Mars 19, 2016 | Saturday

Çka është Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian (GJDBE)?

Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian (GJDBE) është themeluar në vitin 1952 për të siguruar se shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së veprojnë në përputhje me ligjin e BE-së. Në praktikë, GJDBE interpreton ligjin e BE-së, duke siguruar se aplikohet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së në mënyrë të njëjtë. GJDBE gjithashtu zgjidhë kontestet ligjore në mes qeverive nacionale dhe institucioneve të BE-së dhe mund të përdoret edhe nga “organizatat, kompanitë apo individët për të ndërmarrë veprime kundër institucioneve të BE-së në çdo rast kur mendojnë se të drejtat e tyre janë shkelur”. Me seli në Luksemburg, GJDBE përbëhet nga 3 organe kryesore, Gjykata e Drejtësisë, Gjykata e Përgjithshme dhe Gjykata e Shërbimit Civil. Institucioni i shërben rolit kryesor në garantimin se shtetet anëtare veprojnë në përputhje me marrëveshjet e BE-së.  (Burim: Bashkimi Evropian).

Selia e GJDBE-së në Luksemburg (foto burimore: Daily Mail UK)

Disa raste të kohëve të fundit të GJDBE-së janë nënvizuar më poshtë për ta ilustruar rolin e gjykatës si kujdestar i legjislacionit të BE-së dhe i të drejtave të qytetarëve të BE-së dhe i vendeve anëtare.

 

Rasti 1: Schrems kundër Komisionarit për Mbrojtjen e të Dhënave (rasti C-362/14) (2014)

 

Ky rast i kohëve të fundit përcakton rolin e shteteve anëtare në mbrojtjen e të dhënave personale të shkëmbyera ndërkombëtarisht, të cilat burojnë nga banorët e shteteve anëtare të BE-së.

Max Schrems, i cili e ka parashtruar rastin kundër Facebook për mbrojtjen e të dhënave personale, qëndron përballë Komisionarit irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave (burimi i fotos: PC World)

Direktiva për Mbrojtjen e të Dhënave vlen për të gjitha shtetet e Zonës Ekonomike Evropiane (ZEE), duke përfshirë të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe shteteve që nuk janë shtete anëtare të BE-së, siç janë Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Islanda. Sipas kësaj direktive, nëse të dhënat personale transferohen në shtetet jashtë ZEE-së, duhet të ndërmerren masa të veçanta. Në lidhje me Shtetet e Bashkuara, u miratuan Parimet e Privatësisë ‘Safe Harbour’ që u mundësonte kompanive amerikane të jenë në përputhje me ligjet e privatësisë të cilat mbrojnë qytetarët e Bashkimit Evropian dhe qytetarët zviceranë.

Sfida: Max Schrems, një shtetas austriak e përdorë Facebook që nga viti 2008. Të dhënat e tij janë transferuar nga filiali irlandez i Facebook drejt serverëve të vendosur në Shtetet e Bashkuara ku janë përpunuar. Z. Schrems parashtroi ankesën ndaj Komisionarit për Mbrojtjen e të Dhënave (autoriteti mbikëqyrës irlandez) në lidhje me zbulimin e bërë nga Edward Snowden në vitin 2013 të aktiviteteve të shërbimit të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara. Ai shqetësohej me mbrojtjen e pamjaftueshme kundër mbikëqyrjes që aktualisht ishte instaluar në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet irlandeze e refuzuan ankesën, me arsyetimin se, skema “safe harbour” siguron nivel të duhur të mbrojtjes së të dhënave personale të transferuara. Z. Schrems pastaj shtroi rastin e tij pranë GJDBE-së.

Verdikti: GJDBE gjeti se Komisionari irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave nuk e ka mandatin për t’ia kufizuar kompetencat autoriteteve kombëtare mbikëqyrëse, kur një person vë në pikëpyetje nëse vendimi është në përputhje me mbrojtjen e privatësisë dhe të drejtave dhe lirive themelore të individëve. Për këtë arsye, gjykata deklaroi se vendimi për ‘Safe Harbour’ është i pavlefshëm, prandaj ankesa e z. Shrems duhet të hetohet nga autoritetet irlandeze mbikëqyrëse, dhe në bazë të direktivës, transferimi i të dhënave të abonentëve evropian të Facebook në Shtetet e Bashkuara duhet të pezullohet mbi bazën se Shtetet e Bashkuara nuk ofrojnë nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes së të dhënave personale të abonentëve evropian. Kështu vendimi i GJDBE detyroi bërjen e reformave në regjimin ‘Safe Harbour’ që rregullon rrjedhën e të dhënave të qytetarëve të ZEE-së në Shtetet e Bashkuara.

