Maj 28, 2015 | Thursday

Baki Jashari – Kosova në Classical Next 2015

Për herë të parë një grup muzikantësh nga Kosova patën mundësinë që të bëhen pjesë e forumit ndërkombëtar “Classical: NEXT 2015”, përkrah rreth 1000 profesionistëve tjerë të muzikës klasike nga mbarë bota. Pjesëmarrja e tyre në këtë forum, që u mbajt në Rotterdam të Holandës nga 20-23 maj, u mundësua nga projekti i BE-së në Kosovë “Kulturë për të gjithë”.

Ekipi kosovar u përfaqësua me moton “Kosova përmes muzikës”, ndërsa në përbërje të tij ishin Dardan Selimaj-drejtor i Festivalit Ndërkombëtar DAM, , Baki Jashari – drejtor i Filharmonisë së Kosovës, Besa Llugiqi – soprano dhe Visar Kuçi – violinist.

Për Kosovën, forumi ishte një mundësi e rrallë për të promovuar muzikën klasike para një audience ndërkombëtare dhe për të krijuar ura të reja bashkëpunimi. Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha për EUICC-në se kjo ngjarje shërbeu edhe për të thyer paragjykimet që i kishin disa pjesëmarrës për Kosovën, si vend i dalur nga konflikti. Ai u shpreh i ngazëllyer me pritjen që i është bërë Kosovës në forumin “Classical-NEXT 2015”.

“Për neve është befasuese se sa shpejt Kosova po hyn në agjendë. Besoj që këto takime që i zhvilluam do të rezultojnë edhe me ndonjë projekt konkret në të ardhmën. Pjesëmarrësit e forumit e shohin Kosovën si destinacion ku mund ti prezentojnë projektet e tyre përmes Filharmonisë, pasi ne përveç orkestrës simfonike, e kemi edhe korin, gjë që e bëri ofertën tonë në Rotterdam më të begatë”, tha Jashari.

Kreu i Filharmonisë së Kosovës vlerëson se bashkëpunimi me shtetet tjera në fushën e muzikës është tepër i nevojshëm dhe i rëndësishëm për ta promovuar Kosovën si shtet i ri. Ai kujton kohën kur jetonte dhe punonte në Slloveni dhe kishte mundësinë që të merrte pjesë si dirigjent në shumë koncerte në Evropë dhe në Amerikë. Dëshiron që të njejtën mundësi ta kenë edhe anëtarët e Filharmonisë së Kosovës, instititucionit të cilin e udhëheq që nga viti 2006.