Qershor 23, 2023 | Friday

Flutura Balaj: duke ndërthurë aktivizmin, artin dhe shkencën

E lindur dhe e rritur në Istog, një qytet i vogël në Kosovë, Flutura Balaj ka sfiduar dhe ka vënë në pikëpyetje kufizimet e vendosura nga rolet tradicionale gjinore për aq kohë sa mund të kujtohet. Me origjinë nga një rajon ku mbizotërojnë normat patriarkale dhe ku diskutimet feministe janë të kufizuara, Flutura ka përvojë të drejtpërdrejtë të shtypjes me të cilën përballen gratë dhe vajzat, e cila është e rrënjosur në qëndrimet e normalizuara dhe gjuhën e përditshme.

Duke u rritur, ajo hasi fraza si “Ishalla t’lind djalë” dhe “Ai osht djalë, osht ma ndryshe”, të cilat fillimisht dukeshin si shaka të padëmshme. Ajo shpejt e kuptoi rrezikun themelor të besimeve të tilla, pasi ato përjetësojnë stereotipe të dëmshme gjinore dhe kontribuojnë në diskriminimin dhe dhunën ndaj grave.

Ishte veçanërisht familja e saj që hapi rrugën për ndërgjegjësimin dhe vëzhgimet e saja feministe, duke nxitur aspiratat dhe duke e inkurajuar atë të ketë ëndërra të mëdha që në moshë të re. Në diskutimet e tyre familjare, ata kurrë nuk aluduan për kufizimet që ajo mund të hasë për shkak të gjinisë së saj. Vendosmëria këmbëngulëse e nënës së saj për të luftuar padrejtësitë gjinore në rrethinat e saja e ka shtyrë Fluturën në një udhëtim të avokimit për edukimin e vajzave të vogla në të njëjtën mënyrë si ajo u rrit.

Pasi përfundoi arsimin fillor në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” dhe duke vazhduar studimet në American School of Kosova si bursiste për tre vjet, Flutura vazhdoi studimet e saja për Fizikë, Tokë dhe Shkenca të Mjedisit (Physics, Earth and Environmental Sciences) si bursiste në Universitetin Jacobs të Bremenit. Aktualisht ajo është në prag të përfundimit të masterit për Astrofizikë dhe Kozmologji (Astrophysics and Cosmology) në Universitetin e Padovës. Planet e saja të ardhshme përfshijnë ndjekjen e doktoraturës në Evropë, duke u fokusuar në studimin e ekzoplaneteve ose objekteve kompakte si vrimat e zeza dhe yjet neutrone.

Megjithatë, angazhimi i Fluturës në skenën artistike të Prishtinës ka qenë po aq ndikues sa edhe kërkimet e saja shkencore. Që në moshën 16-vjeçare, ajo filloi të magjepste audiencën me performanca të poezisë duke përdorur zërin e saj për të hedhur dritë mbi çështjet që lidhen me gjininë. Angazhimi i saj në botën e realizimit të filmave dokumentarë në kuadër të Dokufestit i ka lejuar asaj të krijoj filmin e saj të parë dokumentar “Shtojzovalle”, duke eksploruar fuqinë dhe qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të vajzave dhe grave në Kosovë. Përmes dokumentarit të saj, ajo dëshmoi fuqinë transformuese të artit në ndryshimin e këndvështrimeve dhe rrënjosjen e vetëbesimit tek ata që janë ndjerë të margjinalizuar.

Meqenëse koha e saj në Kosovë është shumë e kufizuar, ajo nuk mund të jetë pjesë e aktiviteteve për të drejtat e grave ashtu siç do të dëshironte. Ajo ende bën të pamundurën që të përfshihet në avokim dhe të marrë pjesë në trajnime dhe seminare që i pëlqejnë. Një pjesëmarrje e tillë ishte në projektin e udhëhequr nga EULEX-i dhe OJQ-ja Assist Kosova mbi “Fuqizimin e të rinjve kundër dhunës me bazë gjinore”.

Duke reflektuar mbi përvojat e saja, Flutura parashikon një të ardhme ideale ku vajzat e reja të kenë lirinë të pyesin veten: “Çfarë dua të bëj?” në vend që të kufizohen nga pritshmëritë e shoqërisë. Ajo parashikon vazhdimin e aktivizmit të saj përmes artit të saj, duke i inkurajuar gratë të ndjekin rrugë të ndryshme. Aspiratat e saja përfshijnë të bëhet profesoreshë, të fuqizojë breza të ardhshëm përmes arsimit dhe të sfidojë pabarazitë gjinore brenda institucioneve akademike.