Tetor 1, 2021 | Friday

Të rinjtë në agrobiznes me mundësi të shumta për fermerët e rinj të Kosovës

Historikisht, rajoni i Kosovës lindore është i njohur për prodhimin e pemëve, perimeve dhe agro-produkteve të tjera. Megjithatë, për shkak të mungesës së mbështetjes financiare dhe çfarëdo mbështetjeje tjetër institucionale, kishte një interes të ulët mes të rinjve për t’u bërë pjesë e sektorit agro-ekonomik. Përmes zbatimit të projektit “Të rinjtë në agrobiznes – Rajoni Lindje” i cili është financuar nga Bashkimi Evropian, menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatuar nga Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Komunat e Rajonit Lindor, është rritur interesimi i të rinjve për të hyrë në sektorin e bujqësisë.

Ilija Arsiq është fermer 26 vjeçar nga fshati Shillovë në Komunën e Gjilanit, me një traditë të gjatë familjare në bujqësi. Për të zhvilluar biznesin e tij.

Ilija ka përfituar nga projekti duke marrë një kositës, shpërndarës plehu, spërkatës dhe pajisje të tjera bujqësore. “Mbështetja që kam marrë nga projekti është e madhe, sepse kam përfituar makineritë që do të më mundësojnë të rris produktivitetin. Falë mbështetjes që mora, arrita të punësoj një punëtor tjetër,” thotë Ilija Arsiq.

Jetesa e shëndetshme po rrit konsumin e pemëve dhe perimeve çdo ditë e më shumë. Ermira Bajrami , një fermere e re dhe shumë premtuese nga Ferizaji, ka vendosur të investojë në kultivimin e pemëve dhe perimeve, dhe të hapë një biznes për përpunimin e pemëve.

Për të mbështetur përpjekjet e saj, projekti “Të rinjtë në agrobiznes” i ka mundësuar Ermirës të zgjerojë objektin e saj të përpunimit të pemëve dhe të blejë makineri për tharjen e tyre. Falë mbështetjes së marrë, ajo tani mund ta rrisë prodhimin dhe të rrisë pjesëmarrjen në treg.

Ndërkohë, Lindita Ibishi nga fshati Dobërqan në Komunën e Gjilanit, e ka pasion rritjen dhe mbarështimin e pulave. Ajo e ktheu pasionin e saj në biznes duke hapur një pulari.

Për ta rritur biznesin e saj, projekti “Të rinjtë në agrobiznes” e mbështeti duke e rinovuar objektin, duke blerë inkubatorë, ngrirës dhe pajisje të tjera. Lindita ndoqi edhe trajnimet për zhvillimin e planit të biznesit dhe kthimin e investimit që ishin pjesë e projektit.

Këta janë vetëm disa nga përfituesit që morën mbështetje nga projekti. Sipas menaxheres së projektit, Ermelinda Haziri, gjatë një periudhe 30 mujore, projekti i financuar nga BE-ja trajnoi 104 të rinj për kthimin e investimeve në bujqësi, 100 të rinj për zhvillimin e planit të biznesit, 50 të rinj për bujqësi (prodhimi në serrë dhe puna me fidanë), 46 të rinj për përpunimin e produkteve dhe 107 të rinj për TIK. Më tej ajo shton se 102 të rinj ishin pjesë e programit të praktikës në agrobizneset e Rajonit Lindor, ndërsa 7 biznese ekzistuese dhe 37 biznese fillestare të krijuara nga të rinjtë kanë përfituar mbështetje financiare nga projekti dhe tani kanë bizneset e tyre dhe gjenerojnë të ardhura prej tyre. Gjithsej, përmes zbatimit të projektit janë punësuar 100 persona, 40% e të cilëve janë gra, thotë Haziri. 

Projekti përfundoi në shkurt 2021, por qëndrueshmëria dhe jetëgjatësia e tij janë siguruar me krijimin e “Inkubatorit të Agrobizneseve- Rajoni Lindje”, i cili shërben si një zyrë ku fermerët mund të drejtohen për nevojat dhe shqetësimet e tyre, por edhe për trajnime të mëtejshme për ata që janë të interesuar në sektorin e agrobiznesit. Inkubatori aktualisht po zbaton një projekt tjetër, pjesë e të cilit janë trajnime dhe praktika për të rinjtë në sektorin e agrobiznesit.