Burimi: Njoftim për shtyp i Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian 

Publiku proteston në përkrahje të rastit të Max Schrems kundër Facebook (burimi i fotos: Tech Times)

Rasti i plotë gjendet në: http://curia.europa.eu/juris/document/document.jsf?docid=157862&doclang=EN

 

Rasti 2: Roman Bukovansky kundër Finanzamt Lörrach (2015)

 

Ky rast adreson çështjen e tatimit të dyfishtë, kur një punëtor merr rrogën nga një shtet anëtar, ose shtete me marrëveshje tatimore dypalëshe, ku ata nuk janë shtetas, ose banojnë në një shtet të tretë.

 

Normat efektive të tatimeve në shtetet e caktuara në vitin 2012 tregojnë se tatimi gjerman në të ardhura është rreth 28% dhe tatimi zviceran mbi të ardhurat është rreth 12% (burimi i fotos: The Economist)

Sfida: Roman Bukovansky e sfidoi punëdhënësin e tij në bazë të diskriminimit pasi që tatimohej në shtetin e tij të banimit (Zvicër), si dhe në shtetin ku ai e fitonte pagën (Gjermani), ku ishte edhe shtetas. Çështja ishte nëse parimet e mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë, të përcaktuara në Marrëveshjen për lëvizjen e lirë të personave, neni 2 (e lidhur nga Komuniteti Evropian dhe Konfederata e Zvicrës), përfshinte marrëveshjen dypalëshe mbi tatimin e dyfishtë, si marrëveshje gjermano/zvicerane. Nën marrëveshjen gjermano/zvicerane, të drejtën për të mbledhur tatimet në të ardhurat e punësimit të një individi të punësuar nga një kompani gjermane që nuk e ka shtetësinë zvicerane, por është me banim në Zvicër, e ka Gjermania.

 

Verdikti: GJDBE gjeti se dallimi në trajtim rezultoi si pasojë e ndarjes së sovranitetit fiskal ndërmjet palëve të marrëveshjes dhe për këtë arsye ishte çështje midis skemave tatimore të këtyre palëve (Gjermani dhe Zvicër). Prandaj vendimi është në favor të Finanzamt Lörrach, ku GJDBE shkroi se marrëveshja gjermano-zvicerane “sipas të cilës autoriteti për vjelje të tatimit të të ardhurave nga punësimi i tatimpaguesit gjerman që nuk e ka shtetësinë zvicerane, edhe pse ai e ka transferuar vendbanimin e tij nga Gjermania në Zvicër, përderisa ka mbajtur vendin e tij të punës në shtetin e parë, e mban shteti nga ku burojnë të ardhurat, përkatësisht Republika Federale e Gjermanisë, ndërsa autoriteti i vjeljes së tatimit në të ardhura nga punësimit i shtetasit zviceran i cili është në situatë analoge i jepet shtetit të ri të banimit, në këtë rast Konfederatës zvicerane” (Burimi: EUR-Lex).

 

Burimi: Tax Journal

 

Rasti i plotë gjendet në: http://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX%3A62014CJ0241

 

Rasti 3: Colloseum Holding AG kundër Levi Strauss & Co., (2013)

Ky verdikt i GJDBE-së i sqaroi të drejtat mbi markën tregtare brenda BE-së, në veçanti, duke përfshirë edhe karakteristikat e dallueshme si pjesë të markës tregtare, duke vendosur në favor të kompanisë Levi Strauss.

Kontesti me markën tregtare e Levi’s (burimi i fotos: The Telegraph UK)

Sfida: Levi Strauss parashtroi një kërkesë pranë GJDBE-së kundër kompanisë zvicerane, Colloseum, duke pretenduar se kjo markë e kishte shkelur markën e tyre tregtare. Firma argumentoi se “Colloseum i kishte shkelur të drejtat e saj të markës tregtare duke shitur xhinse me një leckë të ngjashme drejtkëndëshe të kuqe që mban emrin e saj tregtar të ngjitur në cepin e djathtë të xhepit të prapmë.

“Levi Strauss argumentoi se, përgjatë viteve të përdorimit, lecka e kuqe “flamur” do të njihet nga ana e konsumatorëve si shenjë e xhinseve me “tab të kuq” të prodhuara nga Levi Strauss – madje edhe pa logon e markës Levi’s të shtypur mbi të”. Pavarësisht pasjes së markës tregtare vetëm për flamurin e kuq, megjithatë, Levi Strauss kurrë nuk e kishte përdorur flamurin e kuq pa emrin e markës. ”

Verdikti: Në vitin 2013, GJDBE vendosi në favor të Levi Strauss, duke deklaruar se tabi i kuq ishte pjesë integrale për njohjen e markës dhe për këtë arsye binte brenda të drejtave të tyre të markës tregtare. Ky vendim ka pasur ndikim të madh në të drejtat e markës tregtare të markave të tjera me paketim të veçantë, të tilla si trekëndëshi Toblerone.

Burimi: The Telegraph UK

Rasti i plotë gjendet në: http://curia.europa.eu/juris/document/document.jsf?docid=136430&doclang=en