Publikuar më 30 tetor 2026
Nga Wi-Fi publik falas dhe edukimi medial te Ditët Erasmus: mbështetja e BE-së për arsimin, angazhimin e të rinjve dhe kulturën shënon muajin tetor në Kosovë
Nga Wi-Fi publik falas dhe edukimi medial te Ditët Erasmus: mbështetja e BE-së për arsimin, angazhimin e të rinjve dhe kulturën shënon muajin tetor në Kosovë
Wi-Fi publik falas në 33 komuna, i mundësuar nga BE-ja dhe Gjermania, si dhe mundësitë për studime jashtë vendit përmes programit Erasmus+ të BE-së, ishin ndër zhvillimet kryesore të muajit tetor në Kosovë. Europe House e BE-së në Kosovë organizoi gjithashtu aktivitete kushtuar inteligjencës artificiale, shëndetit mendor dhe rolit të të rinjve në jetën publike.
Lidhshmëria digjitale dhe edukimi medial
Banorët në 33 komuna të Kosovës tani mund të kenë qasje në Wi-Fi publik falas, pas shtrirjes së rrjetit WiFi4WB, një nismë e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania dhe e zbatuar nga GIZ-i, në bashkëpunim me partnerët vendorë. Përfundimi i projektit u shënua në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, ndërsa në rrjet janë regjistruar tashmë mbi 1,1 milion kyçje.
Në kuadër të programit rajonal EU4Digital, WiFi4WB ua bën më të lehtë banorëve dhe vizitorëve që të mësojnë, të punojnë dhe t’i përdorin shërbimet online në hapësira publike.

Krahas qasjes së përmirësuar në internet, gjatë tetorit u zhvilluan edhe diskutime për besueshmërinë e informacionit në hapësirën digjitale.
Në konferencën “Kur inteligjenca artificiale takohet me lajmet e rreme”, të organizuar në Prishtinë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe partnerët rajonalë përmes projektit FACT, të financuar nga BE-ja, gazetarë, verifikues faktesh dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Rumania diskutuan për sfidat e dezinformimit të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, si dhe për verifikimin e fakteve dhe edukimin medial.

Në Europe House Mitrovicë e Veriut, Tijana Kolutac e udhëhoqi masterklasën “Inteligjenca artificiale, besimi dhe transparenca”, ku të rinjtë pjesëmarrës u njohën me Aktin e BE-së për Inteligjencën Artificiale dhe përdorimin e përgjegjshëm të saj. Aktiviteti përfshiu ushtrime praktike për identifikimin e përmbajtjeve të manipuluara në internet.
Ditët Erasmus: mundësi për të studiuar në mbarë Evropën
Ditët Erasmus nisën në Europe House Prishtinë, duke bërë bashkë studentë, profesionistë të arsimit dhe përfaqësues të organizatave rinore dhe të shoqërisë civile për t’u njohur me mundësitë që i ofron programi Erasmus+ i BE-së. Alexis Hupin, zëvendësshef i BE-së në Kosovë, theksoi se që nga viti 2015, mbi 12,000 studentë dhe pjesëtarë të personelit akademik nga Kosova kanë përfituar nga programi i mobilitetit i Erasmus+.

Programi vazhdoi në Europe House Mitrovicë e Veriut, ku ish-pjesëmarrës të Erasmus+ i ndanë përvojat e tyre të studimit dhe jetesës jashtë vendit, shkathtësitë që i kishin fituar dhe lidhjet që i kishin krijuar. Në diskutim u trajtuan edhe mundësitë përtej shkëmbimeve universitare, duke përfshirë projektet rinore, shkëmbimet virtuale dhe bashkëpunimin në sport.

Gjatë një sesioni tjetër në Europe House Prishtina, që u organizua në bashkëpunim me Zyrën e Erasmus+ në Kosovë, pjesëmarrësit u njohën me eTwinning, që i lidh shkollat në mbarë Evropën, dhe me EPALE-n, një platformë që e mbështet bashkëpunimin në fushën e arsimit për të rritur. Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës organizoi një sesion informues për Erasmus+, me fokus në mundësitë e mobilitetit akademik për studentët dhe personelin universitar.
Mirëqenia dhe pjesëmarrja e të rinjve
Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, YOUTH2YOUTH Skills Lab në Europe House Prishtinë mblodhi të rinj dhe Ambasadorë të Rinj Evropianë për të diskutuar se si ndikon bota digjitale në shëndetin mendor. Pasditja vazhdoi me një sërë aktivitetesh, përfshirë pikturën, vallëzimin dhe muzikën, duke u ofruar pjesëmarrësve mënyra të ndryshme kreative për t’u shprehur dhe për të reflektuar për sfidat e sotme që lidhen me shëndetin mendor.

Të rinjtë ishin gjithashtu në qendër të një sesioni njëditor me Parlamentin Evropian të të Rinjve në Kosovë, ku pjesëmarrësit punuan në ekipe, simuluan punën e komisioneve të Parlamentit Evropian dhe debatuan për çështje evropiane, para se t’i hartonin rekomandimet e tyre për politika.
Publikime të reja dhe Netët e Filmit Austriak
Mbështetja e BE-së për GRAN Fest vazhdoi edhe në tetor. Pas nismës dhe ekspozitës “Sketching Pristina” të muajit shtator, vizatimet u përmblodhën në një botim me të njëjtin titull. Gjatë këtij festivali u prezantua edhe “Minerva”, një roman grafik nga karikaturisti finlandez, Juba. Të dyja botimet u publikuan në shqip dhe serbisht, me mbështetjen e BE-së në Kosovë dhe të Komunës së Prishtinës.

Muaji tetor përfundoi me Netët e Filmit Austriak, një aktivitet treditor kushtuar kinematografisë austriake, i organizuar në bashkëpunim me Kino ARMATA dhe BE-në në Kosovë. Programi ia prezantoi publikut tre filma që nxisin reflektim: The Last Ambassador (“Ambasadori i fundit”), The Dreamed Ones (“Të ëndërruarit”) dhe Peacock – Am I Real? (“Pallua – A jam i vërtetë?”).

Më të rejat nga blogu

Lajmet më të fundit, intervistat, teknologjitë dhe burimet.