Tetor 31, 2016 | Monday

Ish Presidentja Atifete Jahjaga: Viktimat e dhunes seksuale nuk janë vetëm në betejën e tyre

Më 26 tetor 2016 në Qendrën Informative dhe Kulturore te BE-së në Prishtinë,  Presidentja Atifete Jahjaga foli mbi rëndesinë e ngritjes së zërit të të mbijetuarave të dhunës në Kosovë, përmes mekanizmave ligjorë dhe vetëdijësimit. “Më 12 Qershor 2015, në Ditën e Çlirimit, fusha e gjelbërt në stadiumin e Prishtinës u mbulua me 5000 fustane, diçka që gjithmonë do të mbetet në kujtesën time”, tha Presidentja Jahjaga duke e kujtuar ditën e njohjes së viktimave të dhunës seksuale të luftës përmes një instalacioni artistik nga artistja Alketa Xhafa-Mripa. Në këtë ngjarje, Presidentja Jahjaga theksoi punën e Këshillit Kombëtar për të mbijetuarat e dhunës seksuale, i themeluar gjatë presidencës së saj, në vitin 2014. “Përveç dhimbjes që ndjeva, e tërë ngjarja, më dha shpresë, sepse isha dëshmitare e një akti të madh të solidaritetit, i cili nuk erdhi vetëm nga Kosova, por po ashtu nga jashtë, si përgjigje e thirrjes së artistes Alketa Xhafa Mripa për të dhuruar një fustan, në përkrahje të viktimave të dhunës seksuale të luftës.” vazhdoi ajo.

26-10-2016-euicc-master-class-with-ms-atifete-jahjaga-5-of-10

Presidentja Jahjaga shpjegoi në detaje nevojën e saj për të qëndruar në  përkrahje të grupeve të margjinalizuara, përgjatë karrierës së saj.  “Unë i përkas një gjenerate, kur të gjithë përjetuam se si bota e ndërtuar nga prindërit tanë, u shkatërrua brenda natës, dhe jetuam pjesën më të madhe të rinisë sonë në frikë. Kjo është arsyeja pse vendosa t’i bashkëngjitem Policisë së Kosovës, pas përfundimit të studimeve të mia në drejtësi. Gjatë kohës sime në Policinë e Kosovës për herë të parë dëgjova se çfarë me të vërtetë u ndodhi grave në Kosovë gjatë luftës“, tha Jahjaga.

E pyetur nga moderatori  Dardan Velija, udhëheqes i EUICC-së, pse mori aq shumë kohë që njerëzit të fillojnë të flasin për këtë temë,  presidentja u thirr në mentalitetin e shoqërisë kosovare. “Mentaliteti patriarkal pati një ndikim të madh, se pse ato gra u fshehën dhe u ndjenë të turpëruara të flasin rreth asaj çfarë përjetuan”, tha ajo.  

“Themelimi i programeve për mbështetje ligjore, për të gjitha viktimat, është procesi më i vështirë dhe më i dhimbshëm për Kosovën.” Momenti kur ligjvënësit në parlament kontestuan dhe kërkuan ekzaminimin mjekësor të viktimave, në vend të përkrahjes së unifikuar, më duhet ta pranoj se ishte momenti kur u ndjeva shumë e zhgënjyer nga ata”, tha presidentja. Megjithatë, qeveria nuk është i vetmi aktor që ka rol në sjelljen e reformave. Presidentja vuri në pah rolin kyç të organizatave të shoqërisë civile në mbështetjen e reformave në këtë fushë si dhe udhëheqjen e fushatave vetëdijesuese  për të trajtuar stereotipet dhe inkurajuar  të mbijetuarat të ecin përpara.

Përfaqësuese të organizatave të grave në Kosovë dhe të komunitetit të biznesit u bënë pjesë e diskutimeve, duke ndarë ide të reja se si të gjithë mund të kontribuojmë dhe mbështesim rehabilitimin e viktimave. “Fuqizimi ekonomik i viktimave është çelësi i rehabilitimit të tyre dhe të gjithë duhet të jemi të përkushtuar në këtë aspekt.” u përgjigj Jahjaga.

Pas ndarjes së disa historive prekëse të dëgjuara nga viktimat e dhunës,  presidentja siguroi të pranishmit që ajo kurrë nuk do të harrojë premtimin e saj  që të jetë zëri i atyre grave dhe se do të vazhdojë dedikimin ndaj kësaj çështjeje prekëse.

Dokumentari “Mendoj për ty”,  i cili përshkruan instalacionin artistik të artistes Alketa Xhafa-Mripa dhe producentes Anna Di Lellio, nxori në pah solidaritetin e njerëzve në Kosovë dhe botë. Siç e theksoi producentja Di Lellio në dokumentar, “gjersa është akt i mirë që të famshmit dhuruan fustanet tek instalacioni, është edhe me inspiruese që njerëzit e zakonshëm anë e mbanë Kosovës kontribuan në këtë kauzë”. Dokumentari është përkrahur nga një numër i ambasadave prezente në Kosovë dhe nga BE-ja.

Kjo ligjëratë ishte pjesë e fushatës dy-mujore të EUICC-së “BE-ja ka të bëjë me lirinë e shprehjes”.