Teksa roli i HandiKOS-it dhe partnerëve të tjerë të projektit si akterë të fortë në shoqërinë civile të Kosovës, ishte forcimi i kapaciteteve të sektorit për aftësinë e kufizuar, duke avokuar për integrimin e aftësisë së kufizuar dhe promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara (PAK), roli i partnerëve finlandezë ishte ofrimi i këshillave teknike, ekspertizës dhe mbështetjes kolegiale për organizatat kosovare për personat me aftësi të kufizuara në fushat e demokracisë organizative, punës avokuese dhe qasshmërisë.
Projekti kishte për qëllim të ndikonte në çështjet e aftësisë së kufizuar në Kosovë me qëllim kryesor promovimin dhe kultivimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse. Për ta arritur këtë rezultat, ndër të tjera, ishte e rëndësishme që të sigurohej disponueshmëria e të dhënave për çështjet e aftësisë së kufizuar, të cilat do të ishin të dobishme për institucionet publike dhe OPAK-të për t’i përdorur për planifikimin, monitorimin dhe përfshirjen e nismave specifike për aftësinë e kufizuar.
Përgjatë pesë viteve të zbatimit, projekti ka punuar në tri fusha kryesore: hartëzimin e gjendjes së personave me aftësi të kufizuara në Kosovë; aktivitetet e avokimit me palët përkatëse publike të interesit, dhe aktivitetet ndërmjet kolegëve që punojnë drejtpërdrejt me personat me aftësi të kufizuara.
Raport Hulumtues “
Ku qëndron Kosova?”
Duke u nisur nga mungesa e të dhënave të besueshme dhe të përditësuara për legjislacionin aktual që promovon dhe mbron të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, veprimi i parë i projektit ishte zbatimi i një studimi hulumtues për të parë se ku qëndron Kosova në raport me standardet ndërkombëtare për çështjet e aftësisë së kufizuar, Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, si dhe me Acquis Communitaire të Bashkimit Evropian, në fushat përkatëse.
Studimi hulumtues shqyrtoi standardet ndërkombëtare për aftësitë e kufizuara të kodifikuara në konventat dhe aktet ligjore përkatëse përmes kategorive të mëposhtme: 1. E drejta për jetë dhe drejtësi, 2. Pavarësia, privatësia, familja dhe jeta në komunitet, 3. Qasshmëria, 4. Arsimi, 5. Liria, mbrojtja nga tortura, integriteti dhe lëvizshmëria, 6. Barazia, mosdiskriminimi (gratë dhe fëmijë), 7. Shëndeti, 8. Punësimi dhe kujdesi social, 9. Pjesëmarrja publike, 10. Statistikat dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
Gjetjet e hulumtimit treguan se më pak se një e treta (30.72%) e obligimeve (standardeve) të vlerësuara ndërkombëtare për aftësitë a kufizuara janë plotësisht të përfshira në legjislacionin e Kosovës. Pjesa e mbetur e obligimeve përbëhet nga kategoria që vlerësohet e adresuar pjesërisht (50.00%) dhe kategoria e standardeve që mungojnë (19.28%). Qasshmëria mbetet kategoria më sfiduese, me vetëm 6.77% të standardeve të përfshira plotësisht në legjislacion. Për pjesëmarrjen publike, statistikat dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, u konstatua se standardet mungonin në nivel 60% deri në 100%. Duhet theksuar se në përgjithësi, shumica e obligimeve (standardeve) vlerësohen si “Pjesërisht të adresuara” (50%). Kjo do të thotë se gjysma e standardeve të vlerësuara, edhe pse janë pjesë e legjislacionit të Kosovës, nuk arrijnë t’i përfshijnë plotësisht standardet përkatëse, duke ua penguar kështu personat me aftësi të kufizuara që t’i gëzojnë dhe t’i ushtrojnë plotësisht të drejtat përkatëse.
Me qëllim të avokimit për ndërhyrje urgjente, Gjetjet e hulumtimit të botuar me titullin “Ku qëndron Kosova?” iu prezantuan Qeverisë së Kosovës dhe palëve të tjera relevante të interesit në Konferencën vjetore të organizuar më 3 dhjetor 2019. Gjetjet e hulumtimit u përdorën gjatë zbatimit të projektit për të avokuar për kushte më të mira për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë.