Për më shumë se dy dekada, Kadire Tahiraj u ka ndihmuar grave në Drenas dhe rrethinë që të gjejnë mbështetje dhe mënyra për ta siguruar jetesën. Sot, ajo e drejton Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave, e cila, me mbështetjen e BE-së, është shndërruar në një vend ku gratë mund të kërkojnë ndihmë, të përvetësojnë shkathtësi të reja dhe të krijojnë produkte për shitje.
Në fillim të viteve të 2000-ta, teksa mbante klasa të edukimit shëndetësor për Kryqin e Kuq të Kosovës, Kadirja e vizitoi një fshat afër Drenasit, ku takoi gra të mbijetuara të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin.
“Dëgjova rrëfime rrëqethëse për atë që kishin përjetuar këto gra. Që prej atij momenti, nisa të punoja si aktiviste drejtpërdrejt me të mbijetuarat, ende pa e regjistruar organizatën”, kujton Kadirja.
Ajo identifikoi tri gra që kishin nevojë për mbështetje të menjëhershme dhe u dakordua me to që të takoheshin sërish javën pasuese. Nuk kishte as fonde, as hapësirë për takime, por ajo megjithatë donte t’u ndihmonte.
Atëkohë flitej rrallë për dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, ndërsa shumë të mbijetuara kishin frikë nga refuzimi i familjeve dhe komuniteteve të tyre, po të bëhej e ditur çfarë kishin përjetuar.
“Duhej t’i identifikonim gratë përmes grave të tjera. Nuk mund të trokisja vetë në çdo derë”, shpjegon ajo.
Brenda dy muajsh, ajo i kishte identifikuar rreth 35 të mbijetuara. Takimet e përbashkëta i ndihmuan ato që të krijonin besim te njëra-tjetra, të shpreheshin rreth asaj që kishin përjetuar dhe të gjenin forcë. Ky komunitet i nxiti edhe gratë e tjera, që kishin heshtur deri atëherë, të flisnin hapur dhe të kërkonin mbështetje.
Një vend për t’u mbledhur dhe granti i parë
Takimet e tyre të para u mbajtën në ambient të hapur, afër një Qendre të mjekësisë familjare. Më vonë, Kadirja arriti ta siguronte një hapësirë ku gratë mund të takoheshin.
“Për gjashtë vjet punova pa rrymë e pa ujë, por isha jashtëzakonisht e lumtur, sepse kisha një adresë ku gratë mund të vinin”, kujton ajo.
Kadirja iu drejtua edhe Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) për ndihmë të specializuar për gratë që kishin nevojë për mbështetje të mëtejshme.
Përderisa puna e saj vazhdonte, në vitin 2012, Kadirja gjeti mbështetje përmes Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), një rrjeti të organizatave për të drejtat e grave nga mbarë Kosova, i cili mbështetet nga BE-ja dhe të cilit iu bashkua edhe qendra e saj.
Në ditën kur kjo ndodhi, Kadirja mësoi për një mundësi për të aplikuar për një grant të vogël të BE-së përmes RrGK-së.
“Nuk dija si ta shkruaja një projekt-propozim, prandaj e shkrova kërkesën me laps, sepse nuk kisha kompjuter”, kujton ajo.
Me grantin e parë të BE-së, Kadirja organizoi takime në fshatrat përreth Drenasit dhe arriti t’i përfshinte 49 gra. Përmes rrjetit, ajo përfitoi edhe nga trajnimet dhe format e tjera të mbështetjes, që i ndihmuan ta vazhdonte punën me të mbijetuarat.
Përfshirja e më shumë grave me mbështetjen e BE-së
“Mbështetjen më të fuqishme e morëm nga Bashkimi Evropian. Në vitin 2017, BE-ja e financoi një nismë përmes RrGK-së, e cila ia ndau një grant qendrës sonë dhe Qendrës për Promovimin e Familjes së Shëndoshë. Përmes kësaj nisme, u ndihmuam të mbijetuarave të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin që të informohen për të drejtat ligjore të tyre dhe të aplikojnë për njohjen zyrtare të statusit të tyre”, kujton Kadirja.
Me financimin e BE-së, të kanalizuar nëpërmjet RrGK-së, qendra po ashtu u ndihmoi grave të gjenin mënyra për të fituar para. Disa prej tyre morën makina të qepjes, koshere bletësh dhe materiale për punime artizanale.
Kadirja dhe koleget e saj u ndihmuan grave që të gjenin blerës për produktet e tyre të punuara me dorë, ndërsa të tjerat përgatitnin ushqime tradicionale për tubime dhe vizita zyrtare. Prodhimi dhe shitja e produkteve të tyre ua siguruan një burim shtesë të ardhurash. Me kalimin e kohës, punimet e tyre arritën në dyqane dhe në hapësira të posaçme të shitjes, të njohura si Këndi i Kurajos, anembanë Kosovës.
“Kur e fuqizon një grua, e fuqizon një familje të tërë”, thotë Kadirja.
Më shumë se dy dekada më vonë, Kadirja vazhdon ta gjejë motivimin te gratë me të cilat punon.
“Gratë më motivojnë. Janë gra shumë të mira dhe duan të punojnë”, thotë ajo.
Sot, qendra e Kadires e ka zgjeruar veprimtarinë e saj për t’i mbështetur gratë që përjetojnë dhunë në familje dhe ato që përballen me vështirësi ekonomike. Ajo që nisi me takime të vogla në fshatrat përreth Drenasit tani është shndërruar në një përpjekje të vazhdueshme për t’u ndihmuar grave që ta rindërtojnë jetën e tyre me dinjitet dhe të fitojnë pavarësi financiare, një përpjekje kjo të cilën BE-ja vazhdon ta mbështesë.