Prill 12, 2021 | Monday
Të dashur miq dhe partnerë, kolegë evropianë,
Para pesë vitesh, Marrëveshja e Stabilizim Asocimit BE-Kosovë hyri në fuqi. Kur u nënshkrua, u vlerësua si moment historik për Kosovën dhe rajonin. Ajo e krijoi një kornizë kontraktuale për thellimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve BE-Kosovë dhe ia mundësojë Kosovës që të bashkohej me pjesën tjetër të rajonit në ndarjen e dobive nga thellimi i ndërvarësisë politike dhe ekonomike. Ajo është po ashtu gurthemel drejt një qëllimi që është përcaktuar në vitin 2003 në Selanik dhe perspektivë e qartë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.
Marrëveshja ndihmon në krijimin e një kornize ligjore stabile dhe përafrimin gradual me ligjet dhe standardet e BE-së. Ajo e zgjeron dhe ankoron dialogun strukturor politik dhe të politikave që përfshijnë gjithçka, nga mjedisi dhe shërbimet financiare e deri te arsimi. Këta mekanizma institucionalë të MSA-së u japin prioritet reformave, i formësojnë ato sipas praktikës më të mirë të BE-së, ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve dhe e sigurojnë një kornizë të përshtatshme për dialog politik dhe udhëzime për monitorimin dhe zbatimin e MSA-së.
MSA-ja, me 598 faqe, X tituj, 7 anekse dhe 5 protokolle, është marrëveshje gjithëpërfshirëse e tregtisë së lirë, por është edhe shumë më shumë. Këto faqe përmbajnë instrumente konkrete për ta përmirësuar më tej ekonominë, për të krijuar vende të punës, për ta luftuar korrupsionin, për ta forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe për ta shtuar stabilitetin politik dhe institucional. Kjo është ajo që e bën atë moment historik, një kuti për t’u shënjuar drejt qëllimit përfundimtar të anëtarësimit në BE. Ajo është baza e procesit të integrimit evropian të Kosovës. Ajo e krijon planin për t’i liberalizuar dhe zgjeruar mundësitë për tregti dhe investime me të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe e ankoron qeverisjen e mirë dhe respektin për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në marrëdhëniet tona të përbashkëta.
Për bizneset kosovare, kjo do të thotë se tregu i BE-së me 440 milionë konsumatorë është i hapur që ata t’i eksportojnë produktet e tyre, si dhe më shumë zgjedhje dhe çmime më të ulëta për kosovarët dhe këdo që e viziton këtë cep të kontinentit tonë. Në anën tjetër, bizneset e Kosovës po gjejnë gjithnjë e më shumë terren në tregun më të gjerë evropian. Eksporti po rritet.
Megjithatë, vetë MSA-ja nuk ia “jep” këto gjëra Kosovës. MSA-ja është çfarë ju krijoni nga ajo. Është që Kosova t’i shfrytëzojë mundësitë që i ofron kjo marrëveshje, për ta siguruar besimin e investitorëve evropianë në stabilitetin dhe besueshmërinë e Kosovës si vend i mundësive për investim dhe treg. Është e rëndësishme që të përcaktohen politikat ekonomike, garancitë e sundimit të ligjit dhe standardet e nevojshme për tërheqjen e investimeve dhe ngritjen e cilësisë së produkteve vendore për të qenë konkurruese në tregun unik të BE-së.
Për t’u dhënë përparësi reformave të pritura si pjesë e zbatimit të MSA-së, Kosova dhe BE-ja në vitin 2016 e kanë krijuar procesin e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA). Që atëherë, ERA është bërë mjeti udhëzues kryesor për institucionet e Kosovës për reformat që ndërlidhen me BE-në. Në tetor të vitit të kaluar, BE-ja dhe Kosova e lansuan fazën e dytë të agjendës, e cila fokusohet në qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, në konkurrencën, investimet dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe sektorët kryesorë të punësimit, arsimit dhe shëndetësisë. Çfarë është e rëndësishme, ERA gjithmonë është konceptuar si agjendë që gëzon mbështetje të gjerë ndërpartiake në Kosovë, pasi që ka të bëjë me objektivin strategjik të Kosovës për integrim në BE. Ne e inkurajojmë qeverinë e re që ta marrë këtë proces në pronësi të saj dhe ta përdorë si mjet të fuqishëm për t’i avancuar reformat, të cilat janë në interes të qytetarëve të Kosovës.
Përpjekjet e vendosura vazhdojnë të jenë të nevojshme për të siguruar që Kosova të mbetet në rrugën e duhur drejt përmbushjes së zotimeve të MSA-së, meqë afatet për të cilat është rënë dakord në këtë marrëveshje po afrohen shpejt. Kjo i përfshin fushat siç janë të drejtat e pronësisë intelektuale, duke përfshirë mbrojtjen e treguesve gjeografikë, konkurrencën, të drejtën e themelimit dhe lirinë e ofrimit të shërbimeve, e cila i garanton të drejtat e bizneseve për t’u themeluar në territorin e Kosovës dhe për të bërë tregti sipas kushteve të njëjta me bizneset dhe individët vendas, përfshirë kur kemi të bëjmë me pronësinë mbi pronat e paluajtshme.
Sundimi i ligjit është në thelb të MSA-së dhe ne e dimë se kjo përbën njërën nga sfidat më të mëdha për Kosovën dhe rajonin. Çështje mbesin pavarësia e gjyqësorit, korrupsioni dhe krimi i organizuar, uzurpimi i pronave dhe mungesa e transparencës së disa proceseve vendimmarrëse ekonomike dhe rregullatore. Është e domosdoshme që investitorëve në ekonominë, bizneset dhe infrastrukturën e Kosovës t’u ofrohet mbrojtja e duhur nga elementet korrozive të korrupsionit.
Ndër zotimet që janë marrë në kuadër të MSA-së është edhe zotimi për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Dialogu me Beogradin, i lehtësuar nga BE-ja, mbetet procesi më i rëndësishëm politik në rajon, e cili e synon një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve. Ai ka prodhuar rezultate të mira për Kosovën, përfshirë për shembull mundësimin e qarkullimit të lirë të mallrave dhe njerëzve, pjesëmarrjen në forume rajonale, forcimin e institucioneve të sundimit të ligjit dhe mbledhjen e të ardhurave nga dogana.
Procesi i integrimit në BE nuk është i lehtë, është i vështirë nganjëherë, por përpjekja ia vlen dhe është vërtetë transformuese. Sa më shumë që Kosova ta zbatojë MSA-në, aq më afër do të jenë standardet e saj me ato në shtetet anëtare të BE-së dhe aq më shumë do të përfitojë Kosova. Për Kosovën, suksesi në zbatimin e MSA-së e afron Kosovën me BE-në, duke e ndarë perspektivën e përbashkët evropiane e cila paqen, stabilitetin dhe prosperitetin i bën qëllime tona të përbashkëta.
Tash që ishim dëshmitarë të një bartjeje tjetër paqësore të pushtetit midis rivalëve politikë, Kosova po tregohet më e pjekur se para pesë viteve. Është koha që kjo të mos shkojë kot. BE-ja mbetet partneri pranë jush.
Ambasadori Tomas Szunyog
Shef i Zyrës së BE-së dhe Përfaqësues Special i BE-së për Kosovën