Prill 15, 2024 | Monday

Më shumë se 150 nxënës të shkollave fillore përfitojnë nga aktivitetet e kampanjës #PërEnergjitëMirë

Aktivitetet informuese në shkolla ishin pjesë e fushatës #PërEnergjitëMirë. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve u synua ndërgjegjësimi për mbrojtjen e mjedisit, të ardhmen e gjelbër dhe energjinë e rinovueshme duke u angazhuar në aktivitete argëtuese dhe informuese me nxënësit e klasave të treta të shkollave fillore. Ligjëratat e shkurtra mbi energjinë e gjelbër nga ekspertët e fushës u pasuan nga lojë e quajtur ‘Green Energy Bingo’, që kishte për synim t’u mësojë atyre parimet e energjisë së gjelbër përmes aktiviteteve argëtuese.

Gjatë periudhës dyvjeçare, më shumë se 150 nxënës të shkollave fillore përfituan nga aktivitete informuese që u mbajtën në shkollat fillore dhe në qendrat në Prishtinë (shkolla “Naim Frashëri”), Fushë Kosovë (Balkan SunFlowers); Obiliq (shkolla “Ibrahim Rugova”); Novobërdë (shkolla “Minatori”); fshati Gllamnik në Podujevë (shkolla “Kongresi i Manastirit”) dhe në shkollën “Finlandeze” në Prishtinë.

Në Novobërdë, fëmijët diskutuan për parimet e energjisë së gjelbër në bisedë me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog. 

Përgjatë këtij viti, kampanja #PërEnergjitëMirë do të zgjerohet dhe do të prekë më shumë tema të cilat lidhen me ambientin e mirë.