Prill 10, 2018 | Tuesday

Diskutim në panel: Menaxhimi i orkestrave dhe fondet shtetërore për këto orkestra dhe formacione muzikore

Të enjten e 29 marsit, EUICC bashkë me Festivalin DAM mirëpritën tre profesionistë në një panel i cili i parapriu hapjes së këtij festivali në Prishtinë.

Në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë, Momchill Georgiev – Sekretar Gjeneral i Asociacionit të të Punësuarve në Kulturë nga Sofja, Paul McEwen – Drejtor i “West Coast Symphony Orchestra” nga Kanadaja dhe Baki Jashari – Drejtor i Filarmonisë së Kosovës, u bashkuan në një diskutim rreth orkestrave dhe simfonive, kushteve në të cilat ato veprojnë në kontekste të ndryshme dhe ndihmës që ato marrin ose duhet të marrin nga shteti dhe fondet tjera nga donatorët.

29745346_1840060646056548_599798381_n

Moderuar nga Dardan Selimaj, diskutimi nisi me prezantimin e gjendjes së orkestrave në Bullgari, në Kosovë e në Kanada.

Georgiev e nisi këtë debat duke e analizuar skenën kulturore në Bullgari, duke treguar kësisoj se kultura është deri në një pikë e centralizuar vetëm në Sofje, në kryeqytet. Ishte viti 1999 kur nisi themelimi i orkestrave në qytetet tjera kryesore në Bullgari, si në Varna, Plovdiv e Rousse.

Duke përmendur se ekziston një kulturë e orkestrave në këtë shtet, ai përmendi problemet kryesore nëpër të cilat kalojnë orkestrat bullgare.

“Ka pagesa jashtëzakonisht të vogla për muzikantët dhe pjesëtarët e këtyre orkestrave, e gjithashtu ka një interesim të vogël për disa instrumente, si shembull oboja apo tromboni. Izolimi i produktit artistik poashtu është problem, sepse një pjesë e muzikantëve nuk mund të bëjnë turne brenda shtetit, por largohen ndonjëherë edhe përgjithmonë jashtë shtetit që të zgjerojnë kështu punën e tyre” tregon Georgiev.

IMG_8649

McEwen i tregoi audiencës në EUICC se “West Coast Symphony Orchestra” kërkon donacione edhe prej shikuesve të saj. Sistemi i orkestrave në Kanadë ndryshon, duke i shtuar këtu edhe donacionet që vijnë nga shteti.

“Nëse dëshiron të holla dhe mbështetje prej qeverisë apo korporatave biznesore, duhet të tregosh sa je i rëndësishëm. Duhet të tregosh kualitet që ata të shohin sa je relevant në komunitetin tënd. Mbi të gjitha, ne në Kanadë presim paratë e qeverisë dhe pa atë mbështetje gjërat do të ishin krejt ndryshe” tregoi McEëen gjatë këtij diskutimi.

29750290_1840059759389970_181680315_n

Baki Jashari nga Filarmonia e Kosovës tregoi problemet me të cilat ballafaqohet kjo Filarmoni dhe në përgjithësi sektori i muzikës klasike në Kosovë. Sipas tij, presioni për të ndihmuar orkestrat ekzistuese duhet të vije nga poshtë, nga shoqëria civile dhe vetë muzikantët. Ai foli në diskutim edhe për rrogat të cilat i marrin muzikantët të cilat variojnë nga 300-400 euro dhe janë të pamjaftueshme për një jetë bazike.

Pas këtij diskutimi, një koktej rasti u mbajt në EUICC. EUICC vazhdon kësisoj të jetë mbështetëse e fuqishme e ngjarjeve të tilla kulturore ku promovohet arti e kultura dhe nxiten debate rreth përmirësimit të kushteve në fusha të ndryshme artistike.