Në intervistën e muajit, Desar Sulejmani, Drejtor artistik i “European Summer Music Academy (ESMA)” dhe i Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor (WBYO)”, na tregon më shumë për edicionin e 10-të të ESMA-s të mbajtur në Kosovë.
A mund të na tregoni më shumë për Orkestrën e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor (WBYO)?
Desar Sulejmani: Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor (Western Balkans Youth Orchestra, WBYO) i ka fillimet e saj në organizimet e mëparshme të
European Summer Music Academy (ESMA) në Kosovë, atëherë kur gjatë kurseve të ndryshme instrumentale e punës pedagogjike në ansambël, lindi ideja për zgjerimin e aktivitetit artistik, e cila më pas u zhvillua në fund të vitit 2019 deri në krijimin e orkestrës si institucion i pavaruar dhe i përhershëm, përfaqësuese e të gjithë rajonit.
WBYO është një ansambël orkestral me muzikantë të rinj profesionistë nga të paktën gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria), i cili kishte për të nisur rrugëtimin e tij artistik në marsin e 2020. Organizatorët, organizata kulturore Artium Eudora – ArtEu, me qendër në Prishtinë, në marrëveshje të plotë me partnerët lokalë e ndërkombëtarë, mori vendimin për shtyrjen e aktivitetit si hap mbrojtës ndaj përhapjes së shpejtë të pandemisë SarS-CoV 2 anembanë botës.
Fillimisht projekti i WBYO është financuar nga një fond i rëndësishëm i Distriktit 1810 të Rotary International (zona e Aachen-it në Gjermani). Gjatë organizimeve të mëvonshme të fundvitit 2020 dhe në aktivitetin e sapo përfunduar tani në tetor (1st Training & Concert Phase), WBYO ka patur gjithashtu mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, Shtëpisë së Evropës, Ambasadës së Republikës së Çekisë në Kosovë, Ambasadës Gjermane në Tiranë si dhe të partnerëve të tjerë lokalë, të cilët përfitoj nga rasti t’i falenderoj përzemërisht për mbështetjen e çmuar të dhënë në kuadër të projektit tonë.
Cili është qëllimi i krijimit të një orkestre rinore në Ballkanin Perëndimor?
Desar Sulejmani: Zhvillimet historike na kanë mësuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor është për të gjithë kontinentin evropian sa i rëndësishëm, aq edhe i trazuar, i ndërlikuar e në vazhdim me plot çështje të pazgjidhura. Pas dekadash mungese stabiliteti, kepkuptimesh, mosnjohjesh reciproke, polemikave të ndryshme politike, ka ardhur koha që brezi i ri i të gjithë rajonit të marrë në dorë fatet e tija, të drejtojë zhvillime paqësore, bashkëpunuese mes vetës, duke iu drejtuar të ardhmes me një qasje të kundërt nga çfarë kanë bërë brezat e kaluar.
WBYO synon që nëpërmjet organizimit të aktiviteteve pedagogjiko-artistike, takimeve orkestrale, koncerteve e programeve të formateve të ndryshme muzikore t’i sjellë të gjithë publikut të rajonit një frymë të re bashkëpunimi, një ide lidhjeje shpirtërorë të ngushtë nëpërmjet artit e kulturës, muzikës e zhvillimit të vetëdijes shoqërore. Janë këto virtyte, të cilat përpos nevojave të zhvillimit profesional të gjithësecilit pjesëmarrës në projektet tona, do të jenë edhe synimet kryesore të punës sonë afatgjatë me të rinjtë profesionistë të Ballkanit Perëndimor.
Sivjet keni mbajtur edicionin e 10-të European Summer Music Academy in Kosovo. Cila ka qenë veçantia e këtij viti?
Desar Sulejmani: Sezoni i ESMA 2021 ka qenë pjesë e rëndësishme e të gjithë projektit prej dy fazash “Bulding Musical Bridges in the Western Balkans 2021” dhe ka ardhur si e tillë edhe pse në kushte kufizimesh për shkak të pandemisë, me mjaft prurje interesante. Në vitin 2021 ESMA është rikthyer në Prishtinë, atje ku edhe u lind si organizim pedagogjiko-artistik para nëntë vitesh. Gjatë ditëve të fundshtatorit e fillimtetorit 2021 u zhvilluan në Fakultetin e Arteve të Universitetit “Hasan Prishtina” kurse përformimi të pianos (Ardita Statovci, Kosovë/Austri), violinës (Prof. Dr. Orhan Ahiskal, Turqi/SHBA), flautit (Prof. Ljubiša Jovanović, Serbi) e klarinetës (Jordi Pons, Spanjë/Zvicër), sikurse u mbajtën edhe paraqitje artistike qoftë nga disa pedagogë të huaj, apo mbi të gjitha edhe nga studentët pjesëmarrës të kurseve tona.
Gjithashtu në kuadër të ESMA 2021 ne kemi organizuar nga data 23 deri me 29 shtator klasa përformimi e prezantime artistike të instrumentit të kitarës me Danijel Cerović, (Mali i Zi), Erhan Mujka (Kosovë) dhe Sanel Redžić (Bosnje dhe Hercegovinë) në qytetin e Mitrovicës, ku kemi krijuar tashmë një histori të perbashkët suksesi me organizatën kulturore Kosova Ars, e kryesuar nga kitaristi kosovar, z. Erhan Mujka.