Publikuar më 12 nëntor 2026
Mbështetja e BE-së i ndihmon DYVÓ-së që dizajnin e qëndrueshëm ta kthejë në mundësi për të rinjtë e Kosovës
Mbështetja e BE-së i ndihmon DYVÓ-së që dizajnin e qëndrueshëm ta kthejë në mundësi për të rinjtë e Kosovës
Në Prishtinë, materialet e hedhura ndërtimore gjetën përdorim të ri si art publik, ndërsa dizajnerët e rinj punuan në ide për hapësira më të gjelbra dhe më mikpritëse në qytet. Të dyja këto nisma ishin pjesë e festivalit të Javës së Dizajnit të Qëndrueshëm në Prishtinë (PSDW), të cilin OJQ-ja DYVÓ e organizoi me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Festivali është pjesë e veprimtarisë së gjithmbarshme të saj, të mbështetur nga BE-ja, e cila e siguron financimin bazë të DYVÓ-së në kuadër të përkushtimit të përbashkët për ta mbrojtur mjedisin, për ta ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme dhe për t’u dhënë të rinjve në Kosovë më shumë mundësi për ta shprehur kreativitetin e tyre dhe për të luajtur rol aktiv në shoqëri.

BE-ja po ashtu ndihmoi në krijimin e hapësirës së përbashkët kreative - DYVÓLAB. Fjala është për FabLab-in e parë dhe të vetëm të akredituar në Kosovë - një laborator i përbashkët i fabrikimit digjital, ku njerëzit ndajnë njohuritë dhe shfrytëzojnë pajisje dhe makina të avancuara për fabrikim, me qëllim të krijimit dhe testimit të dizajneve të tyre. DYVÓLAB gjithashtu ofron makineri për përpunimin e mbetjeve dhe materialeve me bazë biologjike, duke u mundësuar të rinjve dhe anëtarëve të komunitetit të eksperimentojnë me materiale që përndryshe do të përfundonin si mbeturina.

Përmes rrjetit ndërkombëtar FabLab, qytetarët dhe administratat e qyteteve të tyre mund të shkëmbejnë njohuri dhe përvoja me hapësira të ngjashme në mbarë botën. DYVÓ e menaxhon laboratorin edhe si program publik për Komunën e Prishtinës, e cila është partnere e rëndësishme në punën e saj dhe në Javën e sivjetme të Dizajnit.
Java e Dizajnit të Qëndrueshëm në Prishtinë: Nga sfidat urbane te ndryshimi i qëndrueshëm
I mbajtur nga 31 gushti deri më 6 shtator, edicioni i dytë i Javës së Dizajnit të Qëndrueshëm në Prishtinë trajtoi temën “TË ARDHMET E ARDHSHME”. Në kuadër të tij u shtrua një pyetje që e përshkon një pjesë të madhe të punës së DYVÓ-së: Sa të ardhme janë të mundshme dhe a po i zgjedhim të ardhmet më të mira për vete dhe për brezat që do të vijnë?

Në të katër shtyllat - NDJEJ, KRIJO, VEPRO dhe TREGO - festivali i bëri bashkë dizajnerët, krijuesit, studentët, institucionet, bizneset dhe publikun përmes katër konferencave tematike, katër punëtorive praktike, tri ekspozitave dhe aktiviteteve të tjera. Në të morën pjesë më shumë se 489 persona nga të paktën 14 komuna në mbarë Kosovën, krahas mysafirëve rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Gjatë Maratonës treditore të Dizajnit në kuadër të PSDW-së, Drejtoria e Transformimit të Kryeqytetit në Komunën e Prishtinës solli gjashtë sfida urbane reale, të cilat duhej të trajtoheshin nga pjesëmarrësit. Në mesin e rezultateve ishte një propozim për elemente të mobilimit të qëndrueshëm urban, që do të mund ta përmirësonin mikroklimën lokale, t’i zgjeronin hapësirat e gjelbra dhe të krijonin vende ku njerëzit do të mund të mblidheshin, të punonin ose të pushonin.

Një tjetër rezultat u quajt Fillime të Reja: Riqarkullo. Artistja ndërkombëtare Francesca Pasquali në bashkëpunim me studentët e arkitekturës dhe inxhinierisë nga Universiteti i Prishtinës dhe vullnetarë nga klubet lokale “Interact” dhe “Rotaract”, i kthyen 400 panele të fasadës, të hedhura nga një prodhues lokal, në një vepër të përhershme të artit publik, që u inaugurua gjatë festivalit dhe iu dhurua këtij qyteti. Ky instalacion ua jep materialeve, që dikur konsideroheshin mbeturina, një qëllim të ri në hapësirën tonë publike të përbashkët, duke i ftuar njerëzit që të mendojnë për gjërat që vendosin t’i hedhin.
Një hap drejt lëvizjes Fab City
Edicioni i sivjetmë i Javës së Dizajnit të Qëndrueshëm në Prishtinë shënoi edhe një hap konkret drejt një qëllimi për të cilin DYVÓ ka punuar që nga viti 2021. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, premtoi t’i bashkohej lëvizjes Fab City - një rrjet ndërkombëtar që synon krijimin e qyteteve që prodhojnë më shumë në nivel lokal, që i përdorin burimet në mënyrë më të përgjegjshme dhe që ndajnë njohuri përtej kufijve. DYVÓ ndihmoi në nisjen e procesit të përfshirjes së Prishtinës, ndërsa Komuna, si partnerja kryesore institucionale e organizatës, do të jetë përgjegjëse për jetësimin e zotimit.

Gjatë festivalit, Prishtina mirëpriti përfaqësues të Fab City Hamburg, Fab City Lubjanë dhe Instituti i Ri i Prodhimit në Hamburg, të cilët shkëmbyen përvojat e tyre në fushën e prodhimit lokal dhe dizajnit të qëndrueshëm. Prania e tyre tregoi se qytetet nuk duhet të përballen të vetme me ndryshimet dhe se Prishtina është me fat që ka partnerë të tillë përkrah.

Këtë vit, PSDW bashkoi kreativitetin lokal me njohuri nga e mbarë Evropa, institucionet publike me inovatorë të rinj, ndërsa idetë ambicioze i solli më afër veprimit praktik. Me mbështetjen e vazhdueshme të BE-së dhe përfshirjen e festivalit në rrjetin ndërkombëtar të Javëve Botërore të Dizajnit, këto lidhje mund të rriten përtej vetë festivalit.

Më të rejat nga blogu

Lajmet më të fundit, intervistat, teknologjitë dhe burimet.