Gusht 2, 2021 | Monday

Të drejtat e konsumatorëve në një strukturë ekonomike që po ndryshon në Kosovë – Dardan Abazi & Fatbardha Restelica

Kur në vitin 2019, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) nënshkroi marrëveshjen kornizë me Zyrën e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë, kjo ishte një fushë pothuaj e pa trajtuar më parë nga diskursi publik. Qytetarët nuk ishin të informuar sa duhet dhe ç’është e vërteta, as institucionet nuk po punonin sa duhet për ta. Në Ministrinë e Tregtisë, në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit numri i ankesave të konsumatorëve ishte i vogël dhe besimi tek puna e zyrtarëve edhe më i vogël.

Përkundër kësaj, puna jonë me plan dhe e strukturuar dha frytet e saj shpejt. Lansuam platformën “Mbrojtësit e Konsumatorëve” për të punuar në vetëdijesimin e qytetarëve dhe filluam serinë e publikimeve të politikave publike. Me këtë qasje, ne në njërën anë filluam avokimin dhe ofrimin e alternativave për përmirësim të legjislacionit dhe politikave publike, dhe në njërën anë punuam në shpërndarjen e informatave të thjeshtëzuara e të kuptueshme për qytetarët rreth të drejtave të tyre si konsumator.

Më pas, pandemia Covid-19 mbylli qytetarët dhe e gjithë ekonomia u paralizua. Bizneset filluan të ofrojnë produktet dhe shërbimet e tyre online. Për fat të keq, kjo u shoqërua me kosto në dëm të të drejtave të konsumatorëve. Një pjesë e konsiderueshme e bizneseve online operonin të paregjistruar fare dhe të pakontrolluar nga askush. Produktet rrjedhimisht nuk kishin garanci, shitësit s’kishin adresë në të cilën inspektorët mund të trokisnin dhe nuk lëshonin kupon fiskal. Kështu, transaksioni dhe marrëveshja e blerjes ishte e vështirë të dëshmoheshin. Kjo gjendje, shtoi nevojën për intensitet më të shtuar të punës nga ana jonë.

Në një hark kohor prej 15 muajsh, ne publikuam mbi 100 infografika, shpërndamë video informuese dhe zhvilluam komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët. Ne pranuam mbi 550 ankesa dhe iu përgjigjëm qytetarëve me këshilla e sugjerime duke i drejtuar ata tek autoritetet përgjegjëse. Numri i ankesave në DMK më shumë se u dyfishua dhe kualiteti i shërbimit ndaj tyre u rrit.

Ndër shkeljet më të mëdha që po ndodhin janë mos-vendosja e çmimeve pranë produkteve, pastaj mospërputhja e reklamave me produktet, zbritjet që ç’orientojnë konsumatorët, garancitë që s’mbulojnë asgjë, faturimet paushall të kompanive publike dhe shërbimet publike si rryma dhe uji që s’janë kualitative etj. Ne po targetojmë edhe pabarazitë gjinore që ekzistojnë në dizajnin e produkteve, adresimin e ankesave të grave në krahasim me burrat etj. Të gjitha këto probleme janë theksuar edhe më shumë gjatë kohës së pandemisë.

Por, përveçse sfidë, pandemia COVID-19 është edhe një mundësi për përmirësim të situatës. Rritja e numrit të ankesave, numrit të diskutimeve online, rrjeteve të bashkëpunimit dhe kampanjave të përbashkëta është tregues i qartë i një konsumatori që po vetëdijesohet. Natyrisht, ende ka shumë punë për të bërë. Sidomos nevojiten procedura më të shpejta gjyqësore të realizimit të të drejtave të konsumatorit. Pastaj instrumente alternative të zgjidhjes së problemeve dhe qëndrueshmëri më të madhe të organizatave që merren me mbrojtjen e konsumatorit.

Mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve kërkon bashkëpunim ndër-institucional, vetëdije dhe mekanizma të fuqishëm shtetëror. Sa më të realizuara të drejtat e konsumatorëve, aq më shumë siguri në produkte, cilësi dhe strukturë ekonomike që eksporton në tregje me standarde të larta dhe përshpejton zhvillimin ekonomik. Rruga është e gjatë, por vendosmëria jonë edhe më e madhe. Sepse baza e një ekonomie të drejtë dhe shoqërie prosperuese është konsumatori i informuar, i mbrojtur, i përkrahur dhe mbi të gjitha konsumatori vigjilent.

Dardan Abazi dhe Fatbardha Restelica – Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)