Publikuar më 29 shtator 2013
Verë kulturore: Mbështetja e BE-së për artistët dhe festivalet në Kosovë
Verë kulturore: Mbështetja e BE-së për artistët dhe festivalet në Kosovë
Një film mund të sjellë në ekran histori të neglizhuara, një skicë mund ta paraqesë një qytet përmes syve të një artisti, ndërsa një orkestër mund t’i bëjë bashkë muzikantët e rinj nga mbarë rajoni në të njëjtën skenë.

Këtë verë, mbështetja e BE-së për kulturën në Kosovë ndihmoi festivalet dhe iniciativat kulturore t’i bëjnë bashkë artistët, muzikantët dhe audiencat nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.
“Sketching Pristina”, ta shohësh qytetin ndryshe
Për iniciativën “Sketching Pristina”, pjesë e GRAN Fest, vetë qyteti u bë subjekt i veprës artistike.

E organizuar nga GRAN Fest me mbështetjen e BE-së, kjo nismë solli në Prishtinë artistë vendorë dhe ndërkombëtarë për ta eksploruar qytetin përmes vizatimit. Mes tyre ishte edhe ilustratori francez Emmanuel Prost, i cili po vizitonte Prishtinën për herë të parë.

“Thjesht ecim nëpër qytet dhe ndalemi kur diçka na tërheq vëmendjen. Mund të jetë drita, hija, një skenë e përditshme, një treg apo një ndërtesë”, tha ai.

Iniciativa krijoi mundësi për shkëmbime artistike, por u dha gjithashtu artistëve mysafirë mundësinë ta përjetonin Prishtinën nga afër dhe t’i përcillnin këto përshtypje përmes punës së tyre, duke u ofruar audiencave jashtë Kosovës një këndvështrim tjetër për vendin.
Orkestra e të Rinjve e Ballkanit Perëndimor bashkon njerëzit përmes muzikës
E mbështetur nga BE-ja, Orkestra e të Rinjve e Ballkanit Perëndimor, bëri bashkë muzikantë të rinj profesionistë nga mbarë Ballkani Perëndimor përprova të përbashkëta dhe performanca në tri koncerte në Prishtinë, Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut, si pjesë e programit të saj veror.

Për drejtorin artistik dhe dirigjentin e orkestrës, Desar Sulejmani, rëndësia e këtyre performancave shkon përtej vetë programit.

“Përmes muzikës duam të përcjellim një mesazh që nuk ka nevojë për shpjegim. Muzika jonë do t’i lidhë shpirtrat tanë, veçanërisht sepse vetë orkestra përbëhet nga muzikantë të rinj nga kombe dhe vende të ndryshme”, tha ai.

Për audiencën, koncerti është pjesa që shihet në skenë. Për muzikantët, një pjesë e madhe e përvojës ndodh para se të dalin në skenë: duke ushtruar së bashku, duke mësuar nga njëri-tjetri dhe duke fituar përvojë të vlefshme në performancë dhe lidhje profesionale.

Me mbështetjen e BE-së, ata e kalojnë këtë kohë duke krijuar muzikë së bashku me muzikantë nga mbarë rajoni, me të cilët përndryshe mund të mos kishin pasur mundësi të punonin.
Dokufest, histori njerëzore në ekran
Bashkimi Evropian në Kosovë është partner afatgjatë i Dokufest-it, duke kontribuar në forcimin e misionit të tij për të sjellë në Kosovë regjisorët më të mirë, për të lehtësuar shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, për të nxitur rrjetëzimin, si dhe për të promovuar diversitetin kulturor, shprehjen artistike dhe zhvillimin e ekonomisë lokale.

Këtë gusht, mbështetja e BE-së vazhdoi gjatë edicionit të 25-të të Dokufest, me fokus në garën “Human Rights Dox”. Gjithsej, 104 filma garuan në tetë programe të Dokufest.

Për drejtorin artistik të festivalit, Veton Nurkollari, “Human Rights Dox” ka qenë prej kohësh një nga programet kryesore të festivalit.

“Punojmë shumë për të gjetur filma nga e gjithë bota që flasin për të drejtat e njeriut, sepse këto të drejta janë universale. E kuptuam rëndësinë e tij që herët dhe fakti që Bashkimi Evropian është pjesë e kësaj nisme për të mbështetur një kategori për të cilën jemi shumë krenarë është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha Nurkollari.

Mbështetja e BE-së për kulturën në Kosovë shkon përtej këtyre iniciativave dhe përfshin organizatat kulturore dhe sektorët kreativë përmes programeve dhe aktiviteteve kulturore, duke krijuar mundësi për bashkëpunim dhe shkëmbim.

Këtë verë, filmi, vizatimi dhe muzika sollën tri këndvështrime të ndryshme mbi këtë mbështetje, secili në mënyrën e vet dhe përmes njerëzve dhe ekipeve që e bënë të mundur.

Më të rejat nga blogu

Lajmet më të fundit, intervistat, teknologjitë dhe burimet.