Korrik 23, 2022 | Saturday

Arti thyen barrierat: Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor nis turneun në Prishtinë

Me performancën e pesë suitave të njohura “From Holberg’s Time” nga kompozitori i shquar norvegjez i epokës romantike Edvard Grieg, Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor (ORBP) hapi në Prishtinë turneun e saj muzikor nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për tetë ditë rresht, nën drejtimin e dirigjentit dhe pianistit Desar Sulejmani si dhe pedagogëve të tjerë muzikorë, 30 muzikantë të rinj klasikë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, u mblodhën në Prishtinë për të bërë prova të pjesëve të Chopin, Shostakovich, Grieg dhe kompozitorëve të tjerë të epokës klasike dhe moderne, të cilat ata i performuan në koncertin e hapjes.

Desar Sulejmani – Drejtor Artistik i Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor duke performuar në koncertin inaugurues në Prishtinë

Fuad Shetiq, dirigjent dhe pianist 27-vjeçar nga Sarajeva (Bosnja dhe Hercegovina), thotë se u ndje jashtëzakonisht i nderuar kur mori ftesën nga maestro Sulejmani për t’iu bashkuar Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor dhe për të punuar me të si dhe me muzikantë të tjerë të rinj dhe të talentuar.

Fuad Shetiq – Dirigjent dhe pianist (Bosnjë dhe Hercegovinë) duke performuar në koncertin inaugurues të ORBP-së në Prishtinë

Unë e kam ndjekur rritjen e orkestrës që kur filloi. Gjithmonë kam dashur të marr pjesë në ndonjë mënyrë. Projekti më duket shumë emocionues sepse sjell muzikë me cilësi të lartë në skenën e muzikës klasike ballkanike dhe inkurajon të rinjtë që të vijnë, të rriten së bashku dhe të zhvillojnë më tej aftësitë e tyre” – deklaron Shetiq.

Shetiq, i cili po viziton Prishtinën për herë të parë me ORBP-në, deklaron se është i mahnitur nga qyteti dhe mikpritja e njerëzve, duke shtuar se realiteti i ka tejkaluar pritjet e tij dhe se mezi pret të vij përsëri. Më tej ai shton se përveç rritjes profesionale, një rol shumë të rëndësishëm që ka orkestra është bashkimi i njerëzve dhe thyerja e paragjykimeve.

“Në kohët kur bota ndahet çdo ditë e më shumë, unë e shoh ORBP-në si një fener shprese! Ne krijojmë muzikë së bashku dhe ndajmë të gjitha aspektet e bukura të kulturave tona. Mendoj se kjo është pasuria jonë më e madhe në rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë” – përfundon Shetiq.

Për Entela Qarkagjijan, violistën e re nga Prishtina e cila performoi në koncertin inaugurues në Prishtinë, të qenit pjesë e ORBP-së është një përvojë mahnitëse për ngritjen e saj profesionale.

Entela Qarkagjija – Violiste (Kosovë)

Për mua është një përvojë shumë e rëndësishme pasi që më mundëson të përfaqësoj dhe të shfaq vlerat e mia artistike, të cilat janë formësuar nga Fakulteti im i Muzikës në Universitetin e Prishtinës, dhe konkretisht nga profesori im i violës Blerim Grubi, i cili e mbështeti rrugëtimin tim muzikor që në fillim. Prandaj, përveç rritjes sime profesionale, në një mënyrë apo tjetër përfaqësoj edhe vlerat e vendit tim dhe të profesorëve para audiencës së Ballkanit Perëndimor dhe evropian” – përfundon Qarkagjija.

Një tjetër anëtar i orkestrës dhe interpretues në koncertin e Prishtinës është Millutin Radulloviq, një violinist i talentuar 19-vjeçar nga Mali i Zi. Millutini thotë se iu bashkua Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor me synimin për të fituar përvojë në të luajtur me një orkestër rinore, për të zhvilluar aftësitë e tij profesionale si dhe për të përfaqësuar vendin e tij. Për të, orkestra ka një ndikim të madh në zhvillimin e muzikës në rajon.

Millutin Radulloviq – duke performuar me Orkestrën e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor në koncertin inaugurues në Prishtinë

“Mendoj se kjo orkestër po kontribuon shumë në zhvillimin e muzikës dhe kulturës në Ballkanin Perëndimor. Ajo që është gjithashtu shumë e rëndësishme mendoj se është fakti që ORBP-ja po dërgon  mesazh të fortë dhe pozitiv jo vetëm për Ballkanin por për të gjithë Evropën dhe kjo është diçka që i duhet gjithë botës. ORBP po tregon se sa është e rëndësishme kultura për çdo shoqëri” – deklaron Radulloviq.

Pas Prishtinës, Orkestra e të Rinvje të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojë turin e tyre muzikor të titulluar “Rrugë të reja”, në Shkup, Novi Sad, Mostar dhe Kotor. Ndërsa në gusht planifikojnë të performojnë në pesë qytete të Gjermanisë.

ORBP u themelua nga Artium Eudora (ArtEU), një OJQ e vendosur në Prishtinë, Kosovë, nga Desar Sulejmani dirigjent dhe pianist, i cili shërben edhe si Drejtor Artistik i Orkestrës, dhe nga Kompozitori dhe Pianisti Pierre Weber, i cili është edhe drejtor i OJQ Artium Eudora. Aktivitetet e Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor mbështeten nga Bashkimi Evropian në Kosovë.