Publikuar më 20 gusht 2026
TIK për Rritjen e Kosovës: Ndërtimi i ekonomisë së dijes
TIK për Rritjen e Kosovës: Ndërtimi i ekonomisë së dijes
Ndërtimi i ekonomisë së dijes kërkon më shumë se arsimim formal. Ai mbështetet në ekspertizë praktike, qasje në teknologji dhe lidhje të mirëfilltë ndërmjet mësimit dhe punësimit.

Përmes projektit “TIK për Rritjen e Kosovës”, Bashkimi Evropian ka investuar në këtë aspekt me rëndësi kritike për zhvillimin e Kosovës, duke i ndihmuar të rinjtë që njohuritë digjitale t’i shndërrojnë në mundësi profesionale dhe të kontribuojnë në transformimin ekonomik të vendit.

Derisa investimet e BE-së në Kosovë kanë mbështetur arsimin dhe zhvillimin e një brezi të ri profesionistësh në sektorë të ndryshëm, mbështetja për ekonominë digjitale i bashkon tri elemente thelbësore: njerëzit, teknologjinë dhe mundësitë për zhvillim profesional.

Bashkimi Evropian ka investuar vazhdimisht në programe që u ndihmojnë të rinjve të fitojnë ekspertizën përkatëse dhe përvojën që u përgjigjet nevojave të një ekonomie në ndryshim. Projekti “TIK për Rritjen e Kosovës” e ka vendosur kapitalin njerëzor në qendër të këtij transformimi digjital.
Përgatitja e talenteve për nevojat e industrisë
Tringa Baftiu, studente e inxhinierisë kompjuterike dhe softuerike, ishte ndër 198 pjesëmarrësit që u certifikuan në vitin 2024, pas përfundimit të një programi të avancuar trajnimi në TIK prej 300 orësh, të përbërë nga shtatë module dhe të mbajtur nga trajnerë të Kosovës dhe ndërkombëtarë. Përmes kursit “Java Enterprise and Mobile Development”, ajo forcoi ekspertizën e saj teknike, duke zhvilluar njëkohësisht aftësi profesionale, si komunikimi, menaxhimi i kohës dhe prezantimi profesional, të gjitha të rëndësishme për hyrjen dhe avancimin në tregun e punës.

Për Nora Havollin, e cila ka përvojë në sektorin bankar dhe diplomë masteri në strategji dhe organizim biznesi, projekti i financuar nga BE-ja ia ofroi mundësinë që të zhvillojë më tej përvojën profesionale dhe t’i përshtatë aftësitë e saj me rolin gjithnjë e më të madh të teknologjive digjitale.

Përmes kursit për Big Data Analytics (Analitikën e të Dhënave të Mëdha), ajo filloi të kuptojë më thellë se si të dhënat mund të përdoren në vendimmarrje dhe menaxhim të rrezikut, njohuri që ajo tashmë i zbaton drejtpërdrejt në punën e saj të përditshme. Për Norën, investimi në njerëz është thelbësor që Kosova të ecë në hap me inovacionin global dhe ndryshimet teknologjike.

Teuta Pajaziti-Merovci, e cila mori pjesë në modulin e Inteligjencës Artificiale, e përshkruan programin si diçka që ofron shumë më tepër sesa një certifikim. Metodat bashkëkohore të të nxënit, ambienti profesional dhe mundësitë për shkëmbim të njohurive i zgjeruan perspektivën dhe i ndihmuan të hapë rrugën drejt roleve më të avancuara në sektorin digjital.
Nga trajnimi në punësim
Këto përvoja pasqyrojnë ndikimin më të gjerë të projektit “TIK për Rritjen e Kosovës”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga WeGlobal dhe Prishtina REA.

Gjatë periudhës ndërmjet viteve 2020-2025, programi trajnoi më shumë se 3,100 të rinj dhe certifikoi mbi 2,500 pjesëmarrës në fusha që përfshijnë zhvillimin e uebit, sigurinë kibernetike, Pythonin, të dhënat e mëdha dhe analitikën, mësimin makinerik dhe inteligjencën artificiale.

Programi ka kontribuar gjithashtu në rritjen e pjesëmarrjes së grave në sektorin digjital. Gratë përbënin 43% të atyre që u certifikuan, duke ndihmuar në zgjerimin e qasjes në mundësi profesionale në një fushë që tradicionalisht ka qenë e dominuar nga meshkujt.

Shtrirja e projektit shkoi përtej trajnimit. Më shumë se 505 pjesëmarrës raportuan se ishin punësuar, ndërsa skema e praktikës profesionale u ofroi mundësi për të fituar përvojë praktike në vendin e punës dhe për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me punëdhënësit. Për shumë pjesëmarrës, ky kombinim i trajnimit të specializuar dhe përvojës së drejtpërdrejtë në vendin e punës ka krijuar një rrugë praktike nga arsimi në jetën profesionale.
Nga investimi te ndikimi
Rezultatet tregojnë se si investimi në njerëz mund të përkthehet në mundësi më të mëdha ekonomike. Duke kombinuar trajnimin e specializuar me përvojën profesionale dhe lidhjet me punëdhënësit, projekti “TIK për Rritjen e Kosovës” u ka ndihmuar pjesëmarrësve të kalojnë nga përvetësimi i njohurive të reja te zbatimi i tyre në vendin e punës.

Për ekonominë e dijes në zhvillim në Kosovë, kjo lidhje po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Transformimi digjital nuk varet vetëm nga teknologjia, por edhe nga njerëzit që kanë aftësitë për ta përdorur atë, për ta zhvilluar dhe për të krijuar vlerë përmes saj. Prandaj, investimi i BE-së në TIK shkon përtej trajnimit individual: ai kontribuon në ndërtimin e kapaciteteve profesionale të nevojshme për zhvillimin digjital dhe ekonomik të Kosovës, duke mbështetur në të njëjtën kohë një ekonomi më konkurruese, në të cilën ekspertiza digjitale mund të nxisë inovacionin, produktivitetin dhe mundësitë e reja të punësimit.

Më të rejat nga blogu

Lajmet më të fundit, intervistat, teknologjitë dhe burimet.