Dhjetor 31, 2021 | Friday

Planet për Vitin e Ri të ekipit të Shtëpisë së Evropës

Shtëpia e Evropës në Kosovë shënoi edhe një vit të mbushur plot evente, nga ekspozitat, master-klasat e diskutimet në panel, deri tek botimet, artikujt informues e kështu me radhë. Krahasuar me vitin 2020 kur shumica e eventeve u organizuan online për shkak të masave parandaluese ndaj Covid-19, mbërritja e vaksinave nga #TeamEurope dhe vende të tjera bëri që të zbuten masat kundër Covid-19. Kështu pra, një numër i konsiderueshëm eventesh u organizuan me prani fizike dhe jo online.

Shprehur në numra, ekipi i Shtëpisë së Evropës në Kosovë arriti të organizojë më shumë se 70 ngjarje, mes të cilave më të spikaturat ishin: aktivitetet e Javës së Evropës, pjesë e të cilave ishin dy koncerte, art i rrugës / lyerja e shkallëve të qytetit të lagjes Arbëria në Prishtinë, një kuiz interaktiv për njohuritë mbi BE-në dhe aktivitete të tjera. Ndër eventet dhe fushatat e tjera të spikatura ishin Festivali i Filmit Evropian në Kosovë 2021; Koncerti i Jazz-it i organizuar në Ditën Ndërkombëtare të Jazz-it; Java e Diplomacisë së BE-së për Klimën, Mbështetja e BE-së për Kosovën dhe shumë aktivitete të tjera.

Arianit Dedi, Udhëheqës i Ekipit të projektit nënvizon se viti 2021 ishte sfidues por edhe i suksesshëm për ekipin e Shtëpisë së Evropës në Kosovë.

“Përkundër pandemisë, arritëm të organizonim evente që ishin atraktive për qytetarët, të cilët na e kthyen me vizita në lokalet tona dhe në kanalet tona në rrjete sociale. Për vitin 2022, dëshira ime është të vazhdojmë të frymëzojmë, motivojmë dhe sjellim informata relevante për audiencën tonë, përmes zbulimit të mjeteve të reja dhe inovative të komunikimit me popullin e Kosovës, si dhe duke shpresuar që pas lehtësimit të masave kundër COVID-19 do të takohemi me më shumë qytetarë përmes eventeve me prani fizike”, shprehet Dedi.

Erëza Vela, Zëvendës Udhëheqëse e Ekipit të projektit, e konsideron vitin 2021 si vit të frytshëm për Shtëpinë e Evropës në Kosovë, por sytë i ka nga viti 2022.

“2021-shin po e mbyllim me krenari, me më shumë se 70 evente të realizuara, si dhe duke premtuar se viti 2022 do të jetë viti i Shtëpisë së Evropës dhe miqve të saj! Na presin shumë ekspozita, diskutime, instalacione arti, netë të filmave dhe kuizeve, pa harruar Javën aq të posaçme të Evropës! Shpresojmë që këto iniciativa të shkëlqyera do t’i plotësojmë me aktivitetet e rrjetëzimit dhe socializimit, duke kaluar nga eventet dhe takimet online në ato me prani fizike. Qoftë ky një vit i mbarë”, shton Vela.

Ndërkohë, Gentiana Shabani, përgjegjëse për pjesën kreative vizuale të projektit, shprehet se i pret me padurim aktivitetet dhe eventet e shumta gjatë vitit të ardhshëm.

“Si anëtare kreative/dizajnere e Shtëpisë së Evropës në Kosovë, ajo që po pres me padurim është eksplorimi dhe ri-brendimi i projektit më të pritur të vitit – Javës së Evropës, si dhe aktivitetet që promovojnë temat e barazisë gjinore dhe sidomos mjedisin dhe qëndrueshmërinë” – shprehet Gentiana.

Jovana Stojanoviq-Timitojeviq është përgjegjëse për të gjitha aktivitetet dhe operacionet e përditshme të Shtëpisë së Evropës në Mitrovicën e Veriut.

“Si Zyrtare Ndihmëse / Administratore e Qendrës së Shtëpisë së Evropës në Mitrovicën e Veriut, i pres me padurim eventet e reja që do t’i angazhojnë të rinjtë dhe komunitetin përmes aktiviteteve që rrisin vetëdijesimin mjedisor, krijojnë mundësi punësimi dhe zhvillojnë shkathtësi të kërkuara nga tregu i punës. Besoj se me kontributet tona të vogla dhe duke i tejkaluar sfidat, do u japim kuptim muajve të ardhshëm”.

Ekipi i Shtëpisë së Evropës në Kosovë ua uron të gjithë lexuesve tanë, Gëzuar Vitin e Ri 2022!