Mars 29, 2022 | Tuesday
Deri në vitin 2050, popullsisë së Tokës pritet të i shtohen edhe dy miliardë njerëz. Teksa kërkesa për ushqim do të rritet për më shumë se 60%, praktikat e sotme bujqësore nuk munden të i përgjigjen nevojës për rritjen e prodhimit të ushqimit për ta ushqyer të gjithë popullsinë. Kapacitetet e prodhimit ushqimor duhet të përmirësohen kudo, por jo në dëmtim të mjedisit.
Bujqësia është nxitëse e rëndësishme e rritjes ekonomike të Kosovës, mirëpo shumica e tokave bujqësore janë të vogla (më pak se 5 hektarë) dhe bujqësia përmbush kryesisht qëllime mbijetese. Përveç kufizimit të përmasave të vogla të fermave, produktiviteti bujqësor në Kosovë ballafaqohet me sfida të shumta të tjera, siç janë teknologjia e vjetëruar, mungesa e shërbimeve këshillimore, dhe pamundësia për të eksportuar produkte të caktuara bujqësore (p.sh. ushqime me origjinë shtazore).
Qëllimi kryesor i shumicës së fermerëve të vegjël është përmirësimi i rendimenteve dhe rritja e të hyrave bujqësore. Fatkeqësisht, shumë nga fermerët në Kosovë përballen me prodhim joefikas të kulturave dhe blegtorisë, çka i kufizon të hyrat e tyre. Këto vështirësi shkaktohen kryesisht nga mungesa e qasjes në material gjenetik modern (fara të bimëve dhe raca të përmirësuara të bagëtive) dhe informacion teknik modern që do të ju ndihmonte fermerëve të kultivojnë me metoda bujqësore më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, çka do të i përmirësonte rendimentet duke e ruajtur (nëse mos duke e përmirësuar) produktivitetin e burimit të tyre natyror më të rëndësishëm – tokës.
Për shkak të përmasave të vogla të fermave në Kosovë, është shumë e rëndësishme që të adoptohen metoda të bujqësisë së qëndrueshme (p.sh. çarkullimi bimor, kulturat mbulesë, shiritat mbrojtës, menaxhimi i integruar i dëmtuesve) që inkurajojnë përmirësimin e kualitetit të tokës dhe mbrojtjen e burimeve natyrore. Kjo do të zvogëlojë nevojat e fermerëve për inpute dhe rrjedhimisht kostot e prodhimit për fermerët. Ujitja pikë-pikë, për shembull, përdoret rrallë në Kosovë, megjithatë është një teknikë shumë efikase për ruajtjen e ujit dhe që duhet të praktikohet më shumë. Çarkullimi bimor (mbjellja e llojeve të ndryshme të kulturave në të njëjtën parcelë toke me kalimin e kohës për ta ushqyer tokën) është një praktikë tjetër që duhet të adoptohet më gjerësisht. Fermerët duhet ta kuptojnë se varfërimi i lëndëve ushqyese të tokës bujqësore do të i dëmtojë ata ekonomikisht për shkak të dëmit që i bëhet tokës.
Ka procedura/teknika të ndryshme që bien nën përkufizimin e metodave të “bujqësisë së qëndrueshme”. Është e rëndësishme të theksohet se bujqësia e qëndrueshme nënkupton një sistem dinamik që integron nivele të ndryshme prodhimi, kështu që reduktimi i përdorimit të pesticideve, për shembull, nuk do të thotë se një fermer po prodhon në mënyrë të qëndrueshme. Kosova duhet të miratojë politika dhe mënyra te cilat nxisin fermerët të praktikojnë metoda të qëndrueshme dhe që në këtë proces i ruajnë burimet tona natyrore, përmirësojnë të hyrat rurale, si dhe rrisin sigurinë kombëtare të ushqimit. Duke promovuar zhvillimin ekonomik rural, nxjerrim shumë familje nga varfëria, si dhe promovojmë barazinë etnike dhe gjinore dhe qëndrueshmërinë ekonomike afatgjatë të vendit tonë.
Shkruan: Albulena Basha, MS në Ekonomi dhe Bujqësi të Qëndrueshme Universiteti Shtetëror i Iowa-s