Publikuar më 2 tetor 2026
Mbështetja e BE-së në veprim: Si e ka forcuar “Sporti për Përfshirje” kohezionin social mes të rinjve të Kosovës
Mbështetja e BE-së në veprim: Si e ka forcuar “Sporti për Përfshirje” kohezionin social mes të rinjve të Kosovës
I mbështetur nga BE-ja, projekti “Sporti për Përfshirje”, që zbatohet nga PLAY International në Kosovë, i përdor sportin dhe lojën si mjete për ta luftuar diskriminimin, për ta promovuar kohezionin social dhe për të krijuar mundësi gjithëpërfshirëse për të rinjtë. Ky projekt është pjesë e punës më të gjerë të PLAY International në mbarë Ballkanin Perëndimor, ku qasjet edukative të bazuara në sport përdoren për ta forcuar përfshirjen, dialogun ndëretnik, barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e të rinjve.
Kur loja e ndryshon bisedën
Diskriminimi mbi bazë të gjinisë, përkatësisë në një komunitet dhe karakteristikave të tjera mund t’i pengojë të rinjtë të ndihen të përfshirë dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë. Në këtë projekt të financuar nga BE-ja, sporti është përdorur si mënyrë për t’i sfiduar këto barriera, duke krijuar hapësira ku të rinjtë mund të merrnin pjesë së bashku dhe të ndërtonin marrëdhënie përmes aktiviteteve.

Sipas Elira Hashanit, menaxhere pedagogjike në PLAY International për Ballkanin Perëndimor, të rinjtë në Kosovë shpesh jetojnë në të njëjtat lagje, por rrallë bashkëveprojnë jashtë rrethit shoqëror të tyre.

“Kombinimi i lojës, aktiviteteve të hartuara me kujdes dhe reflektimit të udhëhequr ua mundëson të rinjve që ta përjetojnë përfshirjen, e jo thjeshtë ta dëgjojnë dikë të flasë për të”, shpjegoi Hashani.
Nga mbështetja e BE-së te ndikimi në komunitet
Aktivitetet e ndryshme që u zbatuan në kuadër të projektit “Sporti për Përfshirje” tregojnë se si mbështetja e BE-së mund të krijojë mundësi konkrete për të rinjtë në Gjakovë, Lipjan, Mitrovicë të Veriut, Obiliq, Plemetin, Prevallë, Prishtinë, Prizren e Rugovë.
Në ngjarjet sportive, siç janë Ditët e Ragbit pa kontakt, u regjistruan 114 pjesëmarrës. Rreth 60% të pjesëmarrësve ishin vajza të përkatësive të ndryshme etnike nga Plemetini dhe Mitrovica e Veriut, gjë që demonstron se si sporti përfshirës mund të krijojë hapësirë për pjesëmarrje të sigurt dhe të barabartë.

U bashkëpunua me shkollat, përmes disa aktiviteteve që trajtuan ngacmimin dhe diskriminimin, në të cilat u angazhuan rreth 90 nxënës, ndërsa, përveç kësaj, 10 mini-projekte rinore kolektive siguruan pjesëmarrjen e 50 të rinjve vullnetarë në hartimin, udhëheqjen dhe zbatimin e tyre. Një shembull ishte mini-projekti “Dëgjoje zërin tim” (Listen to My Voice), i cili i fuqizoi nxënësit e shkollave të mesme në komunën e Obiliqit që ta promovonin barazinë, respektin dhe përfshirjen, duke e ngritur njëkohësisht vetëdijen për diskriminimin. Për Ari Thaçin, vullnetar nga Prishtina i përfshirë në këtë projekt, kjo përvojë u shndërrua edhe në një mësim për zhvillimin profesional.

"Mësova si ta menaxhoj një ekip, si të punoj nën afate të shkurtra dhe si të bashkëpunoj me të tjerët. Ishte përvojë e mrekullueshme, të cilën do ta kujtoj për një kohë të gjatë, ndërsa mund të shoh se si projektet e ardhshme do të zhvillohen nga kjo”, tha ai.

Një tjetër mini-projekt i zbatuar në Lipjan u përqendrua në promovimin e barazisë gjinore dhe sfidimin e stereotipeve. Për Aurela Karpuzin, e cila e hartoi dhe e udhëhoqi këtë projekt, çdo aktivitet kishte qëllim të qartë dhe ishte e jashtëzakonshme ta shihje përparimin e rinjve. Projekti i saj e përdori metoda të arsimit interaktiv joformal, krijoi kënde për barazinë gjinore në tri shkolla dhe zhvilloi një hulumtim me 350 nxënës për t’i kuptuar më mirë perceptimet e të rinjve për barazinë gjinore.
Ruajtja e momentumit dhe vazhdimësisë
Ky projekt i mbështetur nga BE-ja, i cili përfundoi në qershor 2026, ua mundësoi organizatave lokale të shoqërisë civile dhe shkollave ta vazhdonin punën në mënyrë të pavarur, ndërsa OSHC-të tashmë po bëhen bashkë për të shkëmbyer përvoja dhe për ta forcuar bashkëpunimin.

Për Hashanin, shenja më e qartë e qëndrueshmërisë është kur të rinjtë nuk kanë më nevojë për moderatorë për të organizuar aktivitete brenda komuniteteve të tyre.
Ky është përparimi që “Sporti për Përfshirje” e synon në fund të fundit: jo vetëm që të rinjtë të marrin pjesë, por edhe të marrin përgjegjësi, ta përshtatin metodologjinë dhe ta përdorin atë për të sjellë ndryshime në komunitetet e tyre.

Më të rejat nga blogu

Lajmet më të fundit, intervistat, teknologjitë dhe burimet.