Mars 23, 2021 | Tuesday
Udhëheqës i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësues i Posaçëm i BE-së, Ambasadori Tomáš Szunyog, vizitoi kombëtaren e futbollit të Kosovës në Stadiumin “Fadil Vokrri”, përpara ndeshjeve të saj kualifikuese për Kupën e Botës FIFA 2022. Ambasadori Szunyog u prit nga z. Eroll Salihu, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, trajneri z. Bernard Challandes, dhe portieri Samir Ujkani.
Në fillim të bisedës, Ambasadori Szunyog i falënderoi z. Salihu dhe trajnerin Challandes për mikpritjen e tyre dhe shprehu kënaqësinë e madhe që iu dha mundësia ta takonte ekipin.
“Prej se kam ardhur në Kosovë si UZ/PPBE, jam bërë dëshmitar i pasionit dhe dashurisë që populli i Kosovës ka ndaj Kombëtares së Futbollit, si dhe i energjisë pozitive që ju u sillni atyre. Përveçse është një sport që sjell gëzim për të gjithë, futbolli duhet të shërbejë si mjet bashkimi që i afron komunitetet dhe që i shtyn shoqëritë përpara drejt të mirës së përgjithshme. Duke pasur një nga popullsitë më të reja në Evropë, sportistët dhe sportistet e Kosovës tashmë kanë arritur suksese të jashtëzakonshme. Do të doja të theksoja se Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i mbështesë dhe të investojë në sportet e Kosovës përmes projekteve të ndryshme. Për fundi, do të dëshiroja t’ju falënderoja të gjithëve për mikpritjen tuaj, dhe t’i uroj ekipit fati në ndeshjet e ardhshme.”
Bernard Challandes, trajneri i kombëtares së futbollit të Kosovës, e informoi ambasadorin për përgatitjet e Kombëtares së Kosovës përpara tre ndeshjeve të ardhshme kundër Lituanisë, Suedisë dhe Spanjës.
Eroll Salihu, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës e informoi Ambasadorin për infrastrukturën e re që po ndërtohet, siç është stadiumi i ri për personat me nevoja të veçanta.
Ambasadori Szunyog u takua edhe me portierin e Kombëtares së Kosovës Samir Ujkanin, me të cilin bisedoi për ndeshjet e ardhshme, dhe të cilit i premtoi se sapo të lehtësohet pandemia dhe ta lejojnë kushtet, ai do të kthehet në stadium së bashku me tifozët kosovarë për të ndjekur ndeshjet e tyre.