Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër në Kosovë, “DokuFest”, i cili këtë vit kremtoi 25-vjetorin, shpërfaqet si një nga rrëfimet më të mira në fushën e kulturës, me të cilën krenohen Prizreni dhe Kosova.
Bashkimi Evropian në Kosovë është partner i kahershëm i “DokuFest”, duke kontribuar në fuqizimin e misionit të tij për të sjellë filmbërësit më të mirë në Kosovë, për të lehtësuar shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe për të nxitur rrjetëzimin dhe promovuar diversitetin kulturor, shprehjen artistike dhe rritjen e ekonomisë lokale.
Këtë gusht, mbështetja e BE-së vazhdoi gjatë gjithë edicionit të 25-të, me fokus në “Human Rights Dox”.
Kinemaja “Lumbardhi”, më e vjetra në Prizren, ishte sërish një nga pikëtakimet kryesore të festivalit. Kjo kinema historike, restaurimi i së cilës është mbështetur nga Bashkimi Evropian, mirëpriti gjatë festivalit publikun nga Kosova dhe nga mbarë bota.
“Human Rights Dox” sjell rrëfime të fuqishme në “DokuFest”
Nga 7 deri më 15 gusht, 104 filma garuan në tetë programe të “DokuFest”. Për drejtorin artistik të “DokuFest”, Veton Nurkollari, “Human Rights Dox” ka qenë prej kohësh një nga programet kryesore të festivalit.
“Ne përpiqemi shumë të gjejmë filma nga e gjithë bota që flasin për të drejtat e njeriut, sepse këto janë të drejta universale. Rëndësinë e kësaj e kemi kuptuar herët, ndërsa fakti që Bashkimi Evropian është me ne për ta mbështetur një kategori për të cilën jemi shumë krenarë është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha Nurkollari.
Olivier Boudart, udhëheqës i ekipit të Seksionit të Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, tha se mbështetja e këtij viti për garën “Human Rights Dox” është vazhdim i marrëdhënies së kahershme me “DokuFest” dhe se ka krijuar hapësirë për storje të fuqishme, dialog të hapur dhe perspektiva të ndryshme.
“Këtë vit jemi veçanërisht krenarë që mbështesim garën ‘Human Rights Dox’, e cila sjell në vëmendje histori që kanë në qendër dinjitetin njerëzor, lirinë, barazinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, vlera këto themelore për Bashkimin Evropian”, tha Boudart.
The Clearing: film që sjell në ekran një histori të mbajtur në heshtje
The Clearing, me regji nga Sabine Groenewegen, ishte filmi fitues i garës “Human Rights Dox”. Ky film shpërfaq një kapitull të heshtur të historisë koloniale holandeze, atë të shfrytëzimit dhe skllavërimit sistematik seksual të grave në Sumatra, Indonezi.
Teksa nëpërmjet tij shtjellohet periudha e zgjerimit të plantacioneve të gomës në Sumatra, në fillim të shekullit të 20-të, filmi flet për kushtet në të cilat jetonin punëtorët, si dhe shfrytëzimin e grave në Sumatra nga sistemi kolonial. Përmes pamjeve arkivore, Groenewegen i rikthen në vëmendje këto përvoja.
Filmi tregon si u heshtën ose u fshinë këto histori me kalimin e kohës, duke ngritur pyetje që vazhdojnë edhe sot rreth kujtesës, njohjes, trashëgimisë dhe kontestimit.
“DokuFest” përtej kinemasë
Me moton e sivjetshme “Doku, sepse duhet!”, edicioni i 25-të i “DokuFest” shkoi përtej shfaqjeve të filmave, me “DokuTalks”, “DokuNights”, programe speciale dhe “DokuKids”, ku të vegjlit shikuan filma dhe morën pjesë në punëtori kreative. Disa filma patën premierat e tyre botërore, ndërkombëtare ose evropiane në Prizren.
Për vizitorët, “DokuFest” ishte një mundësi për të zbuluar filma që ndoshta nuk do t'i hasnin diku tjetër dhe për t’i përjetuar në një qytet që bëhet pjesë e vetë festivalit.
Charles, që vinte nga Franca, e vizitonte për herë të parë festivalin.
“Është një festival shumë i qasshëm, miqësor, me atmosferë të relaksuar, ku mund të shohësh filma dhe gjëra vërtet të shkëlqyera, që mendoj se nuk do të shfaqeshin diku tjetër”, tha ai.
Samantha, vizitore nga Los Angeles, tha se kthimi në “DokuFest” sjell gjithmonë diçka të re.
“Nga çdo film marr diçka me vete”, tha ajo.
Mbështetja e vazhdueshme e BE-së për “DokuFestin” është pjesë e mbështetjes më të gjerë të saj për kulturën dhe sektorët kreativë në Kosovë. Si partneri më i fuqishëm i Kosovës dhe mbështetësi më i madh financiar, me më shumë se 3.7 miliardë euro të investuara që nga viti 1999, Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë zhvillimin demokratik, të drejtat e njeriut dhe kulturën në Kosovë.