Prill 30, 2015 | Thursday

Evropa Kreative

Kultura dhe kreativiteti përbëjnë thelbin e projektit evropian. Kultura formëson identitetet, aspiratat tona dhe mënyrën se si i krijojmë raportet me të tjerët dhe botën, duke modeluar vendet dhe peizazhet ku jetojmë dhe stilet e jetës që bëjmë. Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë po krijon si mundësi ashtu edhe sfida për sektorin kulturor dhe atë kreativ të Evropës. Bashkimi Evropian (BE) është zotuar t’u ndihmojë të gjithë atyre që janë të përfshirë në këta sektorë — që nga komunitetet lokale që kremtojnë trashëgiminë e tyre kulturore deri te prodhuesit e një filmi që merr një çmim — për të përqafuar shanset e ardhshme dhe për të tejkaluar pengesat me të cilat përballen. Shumëllojshmëria kulturore është një pasuri për BE-në, mirëpo diferencat gjuhësore dhe kulturore shpijnë në segmentimin e tregut. Sektori kulturor përballet me një numër problemesh dhe sfidash në nivel ndërkombëtar, në kuptimin e promovimit të lëvizjes ndër-kufitare, duke inkurajuar komunikimin transnacional dhe duke zhvilluar dialogun ndër-kulturor.

Programet si Evropa Kreative kërkojnë zgjerimin e trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore përmes mbështetjes së projekteve kulturore ndër-kufitare siç janë iniciativat bashkëpunuese, platformat dhe rrjetet si dhe projektet e përkthimeve letrare. Evropa Kreative po ashtu plotëson financimin kombëtar për të fuqizuar kinemanë evropiane, për të rritur promovimin e filmave të rinj dhe për ta bërë më konkurrues sektorin audio-vizual. Për të realizuar agjendën e saj për kulturë, Evropa mbështetet në partneritete solide në mes të gjitha palëve të interesit, përfshirë këtu shtetet anëtare, rajonet, organizatat kulturore dhe operatorët e tjerë kulturorë. Për shembull, projektet bazë për rritjen e turizmit kulturor ose rigjenerim urban në zonat e rëndësishme kulturore ose mbështetje në shpërndarjen e filmave të pavarur – të gjitha këto dhe shumë qëllime të tjera arrihen më së miri atëherë kur organizatat e niveleve të ndryshme kombinojnë përpjekjet dhe burimet  e tyre.

BE-ja kujdeset për bashkëpunim kulturor me vendet e caktuara jashtë BE-së si dhe me organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Që nga aprovimi i Agjendës Evropiane për Kulturë, kultura po perceptohet gjithnjë e më shumë si një faktor strategjik i rëndësisë politike, sociale dhe ekonomike që kontribuon në objektivat e politikës së jashtme.

Që nga viti 2007, Fondi Evropian për Zhvillim Rajonal ka ndarë 3.3 miliardë euro për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, 2.2 miliardë euro për zhvillimin e infrastrukturës kulturore dhe 555 milionë euro për mbështetjen e shërbimeve kulturore.

Duke u nisur nga ky kontekst, “Kultura për të gjithë” është një projekt i suksesshëm i Zyrës së BE-së në Kosovë që ofron mbështetje strategjike afatgjatë për sektorin kulturor. Si i tillë, ky projekt bën me të vërtetë ndryshime për aktorët dhe operatorët kulturorë, meqë ai ka krijuar një burim financimi të parashikueshëm, duke siguruar mbështetje me vlerë për ngjarjet kulturore ekzistuese. Për më tepër, duke mbështetur ngjarjet e vogla kulturore dhe iniciativat në mbarë Kosovën, ky projekt shtrihet deri në nivelin e komunitetit, duke promovuar kështu shumëllojshmërinë kulturore, inovacionin dhe kreativitetin.

Me iniciativa si promovimi i intervenimeve artistike urbane në qytete të ndryshme, udhëtimet studimore dhe ndërtimi i kapaciteteve të operatorëve kulturorë, ky projekt kontribuon dukshëm në rritjen e inovacionit dhe kreativitetit në sektorin kulturor në Kosovë, bashkë me promovimin  e rolit qenësor të pranisë së BE-së në Kosovë në mesin e artistëve të rinj dhe krijimin e një rrjeti të qëndrueshëm të aktorëve kulturorë.