Prill 15, 2024 | Monday

Përfituesit në fokus: Kursantët e projektit TIK për Rritjen e Kosovës – Tringa Baftiu

Projekti i financuar nga BE-ja, TIK për Rritjen e Kosovës, organizoi ceremoninë e certifikimit për 198 kursantët e certifikuar që morën pjesë në programin e avancuar të trajnimit 300 orësh për TIK në shtatë module trajnimi. Trajnimi për TIK u mbajt nga trajnerë me përvojë ndërkombëtare dhe vendore. 

Certifikatat iu ndanë kursantëve që përfunduan me sukses trajnimin për TIK dhe kaluan provimin përfundimtar. Ndër të trajnuarit ishin studentë, të diplomuar (Baçelor dhe Master) dhe punonjës me një gamë të gjerë profilesh si zhvillues softuerësh, inxhinierë softuerësh, administratorë të bazës së të dhënave, analistë të bazës së të dhënave, zhvillues të bazës së të dhënave, inxhinierë të sigurisë kibernetike, analistë sigurie, menaxherë IT, inxhinierë rrjeti, analistë për të dhëna, specialistë të shkencës së të dhënave, administratorë IT, specialistë IT.

“Synimi i BE-së është shumë i qartë, për të nxitur inovacionin, për të nxitur rritjen ekonomike, për të rritur pjesëmarrjen në tregun e punës dhe për të lehtësuar ndërkombëtarizimin e sektorit TIK të Kosovës”, tha z. Tomáš Szunyog, ambasadori i BE-së në Kosovë, i cili mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave. 

Ne folëm me disa nga të trajnuarit për të mësuar se si ata do t’i shfrytëzojnë shkathtësitë e fituara nga ky trajnim. 

Tringa Baftiu

Tringa Baftiu është studente e Inxhinierisë Kompjuterike dhe Softuerike në Universitetin e Prishtinës. Që nga fillimi i rrugëtimit të saj akademik, ajo ka qenë një eksploruese e pasionuar e mundësive dhe zhvillimeve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe zhvillimit të aplikacioneve. Ishte ky pasion i saj për të përmirësuar dhe zgjeruar më tej njohuritë e saj në fushën e teknologjisë së informacionit dhe zhvillimit të aplikacioneve, çfarë e motivoi atë të bëhej pjesë e trajnimit TIK për Rritjen e Kosovës. Kursi që ajo e zgjodhi ishte ‘Java Enterprise and Mobile Development’, i cili e ndihmoi atë të kuptonte dhe të mësonte gjuhën e kodimit ‘Java’. 

Ajo thekson rëndësinë e të mësuarit përmes praktikës së drejtpërdrejtë të ligjëruar e demonstruar nga ekspertët. Përmes përvojës praktike, Baftiu fitoi njohuri për metodologjitë më të fundit në ‘Java Enterprise dhe Mobile Development’ si dhe një kuptim më të thellë të arkitekturës së avancuar të aplikacioneve si dhe metodave dhe teknikave të përdorura në zhvillimin e aplikacioneve celulare dhe të bazuara në ueb.

“Unë shoh një gamë të gjerë të përfitimeve nga ky trajnim, jo vetëm profesionale por edhe personale, si komunikimi efektiv, menaxhimi i kohës dhe rritja profesionale. Është me rëndësi të madhe të mësosh dhe të ndash përvoja në një komunitet profesionistësh të tjerë të teknologjisë së informacionit,” thotë ajo.