Publikuar më 27 korrik 2026
Hapave të Nënës Terezë: Si po e rilidh trashëgiminë e përbashkët një rrugë e turizmit kulturor, e mbështetur nga BE-ja
Hapave të Nënës Terezë: Si po e rilidh trashëgiminë e përbashkët një rrugë e turizmit kulturor, e mbështetur nga BE-ja
Çdo gusht, mijëra pelegrinë udhëtojnë drejt fshatit të qetë të Letnicës, në juglindje të Kosovës, për t’u lutur në Kishën e Të Ngriturit të Zojës. Ata po e vazhdojnë një traditë shekullore, që dikur e solli në këtë fshat 17-vjeçaren Gonxhe Bojaxhiu nga Shkupi, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, para se bota ta njihte si Nëna Terezë.
Sot, vizitorët mund ta bëjnë sërish të njëjtin rrugëtim. E rivitalizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes Programit për Bashkëpunim Ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, kjo rrugë historike është rihapur pas dekadash shpërfilljeje, duke i ftuar pelegrinët, bjeshkatarët dhe vizitorët ta rizbulojnë këtë trashëgimi të përbashkët dhe duke krijuar mundësi të reja për komunitetet.
Më shumë se pelegrinazh
Shumë kohë para se të vendoseshin kufijtë e sotëm, Letnica i bashkonte njerëzit.
Çdo verë, pelegrinët katolikë mblidheshin për Festën e Të Ngriturit të Zojës së Letnicës, bashkë me pelegrinë kosovarë të përkatësive të ndryshme etnike. Disa vinin për të shprehur mirënjohje, të tjerë për t’u lutur për shëndet të mirë, për fëmijët apo për begati. Gjuhë, tradita dhe zakone të ndryshme bëheshin bashkë në të njëjtin vend.
Nëpër breza, këto pelegrinazhe vjetore u ndërthurën me identitetin e përbashkët kulturor të rajonit që i lidh komunitetet prej shekujsh.
Aty ku Nëna Terezë e gjeti thirrjen e saj
Për Nënën Terezë, Letnica ishte më shumë se një destinacion pelegrinazhi.
Më 14 gusht të vitit 1928, gjatë një vizite në Shenjtërore, e reja Gonxhe Bojaxhiu mori vendimin që jetën t’ia kushtonte Zotit duke u shërbyer të tjerëve, një moment ky thellësisht personal, që do ta formësonte jetën e një prej figurave humanitare më të admiruara në botë.
Për Don Lush Gjergjin, priftin katolik shqiptar të Kosovës dhe njërin prej studiuesve më të shquar të jetës së Nënës Terezë, ky fshat është thelbësor për ta kuptuar thirrjen e saj.
Sipas tij, ajo e kishte ndërmarrë pelegrinazhin në Letnicë për gjashtë vjet rresht. “Këto nuk ishin thjesht udhëtime”, thotë ai. “Ato e formuan shpirtërisht.”
Ecim në të njëjtën rrugë
Dikur e mbuluar nga bimësia dhe e vështirë për t’u ndjekur, rruga e mbështetur nga BE-ja, e quajtur Shtigjet e Nënës Terezë, është rivitalizuar dhe shënjuar qartë, duke ua mundësuar pelegrinëve, bjeshkatarëve dhe vizitorëve të ripërshkojnë shtigjet që formësuan rrugëtimin shpirtëror të Nënës Terezë.
Përtej rivitalizimit të një shtegu historik, ky investim i BE-së ka ndihmuar në pozicionimin e rrugës Nëna Terezë si pjesë e një përvoje më të gjithmbarshme turistike kulturore, që i ndërlidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke i inkurajuar vizitorët t’i zbulojnë të dyja anët e kufirit përmes historisë së tyre të përbashkët.
Duke vepruar kështu, Bashkimi Evropian po ndihmon në ruajtjen e historisë, promovimin e turizmit të qëndrueshëm dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve fqinje.
Një trashëgimi që mbështet komunitetet
Rruga e rinovuar veçse po i sjell jetë të re Letnicës.
Edhe pse ka më pak se 5,000 banorë, fshati mirëpret më shumë se 30,000 vizitorë gjatë sezonit të pelegrinazhit veror. Vizitat e tyre mbështesin bujtinat lokale, restorantet, kafenetë dhe bizneset familjare, duke dëshmuar se si trashëgimia kulturore mund të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm lokal.
Profili ndërkombëtar i shenjtërores po rritet në të njëjtën kohë. Vetëm gjatë pelegrinazhit të gushtit të vitit 2025, rreth 300 vizitorë nga Amerika Latine udhëtuan për në Letnicë për të vizituar vendin e lidhur kaq ngushtë me thirrjen shpirtërore të Nënës Terezë, një përkujtues ky se një fshat i vogël mund të ketë domethënie globale.
Ngritja e urave që mbesin
Ringjallja e rrugës së pelegrinazhit ka të bëjë më shumë sesa me rivitalizimin e një shtegu historik. Ajo po rilidh komunitetet përmes një historie të përbashkët, duke i inkurajuar vizitorët të zbulojnë të dyja anët e kufirit Kosovë-Maqedoni e Veriut dhe duke demonstruar se si trashëgimia kulturore mund ta forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të krijojë mundësi për gjeneratat e ardhshme.
Si partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare, Bashkimi Evropian mbështet projekte që përmirësojnë jetët e njerëzve duke i ndihmuar Kosovës të përparojë në rrugën e saj të integrimit evropian. Përmes Programit të saj për Bashkëpunim Ndërkufitar, BE-ja po investon në iniciativa që e ruajnë trashëgiminë e përbashkët dhe krijojnë mundësi të qëndrueshme për komunitetet lokale.
Ata që mbërrijnë sot në Letnicë zbulojnë shumë më tepër sesa një Shenjtërore shekullore. Gjejnë një fshat ku besimi, historia dhe kultura i kanë bashkuar njerëzit me gjenerata dhe ku vazhdon ky rrugëtim i përbashkët.

Më të rejat nga blogu

Lajmet më të fundit, intervistat, teknologjitë dhe burimet.