Dokumenti mbërrin me email, por në vend që ta shtypin, ta nënshkruajnë me dorë dhe ta skanojnë, qytetarët e Kosovës tani mund ta vendosin nënshkrimin elektronik dhe ta kthejnë brenda pak sekondash.
Shërbimet e reja të identitetit digjital në Kosovë janë zhvilluar në kuadër të një investimi të BE-së në vlerë prej 3,2 milionë eurosh.
Në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, BE-ja ka ndihmuar në vënien në përdorim të identifikimit elektronik (sistemi eID) dhe nënshkrimeve elektronike (eSign), duke ua ofruar qytetarëve dhe bizneseve një mënyrë të sigurt për ta verifikuar identitetin e tyre në internet dhe për të pasur qasje në një gamë gjithnjë e më të gjerë shërbimesh digjitale.
Nënshkrimi i dokumenteve bëhet më i thjeshtë
Kur dikush e nënshkruan një dokument përmes aplikacionit eSign, një certifikatë digjitale e lidhur me identitetin e verifikuar të tij ia mundëson marrësit që të kontrollojë se kush e ka nënshkruar dokumentin dhe nëse ai është ndryshuar më pas. Ky shërbim ofron nënshkrime elektronike të kualifikuara, të cilat, sipas legjislacionit të Kosovës, e kanë të njëjtin efekt juridik si nënshkrimet me dorë.
Qytetarët mund ta marrin eID-në e tyre pa pagesë në njërën nga shtatë qendrat rajonale të Agjencisë së Regjistrimit Civil, ku u verifikohet identiteti. Më pas, ata mund ta ruajnë identitetin e tyre elektronik në Portofolin Digjital të Kosovës në telefon dhe ta përdorin eSign për të nënshkruar dokumente PDF dhe dokumente të tjera elektronike të mbështetura, nga telefoni ose kompjuteri.
Për Arbrin, sipërmarrës nga Kosova, shërbimi i ri tashmë ia ka lehtësuar veprimtarinë e përditshme afariste.
“Procesi i regjistrimit zgjati rreth 15 minuta. Kur drejton një biznes, gjithmonë ke ndonjë dokument që duhet të nënshkruhet. Mundësia që ta bëj këtë nga telefoni dhe thjesht ta dërgoj, pa shtypur apo skanuar asgjë, ma lehtëson ditën”, thotë ai.
Personat që regjistrojnë biznes tashmë mund t’i përdorin nënshkrimet elektronike në kuadër të aplikimit të tyre. Për një fazë të mëvonshme janë planifikuar edhe vulat elektronike, të cilat kompanive dhe organizatave do t’ua mundësojnë që të konfirmojnë se dokumentet kanë ardhur prej tyre.
E ardhmja digjitale e Kosovës dhe integrimi evropian
Besimi është esencial për përdorimin e gjerë të shërbimeve digjitale. Mbrojtja e të dhënave personale dhe garantimi i identiteteve digjitale të sigurta janë në thelb të standardeve evropiane që e kanë udhëhequr zhvillimin e shërbimeve të reja të Kosovës. Kjo punë gjithashtu i kontribuon zbatimit të Agjendës së Reformave të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së.
Fundja, suksesi i transformimit digjital të Kosovës do të varet nga shkalla e përdorimit të këtyre shërbimeve. Siç u shpreh Ambasadori i BE-së, Dirk Schuebel:
“Teknologjia si e vetme nuk i ndryshon jetët; por përdorimi i saj për të mirë po”.
Përderisa gjithnjë e më shumë institucione, qytetarë dhe biznese po i përqafojnë këto shërbime, ky investim i BE-së do të ndihmojë që të reduktohen procedurat administrative, të kursehet kohë dhe që shërbimet publike dhe afariste të bëhen më të qasshme, duke e avancuar njëkohësisht integrimin digjital të Kosovës me Bashkimin Evropian.