Gusht 25, 2017 | Friday

Në Evropë përmes kulturës

Gazetari francez, Thomas Hahn, në një shkrim të tij vite më parë, kishte bërë një përshkrim jo shumë optimist për Kosovën e shikuar nga jashtë. “Shikuar nga Parisi,” thotë ai, “madje edhe Irani duket më i besueshëm. Nga atje ka ekspozita dhe filma të cilët shfaqen nëpër festivale. Artistët iranianë, të cilët dikur kishin ikur në ekzil nga shahu, janë pjesë përbërëse e përhershme e skenës artistike. Në Evropën perëndimore, kush dëshiron mund ta krijojë një pamje të Teheranit. E njëjta gjë vlen për Seulin apo Johanesburgun. Madje, eventualisht, edhe për Beogradin, eventualisht. E për Prishtinën? Aq afër, aq larg, aq misterioze.”

Krijimi i një imazhi tjetër për Kosovën, përkundër këtij aktual që dominon në botë, e që është i mbështjellur me mister e frikë, si një vend lufte e turbulencash sociale, do të duhej të ishte synimi primar i shtetit të Kosovës. Dhe këtu, medeomos, duhet thirrur në ndihmë kulturën. Para së gjithash, kulturën. Fakti që Kosova tani mund të luajë ndeshje miqësore futbolli me Haitin është e arritur sportive, madje edhe politike, por, kam frikë, jo më shumë se kaq. Kosova mund të ketë ca boksierë të fuqishëm, vrapues të shpejtë, peshëngritës muskulozë apo futbollistë të shkathët, dhe kjo gjë mund të na sjellë beneficione politike apo edhe financiare. Mirëpo ky sukses nuk mund ta ndryshojë imazhin dominues të Kosovës në botë.    

E pse, pra, kultura mundet?

Për shembull, sportistët kinezë marrin shumë medalje të arta në Olimpiadë, madje edhe mbajnë rekorde në ping-pong e çiklizëm, apo ku ta di unë, por këto arritje nuk na flasin për shoqërinë kineze dhe mënyrën se si jetohet në Kinë sot. Arti, letërsia, teatri apo filmi kinez mund të na informojnë se si jetohet në Kinë; sa ka liri, si qeveriset vendi, çfarë vlerash shoqërorë dominojnë etj.

Duke iu referuar një konteksti tjetër më kompleks, por që i shërben mirë edhe këtij argumenti, Amin Maalouf, shkrimtari francezo-libanez, thotë se kemi nevojë t’i njohim të tjerët me mendjeprehtësi, nga afër… intimisht. Sipas tij, kjo mund të bëhet vetëm përmes kulturës së tyre. Kosova ka vërtetë nevojë të krijojë një marrëdhënie njohjeje të thellë kulturore me botën, por para së gjithash, me Evropën. T’i njohë ‘të tjerët’, por edhe t’ua mundësojë të tjerëve ta njohin atë “nga afër… intimisht.”

Që ky proces të ndodhë, Kosova duhet të investoj në kulturë; para së gjithash, në kulturën që krijohet tani, në lëvizje, nga artistët. Duke e stimuluar prodhimtarinë kulturore, në të vërtetë, Kosova përfiton në dy drejtime: së pari, kultura i ndihmon shoqërisë kosovare të zhvillohet, emancipohet e sofistikohet dhe mbi këto baza edhe të gdhendë identitetin e ri; së dyti, kultura e krijon atë hallkën e rëndësishme të komunikimit dhe njohjes mes popujve, mes kulturave, mes civilizimeve. Pos letërsisë që përmend Maalouf, do të thoja që rol vendimtar në këtë proces luan edhe teatri sepse teatri e prekë në mënyrë të shkëlqyeshme impulsin e kohës, u jep formë ëndërrave të shoqërisë, e projekton të shkuarën dhe vë në gjykim të kaluarën.

Aspiratat evropiane të Kosovës nuk duhet të reduktohen vetëm në nivele tekniciste politike (zgjidhje kontekstesh kufitare, zgjedhje të lira…) Ato, para së gjithash, duhet të orientohen drejt vlerave kulturore. Evropa duhet të na njohë përmes artit e kulturës. Evropën duhet ta njohim përmes artist e kulturës.