“Treguesi më i fuqishëm se një nismë akademike po sjell ndikim të vërtetë është kur studentët kalojnë nga të mësuarit për Evropën te të menduarit se si mund të kontribuojmë për Evropën”, thotë Venera Llunji, Prorektore për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Kolegjin AAB në Kosovë.
Ajo ishte dëshmitare e këtij ndryshimi gjatë një shkolle verore dyjavore të organizuar në Qendrën e Ekselencës Jean Monnet, e cila funksionon në Kolegjin AAB përmes programit Erasmus+ të BE-së. Fillimisht, studentët u përqendruan në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE. Gjatë diskutimeve, pyetjet e tyre u bënë më analitike: Si funksionon BE-ja, me çfarë sfidash përballet dhe çfarë përgjegjësish do të sillte anëtarësimi për vetë Kosovën?
Nxitja e një angazhimi të këtij lloji është në thelb të punës së Qendrës, e cila e bashkon ekspertizën akademike nga disiplina të ndryshme për ta promovuar mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe debatin për Bashkimin Evropian.
Përmes ligjëratave nga stafi akademik dhe folësit e ftuar, debateve të studentëve, sesioneve informuese dhe kërkimit shkencor, Qendra u ndihmon studentëve dhe komunitetit më të gjerë që t’i kuptojnë më mirë institucionet dhe politikat e BE-së, si dhe procesin e integrimit, duke e nxitur njëkohësisht të menduarit kritik dhe diskutimin e hapur.
Të emërtuara sipas Jean Monnet, një prej figurave themeluese të integrimit evropian, këto qendra janë të pranishme në shumë universitete anembanë botës dhe e promovojnë vizionin e tij për bashkëpunimin si gurthemel të një Evrope më paqësore dhe të bashkuar. Për Kosovën, ato janë posaçërisht të rëndësishme për forcimin e njohurive për BE-në, avancimin e ekselencës akademike dhe lidhjen e arsimit të lartë me vlerat, politikat dhe proceset e integrimit evropian, duke i fuqizuar studentët dhe hulumtuesit që të kontribuojnë në të ardhmen evropiane të Kosovës.
Nga të mësuarit te pjesëmarrja aktive
Për studentët, mundësitë shtrihen përtej sallës së mësimit. Përmes programit të Ambasadorëve Studentorë të Qendrës Jean Monnet, ata mund të ndihmojnë në organizimin e aktiviteteve që lidhen me BE-në, t’i inkurajojnë bashkëmoshatarët e tyre që të marrin pjesë dhe të kontribuojnë me këndvështrimet e veta në këtë projekt.
Për Bleonë Brestovcin, të qenit ambasadore studentore ka nënkuptuar zbatimin në praktikë të njohurive akademike.
“Një përvojë që më la mbresë të veçantë ishte organizimi i një ligjërate për integrimin evropian dhe rolin e të rinjve në formësimin e së ardhmes së Evropës, të cilën e mbajti Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në BE në Kosovë. Komunikimi, puna ekipore, organizimi i ngjarjeve dhe bashkërendimi janë bërë pjesë përbërëse të kësaj përvoje, duke e ndërlidhur të nxënit akademik me shkathtësitë praktike dhe pjesëmarrjen aktive”, tha ajo.
Përvoja e saj tregon se si Qendra e lidh të nxënit akademik me mundësitë që studentët të zhvillojnë shkathtësi praktike, të ndërmarrin nisma dhe të marrin pjesë aktive në diskutimet për çështjet evropiane.
Investimi në të ardhmen evropiane të Kosovës
Përvojat e Llunjit dhe Brestovcit tregojnë se mbështetja e BE-së për arsimin shkon përtej të nxënit akademik. Duke i nxitur studentët që të bëjnë pyetje, të shkëmbejnë ide dhe të marrin rol aktiv në organizimin e aktiviteteve, Qendra e Ekselencës Jean Monnet ndihmon në lidhjen e njohurive për BE-në me përvojën praktike.
Qendra është një shembull i investimit më të gjerë të BE-së në arsim, në mobilitetin e studentëve, në zhvillimin e shkathtësive dhe në nismat rinore në Kosovë. Përmes Erasmus+ dhe programeve të tjera, BE-ja i mbështet të rinjtë që të fitojnë njohuri, të zhvillojnë shkathtësi dhe të kenë qasje në mundësi të reja.
Si partneri më i madh dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare, BE-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur arsimin dhe fuqizimin e të rinjve, në mënyrë që ata të kontribuojnë në komunitetet e tyre dhe në integrimin evropian të Kosovës.