Prill 15, 2024 | Monday

Përfituesit në fokus: Kursantët e projektit TIK për Rritjen e Kosovës – Teuta Pajaziti Merovci

Projekti i financuar nga BE-ja, TIK për Rritjen e Kosovës, organizoi ceremoninë e certifikimit për 198 kursantët e certifikuar që morën pjesë në programin e avancuar të trajnimit 300 orësh për TIK në shtatë module trajnimi. Trajnimi për TIK u mbajt nga trajnerë me përvojë ndërkombëtare dhe vendore. 

Certifikatat iu ndanë kursantëve që përfunduan me sukses trajnimin për TIK dhe kaluan provimin përfundimtar. Ndër të trajnuarit ishin studentë, të diplomuar (Baçelor dhe Master) dhe punonjës me një gamë të gjerë profilesh si zhvillues softuerësh, inxhinierë softuerësh, administratorë të bazës së të dhënave, analistë të bazës së të dhënave, zhvillues të bazës së të dhënave, inxhinierë të sigurisë kibernetike, analistë sigurie, menaxherë IT, inxhinierë rrjeti, analistë për të dhëna, specialistë të shkencës së të dhënave, administratorë IT, specialistë IT.

“Synimi i BE-së është shumë i qartë, për të nxitur inovacionin, për të nxitur rritjen ekonomike, për të rritur pjesëmarrjen në tregun e punës dhe për të lehtësuar ndërkombëtarizimin e sektorit TIK të Kosovës”, tha z. Tomáš Szunyog, ambasadori i BE-së në Kosovë, i cili mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave. 

Ne folëm me disa nga të trajnuarit për të mësuar se si ata do t’i shfrytëzojnë shkathtësitë e fituara nga ky trajnim. 

Teuta Pajaziti Merovci 

Teuta Pajaziti Merovci është inxhiniere e makinerisë nga Gjilani. Ajo ishte ndër pjesëmarrëset e semestrit të shtatë të trajnimit të organizuar nga projekti “TIK për Rritje”. Në procesin e përfundimit të Masterit në Mekatronikë, ajo vendosi që të ndjekë kursin e Inteligjencës Artificiale, duke pasur parasysh bazën e saj të njohurive në fushën e IT dhe Matematikës, të cilat janë baza e të kuptuarit dhe zhvillimit të mëtejshëm të Inteligjencës Artificiale. “Në botën e sotme, Inteligjenca Artificiale është shumë më tepër se një përparim teknologjik, është një forcë ndërmjetësuese që përcakton industritë e sotme dhe rizbulon mënyrat se si jetojmë dhe punojmë. Kjo më motivoi ta zgjedh këtë kurs,” thotë ajo. 

Trajnimi e pajisi atë me njohuri më të thella mbi kompleksitetin e Inteligjencës Artificiale, duke parë shembuj të aplikimit të saj në sektorë të ndryshëm si shëndetësia, financat, bankat etj. Znj. Pajaziti Merovci thekson rëndësinë e të mësuarit se si të aplikohet Inteligjenca Artificiale në punën e saj, duke theksuar përdorimin e saj në kontekste të ndryshme si kodimi, zhvillimi i modeleve të makinerive dhe analiza e të dhënave. Ajo do të shfrytëzojë shkathtësitë në punën e saj si bankiere për ta përmirësuar më tej performancën e saj si dhe mjedisin e saj të punës. 

“Jo vetëm që do të përfitoj personalisht nga trajnimi, por shkathtësitë që kam fituar do të më mundësojnë që të kontribuoj në mënyrë domethënëse në avancimin e kushteve të punës në institucionin ku punoj. Do të vazhdoj të punoj për t’u zhvilluar më tej profesionalisht në këtë fushë, jo vetëm duke fituar vetë më shumë njohuri praktike dhe teorike, por edhe duke i ndarë me bashkëpunëtorët e mi”, thotë ajo.