Publikuar më 1 shtator 2026
Të rinjtë në krye të ndryshimit: rruga drejt anëtarësimit në BE përmes udhëheqjes nga komuniteti
Të rinjtë në krye të ndryshimit: rruga drejt anëtarësimit në BE përmes udhëheqjes nga komuniteti
Nga Milla Mihajlloviq, Ambasadore e Re Evropiane nga Lipjani
Përtej përkufizimeve politike dhe ekonomike të Bashkimit Evropian, ekziston një këndvështrim i formësuar tërësisht nga të rinjtë që ende nuk janë pjesë e BE-së, por që veçse i përkasin atij. Ky realitet është gdhendur nga ngjarje historike komplekse dhe thellësisht traumatizuese, të cilat kanë ndryshuar jo vetëm shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, por edhe mënyrën se si i kuptojnë brezat e rinj rolet dhe përgjegjësitë e tyre shoqërore, duke i shtyrë të gjejnë forma të reja të veprimit në komunitet, e jo të mbesin thjesht pranues pasivë të kujdesit apo konsumatorë të lajmeve politike.

Bashkimi Evropian vazhdon t’i mbështesë të rinjtë e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor përmes programeve dhe projekteve të ndryshme, si Erasmus+, Young Cell Scheme dhe shumë të tjera. Të rinjve në role udhëheqëse në mbarë Ballkanin Perëndimor, këto programe u kanë dhënë mundësi të drejtpërdrejta për të kontribuar në ndryshime shoqërore dhe strukturore, qoftë përmes aktiviteteve të drejtuara nga organizata të financuara nga BE-ja dhe partnerë të saj, ashtu edhe përmes nismave të vetë të rinjve, të mundësuara nga të njëjtat financime. Këto perspektiva kanë shënuar fillimin e një epoke ku angazhimi qytetar nuk shihet si opsional, por si domosdoshmëri për ndërtimin e një ardhmërie të qëndrueshme dhe të drejtë. Një gjë e tillë, nga ana tjetër, i ka hapur rrugë një brezi me vetëdije të lartë shoqërore, gjeopolitike dhe kulturore, duke i bërë të rinjtë e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor bartës të mirëfilltë të ndryshimit me potencial dhe shkathtësi të jashtëzakonshme.

Askund nuk është kjo valë më e dukshme se në Kosovë, vendin me popullsinë më të re në rajon. Këtu, mundësitë janë të lidhura ngushtë me programet për drejtësi tranzicionale, të drejta të njeriut dhe tolerancë multietnike, duke vënë themelet për pajtim joformal mes të rinjve nga komunitete të ndryshme.
Zëra të rinj që formësojnë ardhmërinë e Evropës
Duke u rritur në Kosovë dhe duke vepruar si aktiviste që në moshë shumë të re, synimi im kryesor ka qenë të tregoj se sa e domosdoshme është që angazhimi individual në shoqëri të mbështetet te kontributet për kauza humanitare. Prandaj, në qendër të angazhimit tim ka qenë lufta për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe, mbi të gjitha, për paqe. Ne, si të rinj, punuam më fort aty ku nuk mbërrinte politika formale: ringritëm ura të shkatërruara prej kohësh, kërkuam drejtësi dhe rihapëm plagë që ndoshta nuk do të shërohen kurrë plotësisht, në mënyrë që ta kuptojmë se si mund ta ndërtojmë ardhmërinë e përbashkët, në të cilën nuk do të përsëritet e shkuara.

Kur u bëra Ambasadore e Re Evropiane (YEA), m’u ofrua një platformë zyrtare për të vazhduar avokimin tim dhe pata mundësinë të shoh nga afër se sa të fuqishme mund të jenë institucionet e BE-së në mbështetjen e kauzave rinore dhe nevojave kolektive. Nga Brukseli në Prishtinë, synimi është i thjeshtë: të krijohen platforma ku të rinjtë dhe ekspertët mund të angazhohen, të shkëmbejnë ide dhe të krijojnë rrjete të bazuara në udhëheqje, talent dhe intelekt.
Nga mundësia te veprimi qytetar
Rrjeti YEA funksionon sipas një parimi të thjeshtë: lidhjen e të rinjve me mundësi të përshtatura sipas interesave dhe sfondit të tyre akademik. Kjo përshtatje bën që angazhimi të ketë rëndësi të drejtpëdrejtë për profilin e secilit aktivisti, dhe pikërisht kjo frymëzon anëtarët drejt mobilizimit më të thellë dhe përkushtimit afatgjatë.

Në të njëjtën kohë, ky rol e ka riformësuar mënyrën e reflektimit për angazhimin domethënës. Me ndihmën e mundësive të ofruara drejtpërdrejt nga rrjeti, Ambasadorët e Rinj Evropianë vazhdojnë të jenë aktivë dhe zhvillojnë partneritete për ta vazhduar avokimin e tyre. Shumë përdorin kapacitetet e tyre personale për të prezantuar qasje inovative ndaj çështjeve me të cilat përballen të rinjtë çdo ditë; duke e dëshmuar më tej përkushtimin dhe aftësinë e tyre për formësimin e së tashmes të udhëhequr nga drejtësia dhe barazia.

Përvoja ime personale e pasqyron këtë. Shembull i kësaj është një aktivitet rinor që e organizova në bashkëpunim me Zyrën e Këshillit të Evropës në Mitrovicë të Veriut, si vazhdim i trajnimit “Block the Hatred 2.0”, ku mora pjesë. Për mua, kjo është pjesë e rëndësishme e asaj që do të thotë të jesh Ambasador i Ri Evropian: të marrësh njohuritë, vlerat dhe lidhjet e fituara përmes rrjetit dhe t’i përkthesh ato në iniciativa që mund të kenë ndikim të prekshëm përtej vetë rrjetit.

Si udhëheqëse e re, detyra ime nuk është vetëm të çoj përpara çështje, por edhe t’i frymëzoj njerëzit përreth që të më bashkohen për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë. Për vite me radhë, udhëheqësit e rinj e kanë riformësuar realitetin e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor thjesht duke e rritur standardin - duke punuar për të menduarit kritik, lirinë e fjalës dhe shprehjes, dhe vetëdijesimin qytetar. Kësisoj, të rinjtë kanë vendosur një standard të ri, që tani edhe shtetet duhet ta arrijnë, duke i ndërthurur drejtpërdrejt vlerat demokratike në rrugën drejt anëtarësimit.
Ai ndryshim filloi për mua shumë kohë më parë
Isha trembëdhjetë vjeçe kur vendosa të mos pres të më bënin vend në tryezë. Ballkani Perëndimor nuk e ka pasur kurrë luksin të priste që institucionet ta kapin hapin - kështu që të rinjtë u bënë vetë institucionet që na duheshin, shumë përpara se dikush të na e jepte titullin. Secili projekt, secili rrjet ndërkufitar që politika nuk mundi ta ngrinte, thotë të njëjtën të vërtetë: ne nuk ishim kurrë përfitues pasivë të ardhmërisë së Evropës. Ne jemi autorët e saj në Ballkanin Perëndimor.

Milla Mihajlloviq është shkrimtare e vlerësuar me çmime, eksperte e angazhimit rinor dhe aktiviste për të drejtat e njeriut

Më të rejat nga blogu

Lajmet më të fundit, intervistat, teknologjitë dhe burimet.