Publikuar më 18 qershor 2026
Nga Prishtina në lidershipin global për energjetikën: vlerësimi evropian për Shqipe Neziri Velën, i rrënjosur në vlera
Nga Prishtina në lidershipin global për energjetikën: vlerësimi evropian për Shqipe Neziri Velën, i rrënjosur në vlera
Kur Bashkimi Evropian në Kosovë e shpalli Shqipe Neziri Velën Evropiane të Vitit 2026 të Kosovës, gjatë kremtimeve për Ditën e Evropës, u vlerësua kontributi i saj në avancimin e barazisë gjinore, fuqizimin e grave dhe qeverisjen e qëndrueshme energjetike.
Ky çmimi i përvitshëm nderon individë dhe institucione që mishërojnë vlerat evropiane dhe kontribuojnë në zhvillimin demokratik, të drejtat e njeriut dhe integrimin evropian në Kosovë.

Për Shqipęn, vlerësimi pasqyron parime që e kanë udhëhequr gjatë gjithë karrierës së saj.
“Jam tepër e nderuar nga ky vlerësim. Për mua, pasqyron vlerat që më kanë udhëhequr në punën time gjatë gjithë karrierës sime: transparenca, llogaridhënia, përfshirja dhe krijimi i mundësive për të tjerët.”

Sot, ajo vlerësohet ndërkombëtarisht për punën e saj në qeverisjen energjetike dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Megjithatë, rrugëtimi i saj filloi në lagjen Qafa të Prishtinës, ku karrierën e saj do ta formësonte dëshira për ta kuptuar si zhvillohen shoqëritë dhe si munden institucionet publike ta përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Të kuptuarit e anës njerëzore të energjetikës

Përmes një burse Erasmus Mundus të financuar nga BE-ja, ajo studioi në Universitetin e York-ut dhe Universitetin e Evropës Qendrore, duke zgjeruar horizontet e saja akademike dhe profesionale.

“Interesimi im për energjetikën u shfaq përmes një interesimi më të gjerë për politikat publike, qeverisjen dhe zhvillimin. Gjatë studimeve universitare, veç m’u shtua kureshtja se si munden institucionet, ligjet dhe politikat publike ta formësojnë rritjen ekonomike dhe ta përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.”
Me kalimin e kohës, ajo kuptoi se energjetika lidhet me shumëçka përtej teknologjisë.

“E kuptova shpejt se energjetika ishte shumë më tepër se fushë teknike. Sa më shumë mësoja, aq më shumë kuptoja se si ndikojnë vendimet për energjinë në biznese, komunitete dhe shtete të tëra.”

Ky ishte këndvështrimi që e formësoi punën e saj në kryqëzimin e energjetikës, qeverisjes dhe zhvillimit, duke përfshirë udhëheqjen e programeve të UNDP-së kundër korrupsionit në sektorin energjetik.
“Tranzicionet energjetike të suksesshme varen nga besimi. Pa transparencë, llogaridhënie dhe institucione të forta, edhe reformat më ambicioze mund të dështojnë.”
Evropa si partner në të ardhmen e Kosovës

Shqipja e sheh Bashkimin Evropian njëkohësisht si burim të mundësive për individët dhe si partner kyç në zhvillimin e Kosovës.

“Derisa Kosova vazhdon tranzicionin energjetik dhe rrugëtimin më të gjerë zhvillimor, bashkëpunimi me Bashkimin Evropian do të mbetet esencial, jo vetëm për mobilizimin e investimeve dhe forcimin e institucioneve, por edhe për mbështetjen e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në BE.”

Për të, integrimi evropian përfaqëson një rrugë drejt institucioneve më të forta, mundësive më të mëdha dhe stabilitetit afatgjatë.

Krijimi i mundësive për të tjerët

Puna në sektorë tradicionalisht të dominuar nga burrat veç ia forcoi vendosmërinë për t’i mbështetur gratë e tjera të interesuara për karrierë në energjetikë dhe miniera.

Në vitin 2022, si bashkëthemeluese e rrjetit “Gratë në Energji dhe Miniera”, krijoi një platformë që promovon mentorimin, rrjetëzimin dhe mundësi të udhëheqësisë për gratë në këtë sektor.

Mësimdhënia ka qenë një pjesë tjetër e rëndësishme e këtij misioni. Për tetë vjet, ka shërbyer si pedagoge për Politikat Globale Energjetike në RIT në Kosovë, duke u ndihmuar studentëve të zbulojnë mundësi në një fushë që shumë nuk e kishin menduar kurrë më parë.

“Momentet më domethënëse në karrierën time nuk kanë qenë shpërblimet apo titujt profesionalë; kanë qenë momentet kur kam parë suksesin e arritur nga persona që u kam dhënë mësim ose i kam mentoruar.”

Kur i sheh ish-studentët që i vazhdojnë studimet dhe ndërtojnë karriera të suksesshme, mbetet një nga aspektet më shpërblyese të punës së saj.

Sukses i matur me ndikim

Sot, Shqipja e ndan kohën midis Oslos dhe Prishtinës, duke balancuar përgjegjësitë ndërkombëtare, mentorimin dhe jetën familjare. Ajo i përshkruan dy fëmijët e saj si një burim të vazhdueshëm frymëzimi.

Aktualisht, ajo punon me Iniciativën e Transparencës së Industrive Nxjerrëse (EITI), me bazë në Norvegji, për transparencën, qeverisjen dhe menaxhimin e përgjegjshëm të resurseve natyrore. Në të njëjtën kohë, mbetet e angazhuar në mënyrë aktive në Kosovë përmes mentorimit dhe si Kryetare e rrjetit “Gratë në Energji dhe Miniera”.
Megjithatë, përkufizimi i saj i suksesit mbetet i thjeshtë.

Për Shqipe Neziri Velën, suksesi nuk matet me tituj apo shpërblime, por me ndikim: krijimi i mundësive për të tjerët, forcimi i institucioneve dhe kontributi në diçka më të madhe se vetja. Është pikërisht ky përkushtim ndaj shërbimit publik, përfshirjes dhe ndryshimeve pozitive që e bën Evropiane të Vitit 2026.

Për të ardhmen, ajo planifikon ta vazhdojë rrugëtimin e saj në këtë fushë, duke qëndruar e angazhuar si në sferën profesionale ashtu edhe në atë akademike, si dhe duke kontribuar më tej në energjetikë, qeverisje dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Më të rejat nga blogu

Lajmet më të fundit, intervistat, teknologjitë dhe burimet.