Publikuar më 26 gusht 2018
Hapet ekspozita ‘Scrolling’ e Yll Xhaferit në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë
Hapet ekspozita ‘Scrolling’ e Yll Xhaferit në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë
Artisti Yll Xhaferi ka hapur me datë 15 gusht ekspozitën e tij të radhës, në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë.

“Scrolling” erdhi si inspirimi i radhës i artistit të njohur nga Kosova. Nëntë ilustrime brenda ekspozitës të ftojnë drejt rrugëtimit nëpër një ëndërr me tulla ndërtimi, me burra e gra që marrin rreze dielli të mërzitshme dhe me hapësira gjelbrimi të cilat proporcionalisht janë më të vogla në hartat e qytetit të Prishtinës në krahasim me betonin e ndërtimet me leje a pa leje.
Ekspozitën e Xhaferit e shpalli të hapur Vjosa Berisha nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian – EUICC në Prishtinë.

“Jemi të lumtur që po e nisim këtë seri të ekspozitave me ekspozitën e artistit Yll Xhaferi. Ylli është artist që ka marrë pjesë në shumë ekspozita dhe kjo është një vazhdimësi e punës së tij artistike. EUICC është hapësirë për artistët e rinj dhe ata të formuar të cilët në të ardhmen do të na sjellin punën e tyre dhe projektet e tyre artistike” tha Berisha në hapjen e ekspozitës.
Xhaferi është artist vizuel nga Prishtina. Ai ka diplomuar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe ka përfunduar studimet për master në drejtimin e Arteve Pamore. Xhaferi është fitues i çmimit Artistët e së Nesërmes nga Galeria Kombëtare në vitin 2012 dhe ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme të artit vizuel në qytet p.sh. Prishtina Mon Amour në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, Livrit – (si pjesë e SURF, kuruar nga Erzen Shkololli, Bienale Meditterana, Milano dhe Tirana dhe ekspozita e tij personale e titulluar Toy Story në galerinë e artit Motrat.
Për ta vizituar ekspozitën ‘Scrolling’, ejani deri me datë 15 shtator në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Më të rejat nga blogu

Lajmet më të fundit, intervistat, teknologjitë dhe burimet.