Janar 31, 2014 | Friday

Evropa është shëndet

Shëndeti i qytetarëve është dhe do të jetë një prioritet thelbësor i BE-së. Politika shëndetësore e BE-së plotëson politikat kombëtare për të siguruar që secili që jeton në BE ka qasje në kujdes shëndetësor cilësor. Disa nga objektivat themelore të politikës shëndetësore të BE-së kanë të bëjnë me parandalimin e sëmundjeve, promovimin e mënyrës më të shëndetshme të jetesës, promovimin e mirëqenies, mbrojtjen e qytetarëve nga kërcënimet shëndetësore ndër-kufitare, përmirësimin e qasjes në kujdesin shëndetësor, promovimin e informatave dhe edukimit për shëndet, përmirësimin e sigurisë së pacientit, mbështetjen e sistemeve shëndetësore dinamike dhe teknologjive të reja si dhe sigurimin e cilësisë së lartë, sigurisë dhe efikasitetit të produkteve mjekësore dhe pajisjeve për përdorim mjekësor etj.

Roli qenësor i shëndetit dhe kujdesit shëndetësor është paraparë edhe si pjesë e kornizës së politikave Evropa 2020. Kjo kornizë mundëson ndërlidhjen midis politikave evropiane për shëndetësi dhe reformave të sistemit shëndetësor në kontekstin evropian. Investimi në shëndetësi ndihmon BE-në që të përballet me sfidat e identifikuara në Strategjinë e saj për Shëndetësi pas valës së parë të krizës ekonomike: një popullsi e vjetër, një rritje e numrit të sëmundjeve kronike, një kërkesë më e madhe për kujdes shëndetësor dhe kosto më e lartë e progresit teknologjik.

Shtrirja e veprimit të BE-së në politikat shëndetësore është e definuar qartë në Nenin 168 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian. Ky Traktat po ashtu e bën të qartë se BE-ja do të respektojë plotësisht përgjegjësinë e secilit shtet anëtar për të përcaktuar politikat e tyre në shëndetësi, për të organizuar dhe ofruar shërbime dhe kujdes mjekësor, duke përfshirë çdo burim që u caktohet atyre.

Ekzistojnë tregues që dëshmojnë se nivelet mesatare të shëndetësisë janë përmirësuar nëpër BE për shumë vjet. Mirëpo, kjo fsheh pabarazitë e mëdha. Personat më të varfër dhe ata të pafavorizuar vdesin më herët dhe vuajnë më shumë nga aftësitë e kufizuara dhe sëmundjet. Prandaj, BE-ja ka zhvilluar më tej investimet e saj për shëndetësi duke i ka drejtuar ato veçanërisht në seksionet vijuese:

  1. Investimi në sisteme të qëndrueshme shëndetësore ndërthur reformat që kanë për qëllim përmirësimin e caqeve konsoliduese fiskale, kosto efektive dhe bashkërenduese, me ofrimin e vazhdueshëm të niveleve të mjaftueshme të shërbimeve publike.
  2. Investimi në shëndetin e qytetarëve si kapital njerëzor ndihmon në përmirësimin e shëndetit të popullsisë në përgjithësi dhe fuqizon punësimin, duke krijuar kështu politika aktive, më efektive, të punësimit, duke ndihmuar në jetesë të përshtatshme dhe duke kontribuuar në rritje.
  3. Investimi në zvogëlimin e pabarazisë shëndetësore kontribuon në kohezionin social dhe thyen spiralen e gabueshme të shëndetit të dobët që kontribuon në varfëri dhe përjashtim, dhe që rezulton nga këto dy të fundit.
  4. Investimi në shëndetësi përmes mbështetjes së duhur nga fondet e BE-së.

Përfundimisht, programi shëndetësor i BE-së dhe programi i kornizës hulumtuese mbështet një numër projektesh për zvogëlimin dhe parandalimin e shëndoshjes së tepërt. Vlerësohet se diku rreth 200 milionë të rritur në BE janë mbi peshë ose me shëndoshje të tepërt— më shumë se gjysma e popullsisë madhore. Një në katër fëmijë është po ashtu me mbi peshë ose tejet i shëndoshë. Shëndoshja e tepërt shpie në probleme serioze fizike dhe mendore, përfshirë këtu sëmundjen e zemrës, diabetin, kancerin dhe çrrregullimin psikologjik. Përpjekjet e tjera përfshijnë prezantimin e rregullave të gjera të BE-së për etiketimin e ushqimit, që nënkupton se konsumatorët në të gjitha vendet e BE-së mund të mbështeten në etiketa të ushqimit, të cilat ofrojnë informacione të sakta për vlerat shëndetësore dhe ushqyese.

Rritja e qasjes në informata është një pjesë vitale e përpjekjeve të BE-së për të promovuar shëndetin e mirë dhe për të ndaluar pabarazinë në shëndetësi. Uebfaqja e “Shëndetit publik” e Komisionit Evropian thekson punën e Komisionit Evropian në fushën e shëndetit publik dhe ofron materiale informative, dokumente ligjore, video, informata për ngjarje, statistika dhe lajme për shëndetin në Evropë.