Mbështetja e BE-së për Kosovën vazhdoi gjatë gushtit përmes aktiviteteve rinore dhe kulturore. Festivali Ndërkombëtar i Dokumentarit dhe Filmit të Shkurtër “DokuFest”, i mbështetur nga BE-ja, shënoi edicionin e tij të 25-të në Prizren; Europe House Prishtinë mblodhi të rinjtë për të eksploruar kreativitetin, shkathtësitë dhe punësimin; ndërsa Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor bëri bashkë të rinj muzikantë nga i gjithë rajoni.
“DokuFest” i mbush 25 vjet: filmi dhe të drejtat e njeriut
I mbajtur në Prizren nga 7 deri më 15 gusht, “DokuFest” solli në garë 104 filma në tetë programe, krahas bisedave, performancave dhe aktiviteteve të tjera në mbarë qytetin. BE-ja në Kosovë e vazhdoi mbështetjen e vet të kahershme për “DokuFest-in”, duke u fokusuar sivjet në garën “Human Rights Dox” si një nga programet kryesore të festivalit, ku u paraqitën filma që trajtonin dinjitetin njerëzor, lirinë, barazinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Çmimi fitues i këtij viti iu nda The Clearing, një film me regji të Sabine Groenewegen, i cili flet për një kapitull të heshtur të historisë koloniale holandeze dhe shfrytëzimin dhe skllavërimin e grave në Sumatra, Indonezi.
Muaji i Rinisë: kreativitet, shkathtësi dhe punësim
BE-ja në Kosovë ia kushtoi gushtin rinisë, duke e shënuar Ditën Ndërkombëtare të Rinisë me aktivitete në Europe House Prishtinë dhe Europe House Mitrovicë e Veriut, me fokus në kreativitet, pjesëmarrje qytetare, shkathtësi digjitale dhe punësim.
Në Europe House Prishtinë, punëtoria e artivizmit “Prej, Krijo, Avoko” i ftoi pjesëmarrësit të krijonin kolazhe nga revista të vjetra, si mënyrë për të eksploruar të drejtat e njeriut, barazinë, gjithëpërfshirjen dhe mbrojtjen e mjedisit.
YOUTH2YOUTH Skills Lab, i organizuar me Ambasadorët e Rinj Evropianë, u fokusua në edukimin medial digjital, përgjigjen ndaj gjuhës së urrejtjes online dhe shkathtësitë praktike për aktivizëm digjital.
Në Mitrovicë të Veriut, punëtoria “Nga nevoja lokale në iniciativa me bazë në komunitet” bëri bashkë të rinj për të identifikuar sfidat lokale dhe për të zhvilluar rekomandime për veprim në komunitet.
Një aktivitet tjetër në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, i organizuar në Prishtinë nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, në kuadër të projektit “Zgjerimi Pjesëmarrës i BE-së”, i financuar nga Bashkimi Evropian, u fokusua në zgjerimin e BE-së, pjesëmarrjen qytetare dhe rolin e rinisë në jetën demokratike.
Masterklasa “Gati për karrierë: nga shkolla në punësim”, e organizuar në bashkëpunim me Prishtina REA, trajtoi përgatitjen e CV-ve, intervistat për punë dhe shkathtësitë që kërkojnë punëdhënësit.
Muaji i Rinisë përfundoi me shfaqjen në Europe House Mitrovicë e Veriut të dokumentarit “Ne, Studentët!” me regji të Rafiki Fariala, që përcjell jetën dhe ambiciet e studentëve universitarë në Republikën Qendrore Afrikane.
Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor në Kosovë
Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor, e mbështetur nga BE-ja, realizoi dy performanca në Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut.
E themeluar në vitin 2019, orkestra bën bashkë të rinj profesionistë të muzikës nga Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Kjo orkestër mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe programi i saj ofron trajnim profesional, koncerte dhe mundësi për kompozitorët e rinj.
Performancat e gushtit ishin pjesë e programit më të gjerë veror të orkestrës, duke u dhënë anëtarëve të rinj mundësi të mëtejme për të performuar para audiencave në mbarë rajonin.
Solidaritet me Ukrainën
BE-ja në Kosovë dhe Shoqata e Ukrainasve në Kosovë - Urat e Miqësisë, shënuan në Europe House Prishtinë 35-vjetorin e Pavarësisë së Ukrainës. Ngjarja bëri bashkë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, trupit diplomatik, mediave dhe shoqërisë civile, ndërkohë që me këtë rast, Shefja në detyrë e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Ukrainën dhe falënderoi Kosovën për solidaritetin dhe përafrimin me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së lidhur me sanksionet kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.