Pas nëntë netësh program me shfaqje të filmave ndërkombëtarë dhe vendorë, në Kino Armata në Prishtinë në prezencë të adhuruesve të filmit, dhe Zëvendësshefit të Seksionit për Politikë të BE-së në Kosovë, Juan Biurrunit, është mbyllur edicioni i tretë i Festivalit të Filmit Evropian në Kosovë, me ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për më të mirët.
Nga 21 Korriku, publiku në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut dhe Gjakovë ka shijuar vepra të njohura ndërkombëtare si pjese e agjendës së filmave ndërkombëtarë. Për më shumë, për herë të parë këtë vit u shfaqën edhe vepra nga filmbërësit vendorë, pjesëmarrës në garën e filmit të shkurtër, e organizuar në kuadër të festivalit.
Shfaqja e filmave në Gjakovë
Në natën finale të festivalit, në praninë e shumë artistëve dhe publikut artdashës, në Kino ARMATA u shfaqën edhe tre filma të shkurtër garues. “Në mes rreshtave” i Lum Borovcit, “Gojë ka, gojë ska” i Valmira Rashitit, si dhe “Nosotros” i Albulena Kurtit.
Festivali u mbyll me ndarjen e shpërblimeve për tri çmimet kryesore: çmimi për aktoren më të mirë iu nda Eli Gashit, për rolin në filmin “Një manual për ndarje”; çmimi për dokumentarin më të mirë iu nda filmit “Unë kurrë nuk kam udhëtuar me aeroplan” nga Redon Kika; si dhe çmimi për filmin më të mirë iu nda filmit “Daniel” nga Loreta Berbatovci.
Festivali i Filmit Evropian në Kosovë mbështetet nga Zyra e BE-së në Kosovë, ndërsa organizohet nga Shtëpia e Evropës në Prishtinë.