Pas një dite me shi, të cilën e kaluan duke e pastruar lagjen Lakrishtë në Prishtinë, vullnetarët dhe banorët u ulën së bashku për ta ngrënë një vakt, mu aty, në park. Teksa bisedonin për rëndësinë e ruajtjes së pastërtisë, disa banorë tashmë po ofroheshin të ndihmonin në aksionet e pastrimit edhe në pjesë të tjera të qytetit.
Ky ishte një nga disa aksione pastrimi të organizuara nga Studio Space, një nismë lokale në Prishtinë. Falë projektit të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe Suedia, Studio Space arriti të siguronte pajisje pastrimi, qese për mbeturina dhe ushqim për vullnetarët, përderisa aksionet e pastrimit po shtriheshin në gjithnjë e më shumë lagje.
Edhe në Partesh, të rinjtë u mbështetën për të sjellë ndryshime pozitive në komunitetin e tyre. Përmes nismës “Të rinjtë vendosin!”, e mbështetur nga i njëjti projekt, ata u bashkuan për të mbjellë pemë, duke kontribuar në gjelbërimin e komunës së tyre dhe duke lënë pas një kontribut që do të mbetej edhe pas përfundimit të aktivitetit.
Kur bashkohen fqinjët
“I nisëm këto aksione të pastrimit sepse, si komunitet, e pamë të nevojshme të bënim diçka për ta përmirësuar qytetin ku jetojmë”, tha Endritura Gllogjani nga Studio Space, duke shtuar se aktiviteti i tyre “Lagje të pastra, komunitet i bashkuar” nisi me dhjetë vullnetarë, që pastruan dy lokacione në Prishtinë.
Në Lakrishtë, fqinjët që panë se aksioni i pastrimit kishte filluar dolën për të ndihmuar, duke punuar krah për krah me vullnetarët. Edhe banorët e pjesëve të tjera të Prishtinës iu bashkuan aksioneve të pastrimit.
Gjithsej, rreth 30 persona iu bashkuan aksionit në qytet, duke ndihmuar në pastrimin e shtatë lagjeve, ndërsa planifikohet që aksionet të vazhdojnë edhe në dy lagje të tjera.
Për Mentor Didën, një nga vullnetarët e parë, kujdesi për një lagje i ngjan shumë kujdesit për një familje. Të dyja kërkojnë përkushtim, vëmendje dhe gatishmëri për të kontribuar.
“Institucionet i kanë përgjegjësitë e tyre, por edhe ne si qytetarë i kemi tonat. Duhet të përpiqemi të ndihmojmë, qoftë edhe pak”, tha ai.
Të rinjtë që sjellin ndryshime pozitive
Në Partesh, nisma “Të rinjtë vendosin!”, e udhëhequr nga Stefan Stojanoviq, i inkurajoi rreth 30 të rinj që ta luanin një rol më aktiv në komunitetin e tyre.
Një nga aktivitetet e saj, “Adoptoje një pemë”, u dha pjesëmarrësve një mënyrë konkrete për të kontribuar në komunën e tyre. Deri në kohën kur u mblodhën për këtë aktivitet, mes tyre tashmë ishin krijuar miqësi.
Së bashku, ata mbollën 30 pemë, secila me emrin e një pjesëmarrësi që mori përsipër të kujdesej për të. Disa u ndalën për të bërë fotografi pranë pemëve ku ishin vendosur emrat e tyre.
Kristina Slankoviq, e cila e mbolli njërën nga pemët, i shijoi të qeshurat dhe kohën e kaluar me grupin. Për të, aktiviteti ishte gjithashtu një mundësi për të kontribuar në komunën e saj.
“Kjo është komuna jonë dhe, përmes nismave të tilla, do ta bëjmë më të bukur dhe do të lëmë pas një kujtim shumë të veçantë”, tha ajo.
Stojanoviq tha se kishte qenë kënaqësi të punonte me të rinjtë pjesëmarrës dhe shpresonte që ata të vazhdonin të luanin rol aktiv në komunitetin e tyre.
Dren Puka është drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), i cili, së bashku me Community Building Mitrovica (CBM), e zbaton projektin e BE-së dhe Suedisë që i mbështet këto dy aktivitete.
Për të, vlera e vullnetarizmit qëndron edhe në bashkimin e njerëzve me pikëpamje të ndryshme rreth një qëllimi që shkon përtej interesave të tyre individuale. Siç shpjegoi ai, kjo përvojë “ndërton besimin se veprimi kolektiv mund të trajtojë çështje që, përndryshe, mund të mbeteshin pa u trajtuar”.
Mbështetja e BE-së për vullnetarizmin në Kosovë shkon përtej këtij projekti të përbashkët me Suedinë. Krahas mbështetjes së saj më të gjerë për shoqërinë civile, BE-ja është prej kohësh partnere strategjike e TOKA-s, një organizatë për zhvillimin e të rinjve, duke i mbështetur klubet e vullnetarizmit edukativ dhe nismat si Çmimet e Vullnetarizmit të Vitit, të cilat i vlerësojnë njerëzit që kontribuojnë në komunitetet e tyre.
Përmes këtyre formave të ndryshme të mbështetjes, BE-ja, si partnerja më e fuqishme e Kosovës, vazhdon ta inkurajojë vullnetarizmin, duke ndihmuar që më shumë njerëz të angazhohen dhe duke e forcuar rolin e komuniteteve në adresimin e nevojave të përbashkëta të tyre.
BE-në për krah.