Tetor 28, 2021 | Thursday

Eris Çunaku – duke promovuar aktivizmin dhe mbrojtjen e mjedisit tek të rinjtë

I diplomuar në Menaxhment, Zhvillim Softuerik dhe Ligje Publike në RIT Kosova (A.U.K), Erisi ka nisur angazhimin e tij si aktivist gjatë shkollës fillore, për të vazhduar më pas me aktivitete të ndryshme në organizata studentore, klube dhe të tjera. Gjatë studimeve ai ka qenë President i Qeverisë Studentore në RITK, anëtar i Unionit Studentor të Kosovës dhe udhëheqës i disa klubeve për nxënës të shkollave fillore, të mesme dhe universitare. Gjithashtu ai ka udhëhequr disa fushata vetëdijësuese për fëmijët me kancer, fushata kundër bullizmit, si dhe për aktivizmin qytetar, shëndetin mendor dhe mbrojtjen e mjedisit.

Erisi ka për qellim që të jetë një zë aktiv për të rinjtë e Kosovës dhe për këtë arsye ka kandiduar edhe për rolin e “Ambasadorit të Ri Evropian”. Si Ambasador i Ri, ai ka pasur mundësinë qe të merr pjesë dhe të udhëheq disa trajnime dhe ngjarje për aktivizimin rinor dhe mbrojtjen e mjedisit, si: “Online Youth Acitivism: The power of the hashtag” dhe “WeGreen: The Youth Goes Clean”. Në shtator, ai ka marrë pjesë në fushatën #EUBeachCleanUp në Shqipëri, ku së bashku me anëtarë të tjerë të programit Young European Ambassadors, kanë pastruar bregdetin “Rinia” si fushatë vetëdijesimi për mbrojtjen e jetës bregdetare. Si Ambasador i Ri, ai planifikon që të krijoj fushatat të tjera vetëdijësuese dhe inkurajuese ne fushën e aktivizmit të të rinjve, mbrojtjes së mjedisit, edukimit kualitativ dhe vlerave të BE-së.

Në tetor, ai morri pjesë në European Youth Event (EYE) të organizuar në Strasburg (Francë) në Parlamentin Evropian, ku ka qenë edhe folës në njërën nga ngjarjet. Në EYE, Erisi ka treguar për përvojën e tij si Ambasador i Ri Evropian, aktivitetet e tij, përgjegjësitë e këtij roli, dhe planet e këtij programi për të ardhmen.

Erisi është edhe anëtar i programit Global Young Leaders dhe anëtar i bordit në organizatën jo-qeveritare “Society for Entrepreneurship and Educational Development – SEED” dhe Shoqatës së të Diplomuarve të RIT Kosova.

Erisi ka mbi 5 vite përvojë pune në komunikim, menaxhim të rrjeteve sociale, monitorim dhe tani edhe si Specialist i Burimeve Njerëzore në kompaninë KODE Labs. Mesazhi i tij për të rinjtë është: “E ardhmja e Kosovës është në duart e secilit prej nesh, për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të jemi të vetëdijshëm dhe aktiv në fushat të cilat do të kenë ndikim në të ardhmen tonë”.