familjet e të zhdukurve në kërkimin e tyre për përgjigje dhe drejtësi.
Gjatë këtyre viteve, falë mbështetjes së BE-së, QBPZH-ja ka arritur të krijojë një hapësirë të sigurt për dialog të hapur ndërmjet familjeve dhe institucioneve që punojnë për rastet e personave të zhdukur. Kjo platformë u lejon familjeve të shprehin shqetësimet e tyre, të bëjnë pyetje kritike dhe të marrin përgjigje.
Në një intervistë të dhënë në fillim të këtij viti për Shtëpinë e Evropës në Kosovë, Bekim Blakaj, fituesi i Çmimit Evropiani i Vitit për vitin 2024, e shprehu qartë nevojën për t’u përballur kolektivisht me të kaluarën tonë si një mënyrë për të ecur drejt një të ardhmeje më të mirë. Me përpjekjet e tyre të përditshme, Iniciativat si QBPZH-ja po kontribuojnë pikërisht për këtë qëllim dhe qëndrojnë si simbol i reziliencës, shpresës dhe pajtimit.